Vazhdojnë diskutimet në BE për heqjen e masave ndaj Kosovës! Vendet anëtare s’po bien dakord, ja disa nga propozimet e tyre

vazhdojne diskutimet ne be per heqjen e masave ndaj kosoves vendet anetare spo bien dakord ja disa nga propozimet e tyre



































Përkundër pritjeve dhe paralajmërimeve se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të hiqen, së paku gradualisht, kjo nuk ka ndodhur ende.

BE

Verën e kaluar, BE-ja ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës – përfshirë anulimin e disa takimeve në nivel të lartë – duke vlerësuar se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veriun e banuar me shumicë serbe.

Tensionet në këtë zonë janë rritur pasi Qeveria e Kosovës ka instaluar kryetarët shqiptarë në komunat me shumicë serbe, në fund të majit të vitit 2023.

Rekomandimin për heqjen e masave e ka dhënë në qershor përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, duke e arsyetuar atë me hapat që ka marrë Kosova për përmbushjen e kushteve për heqjen e tyre.

Tani thuhet se Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) është duke i vazhduar konsultimet me vendet anëtare për tekstin e një deklarate të përfaqësuesit të lartë, me të cilën do të njoftohej për heqjen e masave.

Por, disa versione të tekstit të një deklarate të tillë nuk kanë arritur të marrin mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare.

Sipas burimeve diplomatike në BE, shumica e vendeve janë pajtuar që të hiqen masat, disa kanë dashur të hiqet vetëm një pjesë e tyre, por disa kanë kërkuar edhe vendosjen e një klauzole, sipas së cilës masat do të mund të ktheheshin me automatizëm, nëse autoritetet e Kosovës do të ndërmerrnin ndonjë hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar në veri, që do t’i rriste tensionet.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se Borrell, ashtu siç është kërkuar prej tij, u ka dërguar raportin vendeve anëtare dhe diskutimi për të është zhvilluar në qershor.

Por, Stano tha se “përmbajtja e atij raporti nuk do të bëhet publike”.

Radio Evropa e Lirë ka pasur rast ta shohë atë raport dhe në të është rekomanduar heqja e masave.

“Marrë parasysh hapat që i ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së, të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit [Evropian] që të marrë qëndrim për heqjen e masave për Kosovën, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionale”, është thënë në raportin e Borrellit.

Borrell, në rekomandimin e tij, ka thënë se vendimi nga ana e Këshillit do të kontribuonte në një kontekst të balancuar, në të cilin dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, i lehtësuar nga BE-ja, do të mund të ecë përpara.

“Nga Kosova pritet që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë depërshkallëzuese dhe për t’i evituar veprimet e pakoordinuara”, është thënë në raportin e Borrellit.

Por, gjatë diskutimeve, disa vende anëtare kanë argumentuar se përmbushja e kushteve nga ana e Kosovës “nuk është e plotë”.

Stano thotë se “diskutimet në Këshill po vazhdojnë”.

Në Bashkimin Evropian nuk duan të flasin për afatet kohore se kur do të mund të hiqeshin masat, por zyrtarë të BE-së – në kushte anonimiteti – thonë se “vendimi është bërë më i vështirë pas sjelljes jokonstruktive” në takimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të lartë dhe në nivel të kryenegociatorëve.

Në fund të qershorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar në Bruksel për një rund të ri bisedimesh, por takimi i përbashkët nuk është zhvilluar, për shkak të disa kushteve që ka nxjerrë Kurti e që i ka refuzuar Vuçiq.

Disa burime të BE-së thonë se në mesin e arsyeve përse disa shtete nuk duan të hiqen masat, janë niveli i ulët i besimit ndaj autoriteteve të Kosovës dhe frika se Kosova mund të ndërmarrë hapa të njëanshëm për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që lidh veriun dhe jugun e Mitrovicës./REL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →