Keir Starmer, kryeministri i sapozgjedhur i Mbretërisë së Bashkuar, i tha kryeministrit Benjamin Netanyahu në një telefonatë të mëngjesit të së dielës se ai pret të “thellojë më tej marrëdhëniet e ngushta midis dy vendeve”, sipas shtypit britanik.
Starmer, lideri i Partisë Laburiste, theksoi “nevojën e qartë dhe urgjente për një armëpushim” në Gaza, si dhe një kthim të pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe një rritje të ndihmave humanitare që arrijnë në Gaza.
Starmer, i cili udhëhoqi një spastrim të partisë të rrethuar nga antisemitizmi nën ish-liderin Jeremy Corbyn, nuk pritet të ndryshojë ndjeshëm qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Izraelit dhe luftës së saj me grupin Hamas në Gaza.
Pas muajsh ngërçi, ditët e fundit ka pasur lëvizje të konsiderueshme rreth një marrëveshjeje pengjesh. Hamasi dha miratimin fillestar për një propozim të mbështetur nga SHBA për një marrëveshje armëpushimi me faza dhe shkëmbim pengjesh në Gaza, duke hequr dorë nga kërkesa kryesore që Izraeli të japë një angazhim paraprak për një fund të plotë të luftës, sipas Hamasit dhe zyrtarëve egjiptianë.
Një takim katërpalësh midis shefit të Mossad, David Barnea, drejtorit të CIA-s, Uilliam Burns, kreut të inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel dhe kryeministrit të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani do të mbahet në Doha të mërkurën, tha një burim.
Zyra e Netanyahut nuk e komentoi thirrjen e së dielës. Duke folur me Netanyahun, kryeministri britanik tha se ishte e rëndësishme “të siguroheshin kushtet afatgjata për një zgjidhje me dy shtete, duke përfshirë sigurimin që Autoriteti Palestinez të kishte mjetet financiare për të vepruar në mënyrë efektive”.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co