Bota

Pikëpyetje rreth masave të sigurisë pas atentatit ndaj ish-Presidentit Trump

pikepyetje rreth masave te sigurise pas atentatit ndaj ish presidentit trump
pikepyetje rreth masave te sigurise pas atentatit ndaj ish presidentit trump

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara po heton se si autori i atentatit ndaj ish-Presidentit Donald Trump arriti të afrohej aq pranë saqë arriti të hapë zjarr dhe ta plagosë atë me një armë të stilit AR të shtunën në Pensilvani.

Ngjarja po konsiderohet si një dështim i thellë i agjencisë.

FBI-ja identifikoi të dielën 20 vjeçarin Thomas Matthew Crooks si “subjektin e përfshirë” në atentatin e së shtunës ndaj ish presidentit Trump, një nga aktet e profilit më të lartë të dhunës politike në disa dekada.

Agjencia tha se Crooks ishte nga Bethel Park i Pensilvanisë, rreth një orë larg nga vendi i tubimit politik ku zoti Trump u qëllua në vesh, ndërsa mbante një fjalim për fushatën.

Crooks u vra nga personeli i Shërbimit Sekret.

Ai ishte vetëm 150 metra larg vendit ku po fliste ish-Presidenti Trump kur hapi zjarr.

Presidenti Joe Biden tha të dielën se ai ka kërkuar një analizë të pavarur të masave të sigurisë në tubim. Zoti Biden tha se ai ka udhëzuar gjithashtu Shërbimin Sekret të SHBA-së që të rishikojë të gjitha masat e sigurisë për Kuvendin Kombëtar Republikan, që fillon të hënën në Miluoki.

Zoti Biden u bëri thirrje amerikanëve që të mos spekullojnë lidhur me motivin e autorit të sulmit.

FBI po e heton atentatin si një akt të mundshëm terrorizmi të brendshëm. Sulmi tronditi majat e sistemit politik amerikan dhe solli si rezultat – të paktën përkohësisht – një zbutje të fushatës së nxehtë presidenciale të 2024-ës.

Motivi i autorit mbetet i paqartë. Familja e tij po bashkëpunon me autoritetet.

Në makinën e autorit të dyshuar të sulmit u gjetën materiale për prodhim bombash dhe se të tilla materiale u gjendën edhe në shtëpinë e tij.

Prirjet politike të tij nuk ishin të qarta. Ai ishte regjistruar si votues republikan. Por, sipas të dhënave të Komisionit Federal Zgjedhor kur ishte 17 vjeç, ai pati dhënë edhe një kontribut prej 15 dollarësh për organizatën politike “ActBlue”, e cila mbledh fonde për kandidatë demokratë dhe me prirje të majta.

Kevin Rojek, agjent i posaçëm i FBI-së i ngarkuar me zyrën në terren në Pittsburgh, u tha gazetarëve se “është e habitshme” që personi i armatosur qëlloi katër ose pesë herë përpara se të vritej.

“Aktualisht nuk kemi një motiv të identifikuar, megjithëse hetuesit tanë po punojnë pa u lodhur në përpjekje për të gjetur se cili ishte ai motiv”, tha agjenti Rojek, duke vënë në dukje se hetimi mund të zgjasë me muaj./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts