Ikën Gareth Southgate, përçahen legjendat e futbollit anglez. Ja qëndrimet e tyre

iken gareth southgate percahen legjendat e futbollit anglez ja qendrimet e tyre



































Një seri rezultatesh të dobëta para Kampionatit Europian bën që tifozët të ishin dyshues se ata mund të shpalleshin kampionë në “Euro 2024” dhe hipoteza rezultoi e vërtetë. Është fakt se “Tre Luanët” e patën të vështirë dominimin e kundërshtarit, qoftë në fazën e grupeve, apo me eliminim direkt.

sauthgejt

Së fundmi Garet Sauthgejt e drejtoi Anglinë deri në finale, por pa ia dalë ta shpallte fituese të trofeut. Vetëm pak orë pas kthimit në atdhe, tekniku anglez ka njoftuar përmes një komunikimi zyrtarë tërheqjen nga përfaqësuesja. Të shumta kanë qenë diskutimet e legjendave, të cilët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme.

GERI LINEKER “Është një fitore për futbollin sulmues. Unë mendoj se ai ka qenë personi i duhur për të bashkuar kombin, për sa i përket ekipit të futbollit. Dhe tani, ndoshta është koha për dikë tjetër me një stil më modern, sepse unë mendoj se loja është larguar nga suksesi, nëse jeni vërtet mbrojtës. Mendoj se ai ishte njeriu i duhur në kohën e duhur. Gjithsesi cikli i Sauthgejt ka përfunduar”.

ALAN SHIRER “Garet duhet ta dijë fare mirë që ata nuk kanë performuar në Kampionatin Europian. Ata nuk kishin energji apo cilësi të mjaftueshme. Do të kishim dashur ta kishim parë të luante më shumë futboll ofensiv. Realiteti është se ai na çoi në një finale tri vite më parë dhe na dërgoi sërish në këtë fazë, por pa fituar trofe. Kjo do ta ketë lënduar atë dhe ndoshta mendon se është koha për dikë tjetër”.

GERI NEVILL “Mendoj se kjo është një pyetje e madhe dhe diçka nuk qëndron brenda meje duke folur për të ardhmen e Garet, për shkak të asaj që ai ka bërë në gjashtë deri në shtatë vitet e fundit. Ne mund të fokusohemi në shumë gjëra, por përgjigja e Sauthgejt se si nuk e mbajtëm topin mjaft mirë duhet të jetë arsye përse nuk e fituam trofeun. Çdo trajner i Anglisë ka thënë të njëjtën gjë, çdo lojtar i vetëm anglez ka ndjerë të njëjtën gjë. Këta djem kanë bërë jashtëzakonisht mirë për të arritur në një finale, por disa nga të njëjtat shqetësime na ka penalizuar thuajse në çdo ndeshje”.

ROI KIN “Ai (Southgejt) ka fituar të drejtën për të bërë atë që dëshiron të bëjë. Mendoj se Anglisë i ka munguar vendosmëria. Ata i penalizoi ky komponent gjatë gjithë turneut. Opsionet nga pankina i çuan ata në finale. Pas ndeshjes kur humbën kundër Spanjës, prandaj duhet të mendojnë: ‘A dhamë maksimumin?’. Nëse do të kishin zbritur në fushë sikur të ishte ndeshja e fundit, padiskutim që Anglia do ishte shpallur kampione”.

XHIMI KARRAGER “Do të doja që Garet Sauthgejt të qëndronte, por e kuptoj largimin e tij. Ju mendoni për kritikat që ai merr, është shumë e vështirë. Kush do të dëshironte të merrte drejtimin e Anglisë? Duke marrë parasysh që duhet të shkoni dhe të fitoni Kupën e Botës ose ‘Euro’-n e ardhshme për t’u konsideruar si një sukses. Ne nuk jemi një komb që fiton trofe, s’jemi Brazili. Ne nuk jemi një kombëtare me histori, por ne duam ta ndryshojmë atë. Por nuk mund të shoh shumë menaxherë që lëpin buzët dhe thonë: ‘Oh, do të doja ta merrja këtë përfaqësuese’. Ndoshta një menaxher tjetër mund të përfitojë më shumë nga ky grup, por ju duhet të fitoni një turne, diçka që ne e kemi bërë një herë në rreth 100 vjet. Trajneri i Spanjës është një shembull i përsosur, shumica e njerëzve nuk kishin dëgjuar kurrë për të para këtij turneu. Problemi që ka Sauthgejt është se njerëzit e shohin atë si një ish-futbollist pa përvojën e duhur për ta orientuar kombëtaren drejt sukseseve. I bindur se ky nuk është rasti kur tifozët duhet të qajnë. Ka bërë mirë, megjithatë jo në pritshmëri, marrë në konsideratë emrat në kontingjent”.

SEM ALLARDIS “E vetmja gjë që Garet duhet të mendojë është se ai ka qenë trajner për tetë vite tek Anglia. Kush ishte drejtuesi i fundit i Anglisë që zgjati më shumë sesa tetë vite? Një periudhë e zgjatur për të thithur presionin që është mbi ju dhe ndoshta është koha kur ai mendon se mandati i tij ka qenë mjaft i gjatë. Ne dukej se nuk ishim në gjendje të gjenim sistemin e duhur për grupin e talenteve që kishim, e vështirë kur ke kaq shumë futbollistë kualitativ në përbërje. Pak zhgënjyese, por në përgjithësi Spanja ishte kombëtarja më e mire”.

XHON TERRI “Garet ka qenë kaq i ekspozuar dhe i ka trajtuar kritikat vërtet shumë mirë gjatë gjithë kohës. Disa ish-lojtarë kanë qenë vërtet kritikë ndaj Sauthgejt dhe përfaqësueses, këta janë personazhe që nuk arritën më larg se një çerekfinale si futbollistë dhe ata kritikojnë një trajner që ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Jam i sigurt se do të ketë oferta për Garet në Premier Ligë ose në mbarë botën. Besoja se në kompeticionet e ardhshme ai kishte për të fituar një trofe me Anglinë, ndonëse zgjedhja e fundit i takon atij dhe duhet ta respektojmë vendimin. I uroj fat në aventurat e reja futbollistike”, e mbylli Terri.

SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →