Shqiperia

Veliaj me të rinjtë socialistë: PS e vetmja forcë që mbështet rininë; Përballja me ide e çon vendin përpara, jo dhuna

veliaj me te rinjte socialiste ps e vetmja force qe mbeshtet rinine perballja me ide e con vendin perpara jo dhuna

Këtë fundjavë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar në “Futu në lojë”, një garë debati mes të rinjve socialistë, që votojnë për herë të parë, me të cilët ndau disa këshilla, por edhe diskutoi për rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë. Ai u shoqërua edhe nga ministri i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku.

Në kampin e Jalës, ku u zhvillua për 3 ditë edhe gara mes 6 ekipeve, në të cilën të rinjtë mësuan se si të formojnë një skuadër, të debatojnë, të flasin në publik etj., Veliaj tha se betejat në politikë duhet të jenë mes ideve dhe alternativave që sjellin përparim për vendin. Ai shtoi se nuk duhet të jetë dhuna ajo që e përcakton politikën.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Kur shoh njerëz që djegin goma, që djegin flamurin, nuk them se të gjithë ata që mbështesin atë parti janë të këqij sepse jam i sigurt që janë njerëz shumë normalë – disa prej tyre i njoh, i kam shokë, i kam pasur në shkollë, disa i kam njohur gjatë karrierës sime – por ndarja në uniforma apo ekipe të ndryshme politike nuk duhet të kthehet në luftë. Duhet të jetë patjetër një betejë mes ideve, që përparojnë më shumë vendin, qytetin, dhe nuk duhet të jetë dhuna apo degradimi i figurës së tjetrit ajo që përcakton të bërit politikë. Fatkeqësisht, kjo nuk kuptohet nga të gjithë. Ndaj, kam shumë shpresë që brezi që ju përfaqësoni do të jetë një brez që kupton, sepse do të jeni ju ata që do të drejtoni nesër Shqipërinë, Tiranën, bashkitë e tjera”, tha Veliaj.

Sipas tij, brezi i ri i politikanëve do të jetë një gjeneratë ku, në qendër të debatit politik do të ketë idetë dhe jo dhunën. “Pyetja është: A do mësojmë nga historia? Duhet të mësojmë se brezi i ri nuk vjen me kulturën verbale të dhunimit të tjetrit, të përçundimit të tjetrit, të uljes së reputacionit të tjetrit, por vjen me një sens gare me ide. Shpresoj që të jeni ju kjo gjeneratë. Harry Truman thoshte: ‘Ti bëj më të mirën tënde, të tjerat i bën historia’. Përgjegjësia është personale dhe secili duhet të bëjë më të mirën e tij”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës u ndal edhe te rëndësia e përfshirjes së të rinjve në politikë. “Nuk mendoj se ka një shkop magjik, që t’i përfshijë njerëzit. Nëse politika nuk flet për interesat e njerëzve, por flet vetëm për interesat e veta, është mëse normale që grupe të caktuara, të cilat nuk e dëgjojnë emrin ose kauzën e tyre, të mos përfshihen. Në zgjedhjet e fundit, në Bashkinë e Tiranës, pasi të rinjtë në Këshillin Bashkiak këmbëngulën që ta bënim abonenë falas për studentët dhe të paguanim 50% të kostos për konviktet e reja, krejt papritur, një audiencë [studentët] e cila më përpara ndihej e papërfshirë, se mendonte ‘kam ardhur nga një qytet tjetër’, ‘nuk jam regjistruar ende në Tiranë’, ‘nuk jam në radarin e tyre’ ose ‘jam pjesë e një grupi të vogël njerëzish që udhëtojnë me autobus’, befas tha: – Duhet t’i dëgjoj sepse këta po flasin për mua, jam unë ai që e përdor autobusin dhe po e marr abonenë falas, jam unë ai që po e nis jetën në Tiranë, duke hyrë fillimisht nga lagjja që quhet ‘Qyteti Studenti’, përpara se të diplomohem, të krijoj familje dhe të marr një vend pune në Tiranë’”, deklaroi Veliaj.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë. “Në përgjithësi njerëzit, dhe veçanërisht të rinjtë, kanë deri diku një opinion jo të mirë për politikën. Vende-vende edhe me të drejtë, sepse shohin një pjesë të politikës, ku ka ca njerëz që zihen me ca të tjerë, zihen në Parlament, hedhin molotovë, bëjnë sherr, bërtasin, shajnë tjetrin, ‘ti je hajdut, ti je maskara’. Me të drejtë, një pjesë të njerëzve kjo i vë në siklet, por një ndër shprehjet që më ka bërë gjithmonë të mendoj është: ‘Nëse ti mendon se je shumë i mirë për t’u marrë me politikë, mallkimi yt për këtë punë është se do të qeverisesh nga njerëz që janë inferiorë ndaj teje’”, tha ai.

Mazniku shtoi se çështjet që ndikojnë në jetën e njerëzve, duke nisur nga shtrimi i rrugëve, shërbimi i autobusëve, menaxhimi i mbetjeve, ndërtimi i shkollave etj., kanë brenda tyre një vendim politik dhe lidhen me njerëz që i marrin këto vendime bashkarisht.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts