Franca mund të përballet me trazira civile dhe dhunë në lidhje me zgjedhjet e parakohshme, tha të hënën ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin.
“Ka mundësi se do të ketë tensione tejet të mëdha”, tha Darmanin për RTL radio, duke shtuar se autoritetet janë duke u përgatitur për një situatë “shumë të ndjeshme”, pasi votimi do të mbahet më pak se një muaj para Lojërave Olimpike Parisi 2024.
Presidenti Emmanuel Macron, i cili e tronditi kombin kur njoftoi vendimin për ta shpërndarë Parlamentin francez në fillim të këtij muaji, nuk merr pjesë në zgjedhje.
Megjithatë, këto zgjedhje perceptohen si referendum për fatin e Macronit, i cili dikur shihej si president i aftë për t’i tejkaluar ndarjet politike, por popullariteti i tij ka rënë tani pas disa krizave politike.
“Unë ju besoj”, u tha Macroni votuesve në një “letër drejtuar francezëve”, e cila u publikua të dielën.
Në letër, ai kërkoi ta paraqesë kampin e tij, i cili në sondazhe ngel mbrapa të djathtës ekstreme dhe pas aleancës së porsaformuar majtiste, si shpresën e fundit për stabilitet.
“Unë nuk jam i verbër: jam i vetëdijshëm për krizën demokratike”, shtoi ai.
Macroni e përsëriti gjithashtu se do ta mbajë pozitën e presidentit derisa t’i përfundojë mandati më 2027, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.
Më 9 qershor, Macron e shpërndau Parlamentin francez dhe shpalli zgjedhje të parakohshme, pas fitores së madhe të partisë së të djathtës ekstreme në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co