Vajza e shkrimtarit Dritëro Agolli, Elona Agolli, ka kujtuar përmes një postimi shkrimtarin e madh Ismail Kadare, disa orë pas zhvillimit të homazheve në nder të tij.
Elona Agolli shprehet se nga sot, Kadare do të prehet në banesën e fundit me kurmin në tokë dhe shpirtin pranë qiellit.
“Ndoshta do të kishin dashur të prisnin ndryshe të fundmen ditë …njëlloj ashtu siç i madhi Niko Kazanxaqis admironte vdekjen në këmbë, të njëjtë me ushtarët e Pompeut . Apo si ai që përfshihej nga llava e vdiste në këmbë si statujë.
Edhe atë ditë që babi nuk më lëshonte duart nga flokët duke i tërhequr si litarë, atë ditë në spitalin me muret gri dhe frymën e kobshme të vdekjes, ai këtë gjë donte të më thonte. Jam e bindur që edhe ai, miku i hershëm dhe i gjithjetshëm i babait tim, ashtu do ta dëshironte.
E sido që të jetë, Ismail Kadare që sot do të prehet në banesën e fundme , me kurmin në tokë , por shpirtin afër qiellit , ashtu siç përherë të mëdhenjtë shkrimtarë e kanë , në jetën tokësore por edhe në atë në amshim , brez pas brezi e shekull pas shekulli , do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët , më i ndriçuar ndër të ndriçuarit .
Lamtumirë i adhuruari shkrimtar ! Lamtumirë , për mua , xhaxhi Ismail!”, shkruan Elona Agolli.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co