Presidenti Duka për “Sport Italia”: Luajtëm mirë në Europian, vendimi për Sylvinhon do vijë shpejt

presidenti duka per sport italia luajtem mire ne europian vendimi per sylvinhon do vije shpejt
presidenti duka per sport italia luajtem mire ne europian vendimi per sylvinhon do vije shpejt

Shqipëria mbylli aventurën e Euro 2024 pas 3 ndeshjeve të grupeve, ndërsa tashmë zyrtarisht kuqezinjtë janë pa trajner, pasi Sylvinhos i ka përfunduar kontrata. Armand Duka, numri një i Federatës Shqiptare të Futbollit ka dhënë një intervistë për “Sport Italia”, ku ka folur për rrugëtimin e përfaqësueses dhe për rinovimit e mundshëm te teknikut Sylvinho.

Sa i kënaqur jeni me paraqitjen e Shqipërisë në Euro 2024?

Kombëtarja Shqiptare ka treguar disa paraqitje mjaft të mira në këtë Europian, për të cilat duhet të jemi krenarë, duke pasur parasysh që ishim në atë që quhej edhe grupi i ferrit. Dua të falënderoj të gjithë djemtë, si ata që kontribuan vetëm në eliminatore, ashtu edhe ata që luajtën në Europian. Jam i pakënaqur vetëm me rezultatet, pasi çdo gjë tjetër ishte mjaft pozitive.

Në një moment ëndërruat edhe kualifikimin në fazën e 1/8-ave…

Kundër Italisë, Spanjës e Kroacisë kemi krijuar raste të shuma për të shënuar dhe për të ndryshuar rezultatet. Kemi qenë deri në momentet e fundit në garë për të kaluar grupin dhe mund t’ia kishim dalë me pak më shumë zgjuarsi e kujdes. Megjithatë është një kompeticion i nivelit shumë të lartë, ku eksperienca është vendimtare dhe ne nuk është se kishim shumë.

Tifozeria shqiptare tërhoqi sërish vëmendjen në Gjermani…

Kanë qenë fantastikë duke mbështetur vazhdimisht skuadrën dhe duke u sjellë si asnjë tifozeri tjetër në Gjermani. Kanë krijuar atmosferë të jashtëzakonshme si në stadium, ashtu edhe në qytetet ku luheshin ndeshjet.

A do të rinovojë Sylvinho?

Kontrata e tij ka përfunduar pas eliminimit nga Europiani, por ne i kemi ofruar rinovimin që në muajin janar dhe propozimi qëndron ende. Besoj se do të finalizojmë shpejt marrëveshjen, pasi edhe ne duam të vazhdojmë bashkëpunimin. Aktualisht Sylvinho është me pushime dhe javën e ardhshme do të takohemi sërish për të diskutuar për vijimin e punës së nisur së bashku.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →