Më 21 qershor të këtij viti, papritur u shkëput energjia elektrike në pjesën dërrmuese të Shqipërisë për afro 30 minuta.
Më vonë u kuptua se diçka e rëndë kishte ndodhur, pasi e njëjta gjë kishte ndodhur dhe në Malin e Zi, Bosnje e në Kroaci.
Menjëherë në një dalje për mediat ministrja Balluku shpjegoi se kolapsi i ndodhur orientonte si shkak një problem në Malin e Zi, ndërsa shkaku sipas saj lidhej me mbingarkesën e rrjetit për shkak të temperaturave të larta dhe përdorimit të instrumenteve të kondicionimit etj.
Por një raport i hartuar nga vartësit e saj në OST dhe i siguruar nga Hashtag.al, sugjeron se nuk është Mali i Zi, por është Shqipëria shkaktare e kolapsit dhe e efektit kaskadë të krijuar në rrjetin e transmetimit.
[embedded content]
Madje raporti zbulon se tre linja transmetimi në momentin që ndodhi ngjarja ishin jashtë funksioni, sepse në ato linja po bëheshin punime për ndërtimin e rrugëve të reja, përfshirë rrugën Kashar-Thumanë.
Sipas raportit, në momentin kur ndodhi kolapsi, Shqipëria ishte duke importuar energji nga Greqia, njëherësh duke eksportuar një pjesë të kësaj sasie në Malin e Zi.
Në orën 12:09 të mesditës në një linjë brenda territorit malazez u stakua përcjellja pasi u dyshua dëmtim i rrjetit nga pemët e larta ose një motiv tjetër. Autoritetet malazeze njoftuan avarinë dhe vetëm 12 minuta më pas, në orën 12:21 ndodhi kolapsi i madh në 4 shtete ballkanike.
Raporti i OST-së thotë se 12 minuta pas ngjarjes në Malin e Zi, në Shqipëri u stakua linja që po importonte nga Greqia, OST-ja gjithashtu ja përvesh përgjegjësinë e këtij stakimi bimësisë, pra kur pemët e larta i afrohen perimetrit të kabllove përcjellës dhe automatikisht sistemi R/L ndërpret përcjelljen.
Por në raportin e vet, OST-ja rendit dhe tre pika shumë interesante si shkak që ka nxitur kolapsin.
OST-ja pranon zyrtarisht se vendi ynë prej kohësh mban të stakuara tre kapilarë interkonjeksioni që lidhen me ndërtimin e rrugëve të reja, ato janë:
-Linjat që kalojnë pranë rrugës Thumanë-Kashar,
-Linja që kalon pranë rrugës së re që po ndërtohet në unazën e jashtme të Tiranës
-Linja Fier-Babicë
Nuk dihet nëse OST i ka raportuar në rrjetin energjitik rajonal këto stakime të linjave, por ajo që dihet me siguri është fakti se sistemet matriks të interkonjeksionit, kanë gjithmonë një plan B kur ndodh një avari diku.
Pra, pasi ndodhi avaria në Malin e Zi, OST-ja mund të aktivizonte planin B ose atë që quhet si mbrojtja e ‘nivelit 1’ nga avaritë dhe të kapilarizonte menjëherë rrymën në drejtime të tjera. Por në momentin që ndodhi avaria në Malin e Zi, tre nga kapilarët kryesorë ishin jashtë funksionit.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co