VOA: NATO feston 75-vjetorin në një periudhë sfidash për aleancën perëndimore

voa nato feston 75 vjetorin ne nje periudhe sfidash per aleancen perendimore



































Ndërsa NATO-ja përgatitet për të filluar të martën takimin treditor të nivelit të lartë në Uashington, që përkon me 75 vjetorin e krijimit të kësaj organizate sigurie, aleanca po përforcon mbështetjen për Ukrainën që lufton ndaj agresionit të Rusisë.

Nato

Por me çfarë sfidash përballen udhëheqësit e NATO-s ndërsa mblidhen në kryeqytetin amerikan, ku janë shtuar edhe sfidat në kontekstin politik? Le të ndjekim materialin në vazhdim.

Këtë javë, presidenti Joe Biden dhe homologët e tij perëndimorë takohen në Uashington gjatë datave 9 – 11 korrik, për të shënuar 75 vjetorin e NATO-s.

“Ky nuk do të jetë një takim festiv i nivelit të lartë. Do të jetë një takim shumë serioz dhe kjo është për shkak të kontekstit serioz në të cilin ndodh. Mendoni për luftën në Ukrainë, ku rusët po bëjnë përparime të vogla edhe në këto momente. Mendoni për dhunën që mund të përshkallëzohet në Lindjen e Mesme. Mendoni për veprimtarinë e shtuar të Kinës në rajonin Indo-Paqësor. Kjo krijon një kontekst shumë serioz për diskutimet e aleatëve”, thotë Ian Brzezinski, ish-zëvendës ndihmës sekretar i Mbrojtjes për politikat për Evropën dhe NATO-n.

Vendet kryesore aleate, si Franca, Gjermania dhe Britania, po përballen gjithashtu me transformime politike, ndërsa fillon punimet takimi i nivelit të lartë. Këtyre u shtohen edhe sfidat me të cilat përballet presidenti amerikan Joe Biden, pas paraqitjes së dobët në debatin për zgjedhjet presidenciale me kandidatin republikan, ish-presidentin Donald Trump.

“Në përgjithësi ka shumë pasiguri për këtë takim të nivelit të lartë. Dhe nuk është vetëm Franca. E dini se organizatori i takimit, Joe Biden-i pati një natë të keqe gjatë debatit… Ai po përpiqet ta përdorë takimin e nivelit të lartë për të demonstruar aftësitë e jashtëzakonshme udhëheqëse që ka treguar që kur mori detyrën në vitin 2021”, thotë James Goldgeier, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Amerikan.

Shumë nga vendet anëtare të NATO-s janë të shqetësuara nga mundësia e rizgjedhjes së ish-presidentit Trump, për shkak të kritikave të tij të forta ndaj NATO-s dhe admirimit për presidentin rus Vladimir Putin.

Zoti Brzezinski beson se suksesi i ardhshëm i NATO-s do të bazohet më së shumti tek efektshmëria e mbështetjes së aleancës për Ukrainën.

“Takimi i nivelit të lartë do të udhëhiqet nga drejtues që kanë pikëpamje trans-atlantike. Pikëpyetja është a do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’u siguruar se besueshmëria e aleancës, kapacitetet e saj të mbrojtjes, do të jenë të forta edhe në 75 vitet e ardhshëm, ashtu siç kanë qenë në 75 vitet e fundit. Do të thoja se çështja thelbësore është se çfarë do të bëjë aleanca për ta mbështetur Ukrainën, për ta ndihmuar që të mposhtë sulmin e Rusisë, në mënyrë vendimtare, me shpejtësi dhe në një kuadër të përcaktuar nga Kievi”, thotë zoti Brzezinski.

Duke folur me gazetarët të dielën, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg foli për një seri masash që do të propozohen gjatë takimit të nivelit të lartë, si krijimin e një komande të re në Gjermani dhe qendrave logjistike në mbarë Evropën Lindore për të bashkërenduar ndihmat ndërkombëtare në fushën e sigurisë për Ukrainën.

Aleatët pritet gjithashtu të përtërijnë kontributin financiar prej 43 miliardë dollarësh në vit për Ukrainën dhe të krijojnë premisat për mbështetjen në të ardhmen. Gjatë takimit të nivelit të lartë, pritet të njoftohet edhe dërgimi i më shumë armëve dhe municioneve, në veçanti sisteme kundërajrore për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →