“Mungesa e radioterapisë po na vret të afërmit, ilaçet i blejmë vetë”- Dëshmitë rrëqethëse nga Onkologjiku: Prej muajsh vërdallisemi në spital

mungesa e radioterapise po na vret te afermit ilacet i blejme vete deshmite rreqethese nga onkologjiku prej muajsh verdallisemi ne spital



































Pavarësisht bujës që bëri në media mungesa e pajisjes së radioterapisë në Spitalin onkologjik, dhe premtimeve të kryeministrit dhe ministres së shëndetësisë, situata në këtë spital vijon të jetë e njëjta.

onkologjiku

Për shkak të mungesës së radioterapisë, familjarët e pacientëve shprehen se gjendja e tyre është rënduar, dhe vazhdon të rëndohet çdo ditë.

“Doktori pas operacionit, pas biopsisë më tha se duhet trajtuar me rreze”, shprehet një qytetar, babai i të cilit është një nga pacientët e Onkologjikut.

I pyetur nëse ka bërë rreze gjatë kësaj kohe, ai prerazi thotë “Jo, as që bëhet fjalë. Nuk është aparatura në punë, prej më shumë se 1 viti”.

Nëse do të kishte bërë radioterapi në kohë, babai i këtij qytetari do të ishte shëruar pasi sëmundja u zbulua në fazë fillestare. Por mungesa e trajtimit, e ka agravuar gjendjen e tij, dhe e ka detyruar ti nënshtrohet edhe disa operacioneve të tjera, pasi gjendja sa vjen e përkeqësohet.

“Gjendja është rënduar shumë, e ka pasur një gjë shumë të vogël, i është përsëritur. i është bërë masa shumë e madhe. Nëse do të ishin aplikuar rrezet do të kishte shumë sukses. Më kanë thënë që flitet që aparaturave e rrezeve do të vihet në funksion nga mesi i gushtit, ndërsa shëndeti i babait është shumë i rënduar”.  Qytetari shprehet është nga Malësia e Madhe dhe prej 3 muajsh ndodhet në spitalin Onkologjik. “Shpenzimet janë shumë të larta, veç të mbarojmë punë, po kush të mbaron punë këtu”, shprehet qytetari.

Të gjendur në këto kushte, e vetmja zgjidhje që sëmundja të mos avancojë, janë klinikat private.

“Kemi dy muaj gati që vërdallisemi nga Fieri këtu. Sot më thanë që nuk punon aparatura e rrezes. Nuk mund ta lemë që të agravohet sëmundja, do vemi te privati. Ne sot e kishim për të lënë takimin për rrezen, nuk punon aparatura, jemi të detyruar të shkojmë te privati, kemi aspo s’kemi, me jetën nuk bëhet shaka”, shprehet një tjetër qytetare.

Edhe me medikamentet, situata vazhdon të mbetet e njëjtë. Ilaçet e kimioterapisë mungojnë dhe askush nuk i ka lajmëruar pacientët se çfarë do të ndodhë me ta.

“Mungojnë medikamentet, u themi s’na kthejnë përgjigje. Sot kam radhën për kimio-terapi, por se di kush është. Doktoresha ime ishte Alketa Imeraj, nuk e di a është apo jo”, shprehet një tjetër qytetare.

Të tjerë, detyrohen t’i blejnë vetë në farmaci, edhe medikamentet më bazike.

“Ilaçet i bleva në farmaci. Më thanë shko bliji në farmaci, nuk i përballon dot shteti. Ilaçet mi bleu goca në farmaci, kushtuan 2 mijë lekë”, shprehet një tjetër qytetar.

Largimi nga detyra i mjekëve pas skandalit në onkologjik, pa i zëvendësuar me të tjerë, ka krijuar vonesa edhe në operacione.  Qytetarët që kishin sot ditën për të kryer operacionin, janë lajmëruar se operacioni do të shtyhet

“Kemi pasur amputamentin në orën 08:00, por na thanë nuk do të bëhet sot por nesër. Nuk na kanë dhënë asnjë shpjegim, ndërkohë që ajo ka dhimbje. Nuk e di pse nuk do bëhet”, shprehet një tjetër qytetar.

Te tjerë, kanë orë që presin pa asnjë shpjegim.

“Kemi ardhur nga ora 09:00, ndërsa tani ora ka kaluar 10:00. Thonë që ka radhë”, shprehet një tjetër qytetare.

E si të mos mjaftonin këto, kushtet në spital janë një tjetër problem

“Lagështirë e paparë te rrezet. Edhe të sëmurë kishte aty”, shprehet një qytetar.

Buxheti i shtetit paguan 130 milionë euro për koncesionin e laboratorëve, por sërish radhë për analiza nuk ka. Ky qytetar ka ardhur nga Kukësi, dhe mjeku i familjes e ka orientuar të shkojë në privat për të bërë analizat, pasi nuk i lejohet t’i japë rekomandim. Ndërsa në spital, i kërkojnë të tregojë analizat përpara vizitës.

“Doktori i familjes më thotë: testin e Covid e bën te qendra shëndetësore, më pas më thotë që nuk ke rekomandim për analiza, shko bëji në privat. Këta kërkojnë analizat, që më duhet ose ti bëj në privat ose te Urgjenca. Te urgjenca më thonë nuk ke rast urgjent. Ta çfarë të bëj unë?”, shprehet qytetari.

Në këto kushte, e vetmja zgjidhje për të shpëtuar nga sorollatjet, është korrupsioni.

“Ku ka shqiptar që nuk ka paguar para, gjithmonë kam paguar, se ta zvarrisin derisa të japësh diçka”, thotë ai.

Në dyert e Onkologjikut, lutjet për Zotin, janë zëvendësuar me lutjet për SPAK-un, që të vendosë drejtësi për pacientët që enden dyerve të spitaleve për muaj me radhë.

“SPAK të hetojë shefat e kirurgëve, për ata që kanë emër, të hetojnë ku i kanë gjetur paratë”, shprehet një qytetare.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co