Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të zhvilluar në degën e PD-së në Krujë.
Basha deklaroi se PD duhet t’i japë shqiptarëve “rrugën e daljes nga ky ankth 10-vjeçar”.
“Kruja është një qytet që njihet nga e gjithë Europa, ka hyrë në legjenda për aftësinë e banorëve të tij për t’i qëndruar vështirësive më të mëdha që mund të rrok mendja njerëzore. Edhe vështirësitë që kemi kaluar këto 2 vite, janë pa asnjë dyshim vështirësitë më të mëdha, sfidat më të mëdha që mund të rrokte mendja e demokratëve 2 vite më parë. Dhe kuptimi i këtij kuvendi është që të ndërtojmë të ardhmen.
Prandaj jemi sot këtu, sepse nuk mund t’i ikim misionit për të cilën jemi krijuar dhe për të cilin kemi sakrifikuar gjithçka. Është thirrja e fermerëve shqiptarë të braktisur nga një qeveri e korruptuar që pasi vodhi taksat e shqiptarëve, nuk hezitoi të vidhte edhe taksat e europianëve që erdhën si subvencione për fermerët, por përfunduan në vila dhe resorte luksoze të pushtetarëve. Është thirrja e sipërmarrjeve të cilët prej 10 vitesh ndodhen nën zgjedhën më mizore të përfytyrueshme në Europë.
Është thirrja e prindërve shqiptarë që tani I shohin vatrat e tyre të boshatisura, fëmijët e tyre që kërkojnë të largohen. Është thirrja e edukatorëve të brezit të ri, e punonjësve të shëndetësisë, është thirrja e administratës që janë skllavëruar për t’i shërbyer një pushteti korruptiv. Dhe kësaj thirrje po I përgjigjemi që këtu nga Kruja, domethënia e të cilës është e pamohueshme për shqiptarët, por është po kështu e pamohueshme për PD.
Partia Demokratike ndodhet në këtë sallë me një vullnet për t’iu kthyer dealeve për të cilat lindëm. Dhe ideali më kryesor është ai i lirisë. I lirisë politike, i lirisë ekonomike dhe i lirisë së gjithanshme. Gjëja e parë dhe parë dhe kryesore që duhet të bëjmë është t’iu themi shqiptarëve se si do ta nxjerrim Shqipërinë nga kontrolli absolut e përqendrimit politik, e përqendrimit të pushtetit ekonomik në duart e një pakice absolute. Dhe kur në një anë kur kjo klasë politikanësh dhe oligarkësh pasurohen, në anën tjetër një shumicë shqiptarësh varfërohen. Njëra duhet ta lëshojë rrugën. Ose shumica e shqiptarëve, ose rruga tjetër dhe e vetme largimi i kësaj politike dhe i kësaj oligarkie”, u shpreh Basha.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co