Presidenti amerikan Joe Biden, me karrierën e tij politike prej pesë dekadash, këmbënguli në një intervistë televizive të premten se ai e ka edhe mprehtësinë mendore dhe qëndrueshmërinë fizike për të fituar zgjedhjet kundër ish presidentit Donald Trump, dhe për ta drejtuar vendin edhe për katër vite të tjera.
“Unë jam personi më i kualifikuar dhe di si t’i bëj gjërat”, i tha presidenti Biden gazetarit të ABC Neës, George Stephanopoulos në një intervistë 22 minutëshe. Më herët të premten ai siguroi mbështetësit e tij në Wisconsin se “do të qëndroj në garë”.
Disa ligjvënës demokratë në Uashington privatisht dhe gjithnjë e më shumë edhe publikisht, kanë shprehur shqetësimin se presidenti Biden, 81 vjeçar, nuk e ka më kapacitetin mendor dhe fizik për t’u përballur me ish presidentin Trump gjatë katër muajve deri në zgjedhjet e 5 nëntorit, e lëre më të qeverisë vendin përgjatë katër viteve të ardhshme.
“Nëse Zoti i Plotfuqishëm do të zbriste dhe do të thoshte, ‘Joe, dil nga gara’, unë do të dilja nga gara. Por Zoti i Plotfuqishëm nuk do të zbresë”, tha presidenti Biden gjatë intervistës.
Frika e demokratëve se koha e presidentit Biden në pushtet po i afrohet fundit është shtuar që kur ai u shfaq i hutuar gjatë debatit me ish presidentin Trump një javë më parë, herë pas here duke humbur rrjedhën e mendimit dhe duke dështuar të sulmojë zotin Trump ose të mbrojë punën e tij./VOA/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co