Isuf Kadriu, korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Shkup, ka vdekur papritur të dielën në moshën 52-vjeçare.
Ai ka vdekur si pasojë e një sulmi kardiak në qytetin e Shëngjinit në Shqipëri, sa ka qenë në pushime me familjen.
Kadriu ka raportuar për REL-in, prej Shkupit, prej vitit 2001, dhe është një nga emrat më të shquar në redaksinë e Radios Evropa e Lirë.
Prej vitit 2008, ai ka qenë edhe zëvendëskryeredaktor në mediumin Alsat në Maqedoni të Veriut.
Shkollimin e mesëm e ka mbaruar në gjimnazin e Gjilanit, ndërsa studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës, si njëri ndër gazetarët e parë të diplomuar nga Maqedonia e Veriut.
Ai e ka nisur karrierën më 1998 në Televizionin Era, ndërsa nga viti 1999 deri më 2008 ka punuar në Televizionin e Maqedonisë së Veriut, në programin për gjuhën shqipe.
“Kolegu Isuf Kadriu do të mbahet mend në memorien e historisë së gazetarisë së një kontribuues për dinamizimin e gazetarisë, si një promovues i ndjekjes objektive të ngjarjeve dhe si një shtjellues profesional i çështjeve dhe dukurive politike dhe shoqërore. Të gjitha këto përpjekje profesionale i bënte gjithmonë duke respektuar parimin e punës ekipore dhe respektimin e standardeve profesionale dhe normave etike”, është thënë në reagimin e kolegëve të Alsat-it.
Ai ka lënë mbrapa vetes gruan dhe tre fëmijë, por dhe një trashëgimi të pashlyeshme me punën e tij në REL.
Radio Evropa e Lirë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të tij!/REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co