Absurdi/ Shqipëria po kap Europën për nivelin e çmimeve, por jo të jetesës

absurdi shqiperia po kap europen per nivelin e cmimeve por jo te jeteses

Shqipëria ka mbetur në vendnumëro për të arritur Europën për nivelin e të ardhurave, por është duke bërë hapa të shpejtë për ta kapur atë në nivelin e çmimeve. Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2023, çmimet e ushqimeve në Shqipëri ishin sa 89.8% e mesatares së BE-së, nga 83.7% që ishte ky tregues më 2022.

Nga viti 2014 në vitin 2023, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri i është afruar mesatares së BE me 23 pikë për qind, pasi në vitin 2014 çmimet e ushqimeve në vendin tonë ishin sa 66.8% e mesatares së BE-së.

Nga ana tjetër, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në vendin tonë ishte në vitin 2022 sa 34% e mesatares se BE, duke u përmirësuar shumë pak që nga viti 2014, kur PBB për frymë ishte sa 30% e mesatares së BE-së.

Kur vjen puna te niveli i lartë i çmimeve të ushqimeve, Shqipëria lë pas 7 vende europiane, por për të ardhurat për frymë renditemi të fundit në Europë.  Vendit ia ka kaluar dhe Bosnjë-Hercegovina, që sipas të dhënave të mëparshme ishte në të njëjtin nivel me Shqipërinë.

Të ardhurat e Bosnjës ishin sa 35% e mesatares europiane, të Maqedonisë së Veriut sa 42% e BE-së. Serbia e kishte këtë tregues 44%, ndërsa nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 50%. Të dhënat për Kosovën nuk janë të disponueshme.

Bosnja kishte çmimet e ushqimeve sa 83.9% të mesatares së BE-së, Bullgaria i kishte 86.5%, Mali i Zi 85.5%, Polonia 75.8%, Rumania 72.7%, Maqedonia e Veriut 67.9% dhe Turqia 63% e mesatares se BE-së.

Në grupin e ushqimeve, Shqipëria ka nivele më të larta se në BE për produktet e bulmetit. Eurostat e renditi Shqipërinë ne vendin e tetë në Europë për nivelin e lartë të çmimeve të qumështit dhe nënprodukteve të tij në mesin e 38 vendeve. Çmimet e bulmetit në Shqipëri ishin 20.7% më të larta se në BE me 2023.

Zgjerimi i kanaleve të eksportit, rritja e numrit të turistëve dhe nga ana tjetër, kapacitetet e kufizuara për të zgjeruar prodhimin, të kombinuara me dëmet që po krijojnë ndryshimet klimatike kanë krijuar kushtet për normalitet të ri të çmimeve në produktet bujqësore dhe blegtorale.

Ekspertët analizojnë se rritja e çmimeve po vjen nga një mori faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, që të kombinuar së bashku po e bëjnë këtë dukuri të qëndrueshme dhe të pakthyeshme./B.Hoxha

absurdi shqiperia po kap europen per nivelin e cmimeve por jo te jeteses
  • foto galeri

/Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →