Për ata që u fshihen të vërtetave të jetës

per ata qe u fshihen te vertetave te jetes



































NGA GËZIM TUSHI gezim tushi

Sintagma pothuaj me për masa sociale dhe njëkohësisht neverirëse e pëhapur në “eterin social” se “në këtë vend nuk jetohet” apo akoma më keq, justifikimi i epidemisë patologjike të vazhdimit të rrjedhjes së popullsisë dhe largimeve të qytetarëve, në emër të një lloj bindjeje të sipërfaqshme me theks evident ekzibicional, që krijon përshtypjen shumë herë pa shkak e të pajustifikuar të mendimit të gabuar se “duhet ikur nga ky vend”, është kthyer në një nga pengesat e mëdha sinkretike e sintetike, që tashmë po kthehet në “pengesë strategjike” që pengon ecjen normale të individit, ritmet e zhvillimit, progresit social dhe ekonomik të shoqërisë.

Mbi të gjitha, kjo sintagmë qarkulluese është përgjegjëse dhe shkaku që synon të mbjellë e kultivojë psikologjikisht dhe padrejtësisht në përmasa alogjike, shumë “sëmundje sociale” endemike. Qëndrime aspak realiste, me natyrë të pastër regresive që janë bërë psikovampirë që paralizojnë dhe thithin energjitë pozitive të vendit, kapacitetet e shoqërisë dhe aftësitë e individit për progres personal. Padyshim, urbanizimi i përshpejtuar i jetës në Shqipëri, transformimet radikale që kanë pësuar marrëdhëniet sociale në shoqëri, në mënyrë të natyrshme ka krijuar njerëz të orientuar sakytë e të sukseshëm në jetën e tyre. Por në të njëjtën kohë po shtohen individët, madje deri në shtresa sociale që herë për arsye objective të situatave që kalon vendi dhe shumë herë për shkak të petrceptimeve subjektiviste, akoma i kanë vendosur vetes “perden sociale”, si instrument okult që i pengon, për të kuptuar të vërtetat e jetës reale dhe jo asaj imagjinare.

E gjithë kjo, për shkak të iluzioneve paralizuese, koncepteve demoralizuese që ata kanë krijuar në kokën e tyre artificialisht, që në përmbajtje dhe formë janë kthyer paradigma frenuese, në psikovampirë të vërtetë. Kohët e fundit në shoqëri ka një klimë sociale toksike, e bombarduar me slogane paralizuese, e inonduar me formula vanitoze dhe pritmëri të kota. Kjo sipas mendimit tim, është një nga shkaqet e shumë problemeve që kemi. Të cilat kohët e fundit i gjejmë të sintetizuara edhe në rezultatet e “Censusit 2023”, (për këtë temë dhe korrelacion social, do flasim një herë tjetër). Këto koncepte, perceptime e sjellje sociale, shfaqen me agresivitet të lartë duke qënë në thelbin e tyre qëndrime negativiste, demotivuese e paralizuese, janë bërë shumë serioze në shoqërinë tonë, e cila po përballet përveçse me vështirësitë e rritjes, ecjes dhe shtimit të shpejtësisë së lëvizjes, edhe këtë handicap social që ndikohet nga perceptime e pritmëri sociale të deformuara, jo realiste e paralizuese.

Të cilat nuk kanë vetëm efekt masiv psikologjik në klimën e përgjithshme të shoqërisë, por edhe efekte “materiale” serioze, sikurse janë një varg problemesh social demografike që po sjellin plakjen e popullsisë, rënien e lindshmërisë, prishjen e balancave numerike midis brezave, vazhdimin e pandërprerë të emigracionit, zgjerimin e migracionit të brendshëm kaotik, që po “rrafshon” fshatra të tëra dhe po zvogëlon në mënyrë dramatike qytetet periferike, duke sjellë “dyndjen” e popullsisë në disa qytete metropolitane, “këmisha urbane” e të cilëve është ngushtuar seriozisht dhe ka rrezik të “shqyhet”.

Në këto kushte, nuk duket krejt alogjike shqetësimi që kanë njerëzit për të sotmen dhe të ardhmen e tyre dhe mundësitë që ajo të garantohet nga zhvillimet normale në këtë vend. Padyshim, vështirësitë ekonomike dhe anomalitë e gjëra sociale të jetës urbane, problemet e punësimit dhe papunësisë, nivelit jo të kënaqshëm të shërbimeve sociale, kulturore e arsimore, niveli i mirëqenies, korrupsionit, kriminalitetit, nepotizmit dhe shumë patologji të tjera, e kanë “trashur” shtresën e njerëzve skeptikë, të padurueshëm apo të kapitulluar, përballë vështirëve qoftë të vërteta e me natyrë objektive apo të perceptuara subjektivisht në trajtë të deformuar. Në rrugët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë ndeshim çdo ditë njerëz, që janë produkt i “qytetërimit tonë kompleks”, që kanë vanitetin, kotësinë, boshllëkun si sjellje publike. Ata nuk janë një apo dy, madje as disa. Vanitozët, janë kategori sociale, madje janë duke u formatuar si “grup social”. Nga pikëpamja sasiore dhe “cilësore”, ky grup social në rritje. Nga mënyra e jetesës, sjelljes dhe komportimit social, ata dëshmojnë se, vullnetarisht qëndrojnë në periferi të “mekanizmit të dobishëm social”.

Mungesa e funksionimit të shëndoshë, e angazhimit, për të përballuar obligimet individuale, familjare, komunitare dhe sociale, qëndrimi indiferent, në pritmëni, pa aktivitet prej tyre motivohet si e drejtë e njeriut që të zgjedhë mënyrën e jetesës dhe realizimit të “objektivave individuale” dhe modalitetet e sjelljes sociale. Ata janë njerëz pa mision dhe funksion social. Shpërdorimi i të drejtës, për të qenë i lirë, i ekzistencës e mundësive, zgjidhjeve dhe alternativave të shumta, mos angazhimi pozitiv në shfrytëzimin e kushteve sociale, për t’u ingranuar në çdo kohë dhe moshë, në veprimtari të qëllimshme sociale, pavarësisht nga “koha personale”, që njeriu përdor për të “ndezur motorët” individualë të integrimit social kanë sjellë krijimin e njerëzve që shprehen se “duhet ikur nga ky vend”. Ata janë njerëz që qarkullojnë në jetë pa objektiva, as personalë, pa le më pastaj të pretendosh, për detyrimet si qenie sociale. Është e vërtetë, shoqëria jonë po përballet me paradokse të hidhur, që janë qesharakë në dukje, por edhe shumë problematikë në thelbin e tyre, që po kthehen në “paradigma penguese të qytetërimit tonë”, sidomos, të së ardhmes së tij.

Janë në zgjerim disa grupe që kanë ngjashmëri psikosociale vanitoze, që “jetojnë si njerëz në seri”, që kanë sjellje të ngjashme sociale, defekte të përbashkëta. Në rrugë, lokale, ambiente publike ndeshesh me njerëz që “rrotullohen” gjithë ditën si “somnambul”, me ide fantazmagorike të flashkuara, utopike e imagjinare, që qarkullojnë në jetën e tyre me një minimum energjish, të cilat janë të pamjaftueshme, për t’i vënë në lëvizje veten. Sëmundja e “vanitetit social”, e sjelljes kuturu, pa objektiva precize, mendoj se është një nga “plagët” më të mëdha. Vaniteti, kotësia, vërdallosja, mungesa e aftësive të integrimit pragmatist është sipas mendimit tim, një nga dukuritë sociale më masive, si shfaqje, si shtrirje dhe intensitet, që ka kapur një pjesë të shoqërisë. Ato shfaqen në përmasat e sëmundjeve sociale, që nuk janë të lidhura vetëm me moshën, përkatësinë e pozicionit gjeografik, në të cilin jeton njeriu, apo veçori të tjera.

Vaniteti, filozofimet boshe të njerëzve janë shkaku kryesor, që një grup në zgjerim i njerëzve, në mosha të ndryshme, janë në pozicione inproduktive, në role sociale pa vlerë, “në bisht” të shoqërisë. Të tillë janë sot, jo njerëz të veçantë, por sipas mendimit tim, shtresa më të gjëra, pjesë të grupeve sociale që janë të rinj, që nuk studiojnë dhe nuk punojnë, njerëz që kanë gjetur rrugë kriminale, për të plotësuar dëshirat e tyre materiale, përdorues të drogave, alkoolit (të cilët janë duke u shtuar shumë dhe sipas mendimit tim, janë në fazën e kalimit nga “grup social” në “shtresë shoqërore”. Kjo ka infektuar një pjesë të të papunëve, njerëzit e pashpresë.

Nuk është çështje e lehtë, nuk duhet marrë me shaka. Vanitozët, njerëzit që enden rrugëve, pa objektiva dhe synime, të varfër dhe të paorientuar, sot mund të duken si masa kaotike, që enden në qendër të Tiranës dhe në periferi të saj, në lokalet luksoze të Bllokut, apo rrotull lokaleve periferike, në të cilat organizohen orgji të vërteta alkooli dhe seksi. Kështu mund të duken si “masa njerëzish në seri”, por që në mos sot, nesër do të jenë një “mjet presioni” social, mbi shoqërinë, për të gjetur edhe ata “hisen e tyre”, në këtë shoqëri. Pavarësisht se shumica e fajit dhe e përgjegjësisë është e lidhur me mënyrën vanitoze, të paorientuar të jetës së tyre personale, diçka duhet bërë edhe për këtë shtresë për të dalë nga gropa e pesimizmit dhe e kotësive, sepse edhe ata janë pjesë e shoqërisë, pavarësisht se kanë bërë zgjedhjen e tyre më të keqe, në sistemin e ngatërruar të “mekanizmit social”. Padyshim, ata kanë nevojë të ndryshojnë mentalitetin e pastaj sjelljen sociale.

SI MUND T’I NDIHMOJMË?

Në fakt, është e udhës që të ndikojmë në perceptimin realist të situatave, vështirësive që kalojmë dhe t’i mësojmë dhe edukojmë njerëzit tanë jo me frymën e pesimizmit dhe vështrimit të realitetit me “optika dështuese”. Koha që jetojmë dhe situatat social ekonomike që përjetojmë nuk janë të lehta. Kalimi i akseleruar, shpesh herë pa patur bazamentet material, ekuilibrat e duhura psikologjike dhe emocionale që janë në natyrën postmoderne të shoqërisë “materialiste” dhe “postmaterialiste” që jetojmë, kanë sjellë shumë turbulenca e paqartësi konceptuale për të perceptuar drejt të vërtetat tona. Kjo natyrisht bëhet duke qenë “esëll” dhe jo të “droguar”, nga perceptimet subjektiviste e të deformuara të realitetit apo dëshirat jo realiste të njerëzve, që janë të prirur për të parë “anën e errët” të jetës, duke nihiluar gjithçka bëhet, arrihet e progresohet.

Padyshim jetojmë kohë të vështira të posttranzicionit dhe kërkesave ultimative e transformuese të adoptimit me koncepte të reja jetësore, për shkak të ndikimit imponues e “imperialist” të jetës postmoderne, e cila për hir të së vërtetës sikurse po duket, nuk është etapë e lehtë. Sidomos për ata që qëndrojnë pasivë, në pozita integralisht mohuese, kriticiste e subjektiviste, që nuk duan të përfshihen në vorbullat e jetës së vërtetë, që me përtaci mendore e fizike ëndërrojnë për një jetë me “sy hapur”. Ata janë njerëz që gabimisht presin ditë e “kohë të qeta” sociale kur të “pushojë stuhia”, në mënyrë që të jenë “gati” për momentin utopik, kur do mund të krijohen kushtet që do përshtaten me prirjet e tyre, rrethanat sociale për të gjetur hapësirën dhe kohën që ata mendojnë se do jetë më e lehtë, më e përshtatshme që ata të mund të orientohen.

Unë mendoj se kjo shtresë sociale heterogjene nga përbërja moshore e kulturore, është e diversifikuar si strukturë sociale. Por problemi është se ata jo vetëm nuk janë numerikisht pak, por mbi të gjitha efektet “toksike” të sjelljeve individuale paralizuese, janë me ndikime përkeqësuese për ata personalisht në radhë të parë, por edhe për trashjen e “llumit” të vanitetit social, sikurse janë shfaqjet evidente të përtacisë individuale, sjelljeve destruktive në familje, shtimi veseve sociale, përdorimi në zgjerim i drogës, alkoolit, shtimi dhunës, vjedhjeve, përkeqësimit të tregut të punës, nevojave për fuqi punëtore, nxitjen e pamotivuar të emigracionit e plot “nën pasoja” të tjera, që janë derivate të këtyre qëndrimeve e sjelljeve.

Këtyre njerëzve u duhet kultivuar një bindje tjetër. Së pari, është e domosdoshme që në nivele sa më të gjera, ndoshta me të gjitha shtresat sociale të shoqërisë duhet punuar, për të krijuar mentalitet koherent, kompatibël me kohën, jetën e sotme dhe të vërtetat e pandryshuara të saj, duke i larguar nga drejtimi gabuar, i pamundur që presin më kot apo shpresojnë ata. Sepse është ideologjikisht, materialisht dhe psikologjikisht e sigurt, se nuk besoj se do të vijë ndonjë “kohë tjetër” apo moment historik, që të jetë shoqërisht komod dhe i sigurt, materialisht i qetë, si parakusht që të kënaqë ata që në mënyrë naive kanë “lidhur duart” dhe presin kohën kur mund të ndalet “stuhia e postmodernitetit”.

Ato përkundrazi do forcohen dhe nuk do lënë hapësirë për njeriun që kërkon t’i “fshihet” të vërtetave të jetës apo që mendon se një ditë të pushojë stuhia e ndërlikimeve të jetës postmoderne. Është moment që gjërat t’i themi hapur, në mënyrë që të mos krijohen iluzione sociale paralizuese apo të qarkullojmë ide si “aspirina” për dembelët me energji të paralizuara, nga që nuk kuptojnë as atë që po jetojmë dhe sidomos atë që “po vjen nesër”. Stuhitë e kësaj tipologjie jete që po përjetojmë sot, më shumë individuale, me përgjegjësi të personalizuara, me më pak përgjegjësi sociale, humanizëm e solidaritet, të jeni të sigurt që në të ardhmen do të “fryjnë më fort”, do të ecë me shpejtësi akoma më të mëdha. Për pasojë, është e pamundur të realizohen dëshirat e atyre që kërkojnë që ajo të ndalet. Është e pamundur.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →