Plani operacional policor do të shtrihet në të gjitha qarqet. Kontrollet në kuadër të tij kryhen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare e DPSSH-së, në bashkëpunim me seksionet për hetimin e këtyre krimeve në 12 drejtoritë vendore të Policisë, me objektiva mbrojtjen e konsumatorëve, mbrojtjen e mjedisit dhe garantimin e një sezoni turistik të sigurtë.
Deri tani, janë kryer kontrolle dhe verifikime në 18 subjekte në qarqet Tiranë, Berat, Durrës dhe Fier. Në dy subjekte në Berat dhe në dy subjekte në Tiranë, u konstatua se mbetjet shtazore ishin depozituar në gropa të hapura në kundërshtim me ligjin dhe nuk iu ishin dorëzuar subjekteve të licencuara për menaxhimin e tyre.
Nga kjo paligjshmëri është shkaktuar ndotje e mjedisit përreth. Në përfundim të veprimeve procedurale për këto raste, janë referuar materialet në prokuroritë përkatëse, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për administratorët e 4 subjekteve, për veprat penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”, si dhe për veterinerët e këtyre subjekteve dhe për punonjës të AKU-së që kontrollojnë këto subjekte mbi dyshime për shpërdorim të detyrave. Kontrollet dhe verifikimet vijojnë.
Gjithashtu, vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale të gjithë shtetasit që kryejnë këto paligjshmëri në subjektet e tyre, si dhe për punonjësit e institucioneve të ngarkuara me ligj për të kryer kontrolle në këto subjekte.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co