Sali Berisha po sillet si faraon, u shpreh Lulzim Basha, duke shtuar se ai po kyç ushtrinë në piramidë.
Basha me cilësinë e kreut të demokratëve euroatlantikë shprehet se pas vendimit të 11 qershorit, hipokrizia është tipari dallues tek grupi i Berishës, pasi thonë gjëra që as vet nuk i besojnë dhe se entuziazmi nuk ekziston.
“Kemi një Parti Demokratike që është bërë me letra në 11 qershor, por që vazhdon të mbetet e zhveshur nga çdo sens misioni, përveç misionit që ka ndaj liderit të vet historik i cili për fat të keq, meqë jemi akoma tek Kadareja, tek vazhdimësia, tek jehona e veprës së tij, po demostron një vullnet prej Faraoni për ta kyçur ushtrinë në piramidë.
Dhe kjo sigurisht është e patolerueshme, është diçka që edhe diktatura ndonëse mund ta ketë ësndërruar, mund ta ketë dëshiruar nuk arriti dot ta bënte as me Partinë e Punës së Shqipërisë, e jo më ata që PD i ka bashkuar si një ëndërr për Shqipërinë si gjithë Europa, ta pranojnë të kthehet në një tempull idhujtarie të rreme. Kriza që kjo shkakton, dallohet qartë. Ata që ndjekin Faraonin në piramidë, tipar kryesor kanë depersonalizimin. Ata thonë gjëra që vet nuk i besojnë. Hipokrizia është tipari dallues dhe kjo natyrisht shoqëron edhe javët që kanë rrjedhur që prej 11 qershorit ku nuk ka as entuziazëm, as gëzim dhe asnjë moment të ri bashkimi apo ribashkimi energjish për misionin që duhet të ketë normalisht partia më e madhe në opozitë, që është të bëjë gjithçka për të larguar një qeverisje tashmë të vet të 12 dhe zullume rekord në këto 34 vite”, tha Basha në një intervistë për Euronews.
Basha më tej është shprehur se të cilët kemi një mision për të përmbushur nevojën e shqiptarëve për një alternativë politike.
“Nga ana tjetër jemi ne, sigurisht të deprivuar në mënyrë të paligjshme dhe për këtë do të bëjmë rekurs jo vetëm për paligjshmërinë që prek dhe cënon drejtpërdrejtë Partinë Demokratike të Shqipërisë, por edhe për paligjshmërinë si një sëmundje në vazhdim të një sistemi drejtësie që është futur në repartin e emergjencës, por akoma nuk ka dalë plotësisht e shëruar nga sëmundja 34 vjeçare e korrupsionit. Por veç nga kjo, ne kemi një sens misioni dhe është ky sens misioni që na ka bërë bashkë në kohë shumë të vështira.
Që na ka bërë të dallojmë simpatinë personale, apo qoftë dhe bindjen personale nga kotësia e idhujtarisë dhe nga nevoja për t’iu dhënë shqiptarëve një alternativë politike. Sepse ne nuk kemi një klub tifozësh. Ne mëtojmë të jemi alternativa ndaj një qeverie që Shqipërinë e ka shpopulluar”, tha Basha.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co