Bota

Atentate në Evropë kundër mbështetësve të Ukrainës/ Agjencitë perëndimore të inteligjencës zbulojnë komplotet e Rusisë

atentate ne evrope kunder mbeshtetesve te ukraines agjencite perendimore te inteligjences zbulojne komplotet e rusise



































Agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë zbuluar komplote ruse për të kryer vrasje, zjarrvënie dhe sabotime të tjera në Evropë kundër kompanive dhe njerëzve të cilët e mbështesin ushtrinë e Ukrainës, tha një zyrtar qeveritar perëndimor.

aas

Rusia nganjëherë ka rekrutuar kriminelë të zakonshëm në vendet e huaja për t’i kryerë sulmet, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonime, raporton Associated Press.

Një komplot i madh, që u zbulua së voni, e kishte në shënjestër Armin Pappergerin, shefin ekzekutiv të kompanisë së mbrojtjes në Gjermani, Rheinmetall, tha zyrtari.

Ai nuk dha hollësi për komplotet e tjera, për të cilat për herë të parë raportoi CNN.

CNN raportoi se Shtetet e Bashkuara e kishin njoftuar Gjermaninë për komplotin dhe kjo ua kishte mundësuar agjencive të sigurisë ta mbronin Pappergerin dhe kështu të dështonte komploti kundër tij.

Rheinmetall është furnizues i madh i teknologjisë ushtarake dhe i predhave të artilerisë në Ukrainë, e cila është duke luftuar për t’i zmbrapsur forcat ruse. Kjo kompani e hapi muajin e kaluar një objekt për mirëmbajtjen e autoblindave dhe riparimin e tyre në perëndim të Ukrainës dhe synon ta fillojë prodhimin brenda Ukrainës.

Zëdhënësja e Këshillit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, nuk deshi të komentojë për komplotin e dyshuar për ta vrarë Pappergerin, por tha se veprimet e Rusisë nuk mund të ndikojnë në mbështetjen e aleatëve për Ukrainën.

“Ne kemi qenë të qartë se veprimet e Rusisë nuk do t’i frenojnë aleatët për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën”, tha ajo.

Ministria e Brendshme e Gjermanisë nuk mund të komentojë “në rastet e kërcënimeve individuale”, tha zëdhënësi i kësaj ministrie, Maximilian Kall, por shtoi se “ne e marrim shumë seriozisht kërcënimin e rritur dukshëm të agresionit rus”.

“Ne e dimë se regjimi i [presidentit rus Vladimir] Putin dëshiron, mbi të gjitha, ta minojë mbështetjen tonë për Ukrainën, e cila po mbrohet kundër luftës agresore ruse, por Qeveria gjermane nuk do të frikësohet”, tha ai.

Zyrtarët evropianë, të mbledhur në samitin e NATO-s në Uashington këtë javë, folën për ballafaqimin me përshkallëzimin e sulmeve “hibride”, për të cilat ata i fajësojnë Rusinë dhe aleatët e saj.

Në prill, hetuesit gjermanë i arrestuan dy burra ruso-gjermanë nën dyshimin për spiunazh, njëri prej të cilëve akuzohet se u pajtua të kryente sulme ndaj shënjestrave të mundshme, përfshirë ndaj objekteve ushtarake amerikane, me shpresën se do të ndikonte në sabotimin e ndihmës për Ukrainën.

Gjermania është bërë furnizuesja e dytë më e madhe e armëve në Ukrainë, pas Shteteve të Bashkuara, prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë raportimet për komplotin për ta vrarë Rappergerin./REL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts