Shqipëria mbylli rrugëtimin e Euro 2024, pas vetëm 3 ndeshjesh. Gjithsesi, për t’u duartrokitur është prezenca e tifozëve kuqezi në stadium, numri i të cilit ka qenë mjaft i lartë. Ditën e sotme, tifogrupi “Tifozat Kuq e Zi”, kanë bërë një postim në rrjetet sociale, duke vendosur theksin te uniteti.
Postimi:
Përfaqësimi i dytë i Shqipërisë në Kampionatin Evropian të Futbollit “EURO 2024” i tregoi më së miri vlerat në rritje jo vetëm të lojës së Kombëtares sonë, por edhe të organizimit të tifozerisë shqiptare. Lumi kuqezi i tifozëve tanë me këngë e brohoritje, në përkrahje dhe mbështetje të Kombëtares sonë, u zhvendos nga Dortmundi kundër Italisë, në Hamburg kundër Kroacisë, për ta përfunduar rrugëtimin e vet në Dyseldorf kundër Spanjës. Ishim të shumtë në numër dhe pjesa më e madhe e tifozëve i kanë ndjekur të tria ndeshjet. Erdhëm nga të gjitha anët e globit, nga Amerika e Kanadaja e deri tek Australia e largët; kuptohet se shumica dërrmuese vinte nga Trojet dhe mërgimtarët e shpërndarë në Evropë. Mikpritja e vëllezërve dhe motrave, që jetojnë në Gjermani, ka qenë vërtet e mrekullueshme.
Ajo çfarë kemi ëndërruar si Tifoza Kuq e Zi dhe për të cilën kemi punuar fort gjatë këtyre 21 vjetëve në përkrahje të Kuqezinjve tanë, si brenda në vend ashtu edhe jashtë, u arrit gjatë këtyre tre ndeshjeve:
1. Shqiptarët u bënë bashkë të veshur KUQ e ZI.
2. Himni Kombëtar u këndua prej të gjithëve.
3. Lojtarët dhe tifozët u bënë NJË.
Do t’i mbajmë mend gjatë emocionet e bukura që na i dhuruan djemtë tanë në fushën e lojës, por do të mbahet mend edhe më gjatë dashuria e pafundme që tifozeria shqiptare e ka për skuadrën e vet të zemrës. Jemi të sigurt se Kombëtarja jonë do të rritet vit pas viti, pasi si drejtimi i ri ashtu edhe lojtarët e rinj premtojnë shumë, dhe ne do të jemi aty krah tyre, si lojtari i 12-të, për t’iu dhënë zemër në fushën e lojës dhe për t’i shijuar arritjet e merituara. Shqiptaria ishte fitimtari i vërtetë i këtyre ndeshjeve, ku treguam edhe njëherë se vetëm bashkë jemi më të fortë!
Një falënderim i veçantë për organizimin e vendtakimeve dhe marshimeve të Tifozave Kuq e Zi në të tria këto qytete, ku luajti Kombëtarja jonë, iu shkon përfaqësuesve tanë të Gjermanisë, të cilët janë përkujdesur që gjithçka të ishte në nivelin më të mirë të mundshëm. Bashkëpunimi me organizatorët e UEFA-s dhe policinë vendore ka qenë i shkëlqyer. Madje, nuk kanë munguar as lavdërimet nga ana e tyre për organizimin dhe sjelljen tejet të mirë të tifozëve jashtë dhe brenda stadiumit.
Pavarësisht vështirësive të ndryshme për këto organizime, për arsye të motit dhe ndryshimeve nga ana e policisë, djemtë dhe vajzat e TKZ-së bënë të mundur që vendtakimet të shndërroheshin në Shqipëri Etnike, pasi pjesëmarrësit ishin të të gjitha trevave. Tifozat Kuq e Zi, me Sabitin në ballë, i kanë prirë marshimeve, ku anëtarëve tanë iu bashkëngjitën një numër tejet i madh i tifozëve shqiptarë në një frymë të lartë bashkimi kombëtar. Aty ishim të gjithë bashkë vetëm për një qëllim: lartësimin e ngjyrave kuq e zi!
Faleminderit nga zemra të gjithëve!
Tifozat Kuq e Zi
O sa mirë me qenë Shqiptar!
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co