Raporti i kredive me probleme në fund të vitit të kaluar zbriti në nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit.
Sipas informacioneve nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme në dhjetor ra në 4.7%, nga 5.1% që ishte në nëntor dhe 5% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Ky tregues ka prekur nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2008.
Ecuria e kredive me probleme gjatë vitit të kaluar ishte ndjeshëm më e mirë se pritshmëritë. Në fillim të vitit projeksionet e Bankës së Shqipërisë dhe të bankave tregtare orientoheshin drejt një rritjeje të lehtë të raportit të kredive me probleme, për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe rritjes së normave të interesit. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Të dhënat e deritanishme tregojnë se ekonomia u rrit me ritme më të ngadalta gjatë vitit 2023 (3.1-3.2% deri në fund të 9-mujorit), por megjithatë kjo nuk solli një përkeqësim të portofolit të kredisë bankare. Ekspertët mendojnë se efekti i kufizuar i sektorit të turizmit mbi rritjen ekonomike mund të shpjegohet edhe me një shkallë mjaft të lartë të informalitetit. Përtej asaj që tregojnë statistikat zyrtare, sektori i turizmit vlerësohet të ketë pasur një efekt të rëndësishëm në kërkesën për mallra dhe shërbime dhe në shëndetin e sektorit privat të ekonomisë.
Një ndikim të rëndësishëm në rënien e raportit të kredive me probleme besohet se dha rritja e vogël e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, por edhe forcimi i Lekut në kursin e këmbimit.
Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë të interesit vetëm dy herë në 2023 dhe niveli prej 3.25% është ndër më të ulëtit në Europë, larg prej normave të aplikuara nga bankat qendrore në Europë dhe në rajon. Kjo bëri që yield-et dhe normat e interesit të kredive të qëndronin në nivele të ulëta, madje duke e korrigjuar në një masë të madhe rritjen e fortë të fundit të vitit 2022.
Normat e ulëta të interesit ndikuan gjithashtu edhe një ecuri më të mirë se parashikimet të kreditimit. Portofoli i kredisë në fund të vitit të kaluar shënoi një rritje vjetore me 4.2%, pavarësisht efektit statistikor negativ të kursit të këmbimit. Zmadhimi i portofolit të kredisë ndihmoi gjithashtu në uljen e peshës specifike të portofolit të kredive me probleme.
Gjithashtu, kursi i këmbimit luajti një rol të rëndësishëm në ruajtjen e aftësisë paguese të huamarrësve në valutë, por me të ardhura në Lekë. Në fund të vitit 2023 kursi i këmbimit Euro-Lek ishte në rënie vjetore me 9.1%, por në periudha të veçanta të vitit rënia vjetore e kursit arriti deri në 14%./Monitor
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co