Kampionati Europian i futbollit që po zhvillohet në Gjermani ka hyrë në fazën vendimtare. Lojtarët e rëndësishëm si Mbape, Kristiano Ronaldo, Herri Kejn, Grizman nuk e kanë thënë plotësisht fjalën e tyre. Sepse ata janë hijezuar nga yjet e rinj që kenë shpërthyer në “Euro 2024”.
Por flasim për lojtarë që janë të gjithë nën 21 vjeç. Madje ka dhe adoleshentë siç është rasti i Lamine Jamal. Janë pesë “fëmijë” që kanë marrë përdore ekipet e tyre deri më tani. Niko Uilliams e Lamine Jamal te Spanja, Xhamal Musiala te Gjermania, Xhud Bellingam te Anglia e Arda Gyler te Turqia janë kthyer në figura emblematike në ekipet e tyre bërë të harrohen ata me të cilët jemi mësuar tashmë. Një gjeneratë e re që premton shumë për të ardhmen. Aq sa që tani mediat ndërkombëtare e kanë cilësuar “Euro 2024”-ën si Europiani i fëmijëve.
MUSIALA, KËRCËNIMI GJERMAN – Ylli i Bajernit të Mynihut i është përgjigjur besimit të plotë të trajnerit Nagelsman, duke marrë drejtimin e “Mannschaft”- it. Trajneri gjerman i ka dhënë çelësat e kombëtares, e cila vitet e fundit kishte qenë protagoniste e disa dështimeve, për të filluar të rifitonte pulsin e turneut të madh kombëtar. Dhe ai nuk ka zhgënjyer, duke qenë së bashku me Kodi Gakpo (Holandë), Mikautadze (Gjeorgji) dhe Shranz (Sllovaki), golashënuesit më të mirë me nga 3 gola. “Bambi” siç e thërrasin shokët e ekipit po tregon një maturi për t’u pasur zili.
BELLINGAM E GYLER – Ndërsa Jamal, Musiala dhe Niko Uilliams kanë përfituar nga vitrina e Europianit për të konfirmuar veten si futbollistë në hapin e parë të elitës, për Xhud Bellingam turneu është vetëm një konfirmim se personazhi fitues që ka treguar gjatë vitit të tij të parë në Madrid nuk ka qenë çështje e një sezoni të thjeshtë. Ishte ai që shpëtoi Anglinë kundër Sllovakisë me një gol 30 sekonda nga eliminimi! Por jo vetëm kaq, sepse ai është lider. I fundit që i është bashkuar listës së ngushtë të “fëmijëve” të mrekullueshëm është Arda Gyler, magjistari 19- vjeçar i një Turqie që ka arritur në çerekfinale pasi mposhti Austrinë.
KRAHËT E SPANJËS – I kemi lënë për në fund jo sepse janë më pak të rëndësishëm. Por për krahët fluturues të Spanjës po flitet çdo ditë. Karakter, grintë, lidership, trimëri, tmerri i Europës!
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co