Tre persona janë shoqëruar nga RENEA sot në Shkodër. Gazetari Senad Nikshiqi raporton për BalkanWeb se bëhet fjalë për shtetasit Shkëlzen Xhenje dhe Sehar Xhenje dhe një person tjetër, të cilët u gjetën në një banesë në fshatin Kuç.
Shkëlzen Xhenje është i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Ndërkohë këta tre shtetas po merren në pyetje dhe për plagosjen e Selami Brahimit.
NJOFTIMI I POLICISE
Aksione intensive gjurmuese, për të lokalizuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të kërkuarit për ngjarje kriminale të mëparshme. Finalizohet operacioni policor i koduar “Historiku”. Reparti Special “RENEA”, në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës, lokalizojnë, kapin dhe arrestojnë një shtetas me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore.
32-vjeçari i ndaluar, me precedent tejet të theksuar kriminal,
•i kërkuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”;
•qëlloi me armë zjarri 2 shtetas, në Shkodër, në vitin 2021;
•futi sende të kundërligjshme në IEVP Shënkoll.
Falë hartimit të detajuar të veprimeve operacionale, konspiracionit të plotë, koordinimit të shërbimeve dhe punës intensive të inteligjencës policore, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, të mbështetura nga ato të Repartit Special “RENEA”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor i koduar “Historiku”. Operacioni rezultoi me lokalizimin në banesën ku fshihej, në fshatin Kuç, kapjen dhe neutralizimin e shtetasit të shpallur në kërkim Sh. Xh., 32 vjeç.
32-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, për shkak të akuzave/dënimeve për një shumëllojshmëri veprash penale. Konkretisht, i akuzuar nga SPAK-u, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, i shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës, pasi në vitin 2021, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, qëlloi me armë zjarri, shtetasit T. P. dhe K. M., si dhe i dënuar me 2 vjet burgim, nga Gjykata e Lezhës, për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co