Opinion/ Përtej kumtit: Kombëtarja, heronj apo viktima?

opinion pertej kumtit kombetarja heronj apo viktima

































Nga BUJAR RAMAfery“Euro 2024” dhe Shqipëria në “plate” të diskutimeve, opinioneve, analizave… Gjithmonë pas… Pas përzgjedhjeve të listës me 26 futbollistë (gati e kryqëzuam Silvinjon në rrjetet sociale dhe jo vetëm, pse nuk mori Cikalleshin, Baren dhe Uzunin), harruam emocionet e një skuadre të brishtë si jona për nivele të tilla përfaqësimi në ndeshjen hapëse të kompeticionit ndaj kampionëve të Europës në fuqi dhe “vollëm” vrer ndaj atyre djemve që japin shpirtin për ngjyrat e Kombit! U bëmë aq fatalistë kundër Hysajt, që, pavarësisht ulje-ngritjeve të paraqitjeve të tij në Kombëtare, nuk e meriton të ç’shqiptarizohet në asilloj derexheje me komente shumë pak të aspektit sportiv, aspak njerëzore e ca më pak etike… Kur humbasim (rikujtoj: me Italinë, kampione e Europës në fuqi), kalojmë në analiza bajate (“bajate” – e zbutur gjer në eufemizëm), tipike “alla-shqiptarçe”, sidomos nga studiot televizive, ku epiqendër specialistë të kamerës dhe mikrofonit bëhen… vajzat e pasarelave (dikush, më saktë, shumëkush prej tyre, bëjnë “tifo” për Brazilin, Argjentinën apo… edhe Greqinë në këtë “Euro 2024”)… Nëse ndalemi në panelet e analistëve “seriozë”… Me 2 ndeshjet e para të Shqipërisë në Grupin B, a po e kujton më dikush mungesën e Cikalleshit, Bares dhe Uzunit? Me 2 ndeshjet e para të Shqipërisë në Grupin B, a po diskuton kush për mungesën e Etrit Berishës, Ismajlit apo Kumbullës? Për “partizanët” e De Biazit, a e kujton ndokush që pjesëmarrjen në “Euro 2016” e fituam jo si meritë në fushë, por si strapacim gjykatash dhe “Rroftë droni!”? Nëse fitorja kundër Rumanisë më 2016-tën (përtej pikëve), vlerësohet më e rëndësishme se barazimi 2-2 me Kroacinë (në dy botërorët e fundit: nënkampione dhe e treta në botë), atëherë le t’ua lëmë panelin e analizës vajzave të parcelave (rritet dhe audienca televizive…) Sa për analistët dhe komentatorët seriozë (këtu kam parasysh ishlojtarët, por sidomos ish-trajnerët e Kombëtares), do të miklohesha nëse do të bënin njëfarë “protoanalize”, pra, përpara ndeshjes, me titullin, fjala vjen: “Silvinjo, ja si fitohet me Spanjën” – si sugjerim a këshillë përvoje për trajnerin Silvinjo dhe stafin e tij. Me modesti, kjo është një thirrje dashamirëse edhe për ish-trajnerin e Kombëtares sonë, Neptun Bajko, sepse, pa cenuar profesionalizmin e tij, po risjell pak a shumë thënien Fabio Kapelos: “… në analizat pas ndeshjes nuk mund të gaboj kurrë!”. Le ta presim Spanjën me optimizëm dhe mbështetje maksimale për kuqezinjtë tanë, pa skeptikët, nihilistët dhe sharësit “e lindur”, sepse “djemtë tanë”, Shqipëria e trajnerit Silvinjo, e ka fituar Europianin e saj, sido që të shkojë rrjedha e mëtejshme e këtij kompeticioni. Dëshmia më e mirë e kësaj që shkruaj janë tifozët tanë që pushtojnë stadiumet gjermane dhe brohorasin çdo sekondë të 90-të minutave në ndeshjet e Shqipërisë, si në avantazh, ashtu dhe në disavantazh të skuadrës sonë, leksioni që duhet “mësuar” përmendsh nga të gjithë! Foltoret? Po nuk ka se si të mos ketë edhe “gjeneralë të brezave të humbur”… Le t’i bëjnë! Djema kuqezinj, bëni maksimumin tuaj kundër Spanjës, pa, gjithsesi, ne, brenda minutës, ju shndërrojmë nga heronj në viktima…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →