Presidenti Joe Biden iu është drejtuar kombit nga Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë, pas atentatit ndaj ish-presidentit Donald Trump pasditen e së shtunës gjatë një mitingu në Pensilvani.
Ai ka përsëritur se “dhuna nuk është kurrë përgjigje” në politikën amerikane, duke renditur një sërë incidentesh, përfshirë tentativën për vrasjen e ish-presidentit Tump, sulmin e 6 janarit në kryeqytet dhe sulmin ndaj ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
“Retorika politike në këtë vend është ndezur dhe është koha për ta qetësuar atë”, tha ai.
Në fjalimin e tij, Joe Biden i shprehu ngushëllimet e tij familjes së Corey Comperatore, i cili mbeti i vrarë në të shtënat me armë zjarri.
“Corey ishte një bashkëshort, një baba, një zjarrfikës vullnetar dhe një hero, që shpëtoi familjen e tij nga plumbat”, u shpreh Joe Biden.
Biden bëri thirrje për “veprim në kutinë e votimit”, duke shtuar se kështu duhet të funksionojë demokracia.
“Në Amerikë, ne i zgjidhim mosmarrëveshjet në kutinë e votimit, jo me plumba”, thotë ai.
Biden shtoi se “fuqia për të ndryshuar Amerikën duhet të qëndrojë gjithmonë në duart e njerëzve, jo në duart e vrasësve”.
Presidenti i SHBA ka theksuar në mënyrë të përsëritur se pavarësisht mosmarrëveshjeve, se ku po shkon vendi dhe kush duhet ta udhëheqë atë, politika duhet të jetë “një arenë për debat paqësor”.
“Ajo nuk duhet të jetë kurrë një fushë beteje dhe, Zoti na ruajt, një fushë vrasjesh. Pavarësisht se sa të forta janë bindjet tona, ne kurrë nuk duhet të kalojmë në dhunë.”
Presidenti Biden përfundoi fjalimin duke vënë theksin mbi rëndësinë e ruajtjes së vlerave të SHBA-së për të mbrojtur të ardhmen e vendit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të përpiqen për një demokraci ku “argumentet bëhen me mirëbesim” dhe “ku respektohet shteti i së drejtës”.
“Një demokraci amerikane ku mirësjellja, dinjiteti dhe loja e ndershme nuk janë thjesht nocione të çuditshme, por realitete të gjalla, ia detyrojmë këtë atyre që erdhën para nesh, vetes, fëmijëve tanë dhe nipërve tanë,” përfundon ai.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co