Ndalimi dhe gjobitja e kompanive apo personave që kanë importuar nga Greqia gjedhë që rezultojnë me sëmundje infektive, si bruceloza, ka prekur interesat e personave që kanë lidhje me pushtetin, duke sjellë përplasje dhe shkarkime në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Elbasan. Emisioni Vetting në Neës24 ka zbuluar se burimi i përplasjeve midis kreut aktual të AKVMB-së, Rolandi Meçaj dhe ish Drejtorit të komanduar, Fatmir Ozuni, e ka zanafillën nga urdhri i nxjerrë nga ky i fundit.
Më 7 maj 2024, me anë të shkresës me numër protokolli 287, Ozuni ka urdhëruar subjektet që merren me mbarështimin dhe importin e kafshëve të gjalla, Anesti Jaupllari, AFA shpk në pronësi të Petro Shukullit, Aleksandëri Limka, Florenc Hoxha, Tona shpk, Tola S, Luka Luis, Gjonçi Farm dhe Muharrem Hoxha që të krijojnë kapacitetet e stallave për karantinimin e kafshëve, të mos përdorin stalla që nuk janë të licencuara dhe të mos importojnë bagëti përtej kapaciteteve që ato zotërojnë, në të kundërt do të merren masa administrative.
[embedded content]
Është kjo listë, ku gjenden personat me lidhje me pushtetin, persona që kanë thyer karantinën, të cilët kanë importuar kafshë të infektuara me brucelozë nga Greqia nën dyshimin me anë të certifikatave fallco greke, e cila ka sjellë përplasjen e ish Drejtorit Ozuni me Drejtorin e Përgjithshëm Meçaj.
Mbas dy urdhrave verbalë nga Drejtori i Përgjithshëm i AKVMB-së, Rolandi Meçaj për të shkarkuar veterinerin Baki Myrtollari, ish drejtuesi i komanduar, Ozuni nuk ka pranuar të shkarkojë Myrtollarin që ka goditur kontrabandistët, por e ka transferuar në një njësi tjetër. Në 10 qershor 2024, Meçaj ka urdhëruar lirimin nga detyra të Ozunit, i cili aktualisht është përgjegjës sektori për shërbimin veterinar në Elbasan.
Ish Drejtorit Ozuni ka tentuar të fillojë ndërtimin e objekteve për karantinim, të cilat sigurojnë shëndetin e bagëtive vendase, duke u bërë pararojë e shëndetit të njeriut.
Nga kërkimet e “Vetting”, në bazë të Ligjit për Shërbimin Veterinar nr. 10465 datë 29.09.2011, i ndryshuar, duhet të ekzistojë një qendër karantinore shtetërore, por që aktualisht nuk ekziston.
Edhe pse Ozuni e ka shpëtuar momentalisht nga shkarkimi, për “Vetting” veterineri Myrtollari deklaron se në 20 qershor 2024, ditën që është thërritur në Tiranë nga Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar, Ervin Resuli, për të dhënë dëshmi për ngjarjet në Korçë, pohon se në Korçë është mbajtur procesverbal, nën pretekstin se ai është larguar nga puna, për t’i bërë presion. Madje, persona të lidhur me pushtetin kanë kërcënuar veterinerin Myrtollari për shkak të bllokimit të kafshëve të importit të pamatrikulluara.
“ Në një nga shumë rastet e evidentuara, në maj 2024 zbulova një kamion me qingja dhe rrënza në mes të qytetit të Bilishtit, të paçertifikuara, pa matrikull dhe pronari i këtij kamioni pranon se i ka Spartak Meraku. Dhe ky, pas dy orëve më kërcënon në mes të qytetit dhe fiks pas dy orësh mua më ka ardhur kërkesa për shkarkim.”, rrëfeu për “Vetting” veterineri Myrtollari.
Rasti i fundit, i cili është marrë nga prokuroria e Korçës lidhet me importin e 78 krerëve gjedhë të sjella nga Greqia nëpërmjet Maksi Malos, të cilat janë evidentuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me zyrën e veterinarisë publike.
Më 11 maj 2024, filimisht Maksi Malo është ndaluar dhe është gjobitur në zonën e Kabashit-Kolonjë, nga inspektorët e AKVMB-së për Qarkun e Korçës pasi ishin të pamatrikulluara dhe janë zbuluar në zonën e gjelbër në Gramoz.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co