Hamasi, grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka dhënë pëlqimin fillestar për një propozim amerikan për një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës, pasi hoqi dorë nga njëra prej kërkesave kryesore, thanë një zyrtar egjiptian dhe një i Hamasit të shtunën.
Grupi radikal hoqi dorë nga kërkesa që Izraeli t’i japë fund plotësisht luftës.
Megjithatë, vendimi i Hamasit – i cili e kontrolloi Gazën para se ta nxiste luftën më 7 tetor duke e sulmuar Izraelin – mund të bëjë që të ketë pushim të luftimeve për herë të parë prej nëntorit të kaluar, si dhe ta hapë rrugën për bisedime të mëtutjeshme për t’i dhënë fund luftës tashmë nëntëmujore.
Por, të dyja palët paralajmëruan se nuk ka garanci ende për një marrëveshje të mundshme.
Dy zyrtarët, të cilët folën në kushte anonime, thanë se marrëveshja me faza, e përpiluar nga Uashingtoni, së pari përfshin një armëpushim “të plotë” gjashëjavor, gjatë të cilit do të liroheshin një numër pengjesh, përfshirë gra, të moshuar dhe të plagosur, në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.
Gjatë këtyre 42 ditëve, forcat izraelite do të tërhiqeshin nga pjesët më të populluara të Gazës dhe do ta lejonin kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre në veri të Gazës, thanë ata.
Ndërkohë, në këtë periudhë, Hamasi, Izraeli dhe ndërmjetësit do të bisedonin për kushtet e fazës së dytë, e cila do të mund të përfshinte lirimin e pengjeve të mbetura burra, civilë dhe ushtarë, thanë zyrtarët. Në këmbim, Izraeli do të lironte më shumë palestinezë të burgosur dhe arrestuar.
Faza e tretë do përfshinte kthimin e çdo pengu të mbetur, përfshirë trupat e pengjeve të vdekura, si dhe fillimin e projektit vjeçar për rindërtimin e Gazës.
Hamasi ende kërkon “garanci me shkrim” nga ndërmjetësit se Izraeli do t’i vazhdojë bisedimet për marrëveshje për armëpushim të përhershëm, pasi të ketë filluar faza e parë, thanë dy zyrtarët.
Përfaqësuesi i Hamasit i tha Associated Press se grupi radikal dha pëlqimin pasi mori “garanci dhe zotime verbale” nga ndërmjetësit se lufta nuk do të rifillojë dhe se bisedimet do të vazhdojnë derisa të arrihet marrëveshja për armëpushim të përhershëm.
“Ne tani i duam këto garanci edhe në letër”, tha ai.
Bisedimet për armëpushimin kanë ngecur kohë pas kohe për shkak të kërkesës së Hamasit që çdo marrëveshje të përfshijë përfundimin e luftës. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka ofruar ndërprerjen e përkohshme të luftimeve, por ka thënë se lufta nuk do të mbarojë derisa Izraeli ta shfarosë Hamasin dhe t’i kthejë të gjitha pengjet që po mbahen nga grupi militant.
Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.
Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 38.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./ REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co