Norvegjia njoftoi se i ka dërguar 26 milionë dollarë ndihmë agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë ose UNRWA , pasi disa vende vendosën të ndalojnë përkohësisht mbështetjen e tyre.
Ministri i Jashtëm norvegjez Espen Barth Eide tha në X, “Sot, Norvegjia transferon 26 milionë dollarë tek UNRWA, Agjencia e OKB-së që mbështet refugjatët palestinezë”.
“UNRWA është shtylla kurrizore e përpjekjeve humanitare në Gaza. Shërbimet e saj janë kritike për miliona njerëz në nevojë ekstreme,” shtoi ai.
Agjencia ka qenë organizata kryesore që ofron ndihma humanitare si ushqim, shëndetësi, arsim dhe strehim për refugjatët palestinezë që nga fillimi i saj në vitin 1950, dhe financohet nga kontributet vullnetare nga shtetet anëtare të OKB-së.
Agjencia mbështet 5.9 milionë refugjatë palestinezë .
UNRWA ka ofruar ndihmë për palestinezët për rreth 74 vjet, por objektet e saj janë goditur vazhdimisht nga Izraeli, me tonelata ushqime dhe ilaçe të shkatërruara.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka bërë thirrje për një hetim urgjent për akuzat izraelite se stafi i agjencisë ishte i përfshirë në sulmin e 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas në Izrael, në të cilin thuhet se u vranë rreth 1200 njerëz.
UNRWA ka nisur një hetim mbi akuzat e Izraelit.
Gjermania, Zvicra, Italia, Kanadaja, Finlanda, Islanda, Australia, Britania, Holanda, SHBA, Franca, Austria, Japonia dhe Estonia kanë njoftuar vendimin e tyre për të pezulluar përkohësisht mbështetjen financiare për UNRWA.
Norvegjia, Irlanda dhe Spanja, nga ana tjetër, thanë se do të vazhdojnë të mbështesin agjencinë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co