Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se numri i të vdekurve nga agresioni i Izraelit në territorin e bllokuar është rritur në 27,947 që nga 7 tetori.
Të paktën 67,459 palestinezë janë plagosur.
Në 24 orët e fundit, ministria tha se forcat izraelite kanë vrarë 107 persona dhe kanë plagosur 142 në Gaza.
Ndërkohë, tanket izraelite po bombardojnë zonat në lindje të Rafahut, duke intensifikuar frikën e banorëve për një sulm të afërt tokësor.
Vajtuesit qanë mbi trupat e të vrarëve në një sulm ajror që goditi lagjen Tel as-Sulltan. Kufomat u shtrinë me qefina të bardha. Një burrë mbante trupin e një fëmije të vogël në një çantë të zezë.
“Papritmas sa hap e mbyll sytë, raketat ranë mbi fëmijë, gra dhe burra të moshuar. Për çfarë? Pse? Për shkak të armëpushimit të ardhshëm? Zakonisht kjo ndodh para çdo armëpushimi”, tha banori Mohammed Abu Habib.
Emad, 55 vjeç, baba i gjashtë fëmijëve në Rafah, i cili u largua nga shtëpia e tij diku tjetër, tha se nuk kishin ku të iknin.
“Ne i kemi kthyer shpinën gardhit [kufitar] dhe fytyrën drejt Mesdheut. Ku duhet të shkojmë?” tha ai.
Një zyrtar i lartë amerikan vuri në dyshim deklaratat e liderëve izraelitë se së shpejti do të fillonte një pushtim tokësor i qytetit jugor të Rafahut.
Shtetet e Bashkuara “nuk kanë parë plane që do të na bindin se [izraelitët] janë gati ose planifikojnë të kryejnë menjëherë ndonjë operacion ushtarak në Rafah”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
“Pikëpamja jonë është se çdo operacion i madh ushtarak në Rafah në këtë kohë, në këto rrethana me ndoshta një milion e gjysmë civilë … pa marrë parasysh sigurinë e tyre do të ishte një fatkeqësi. Dhe ne nuk do ta mbështesim atë”, tha ai.
“Aty u tha të shkonin” nga Izraeli, vuri në dukje ai. Ushtria izraelite më parë urdhëroi palestinezët në të gjithë Gazën të niseshin për në Rafah, duke e quajtur atë një “zonë të sigurt”.
Ushtria “ka një detyrim të veçantë për të mbrojtur jetën e pafajshme”, shtoi Kirby.
Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë thotë se lufta në Gaza ka lënë më shumë se gjysmë milioni djem dhe vajza jashtë shkollimit.
“Çdo ditë lufte thellon plagët, duke rrezikuar një brez të humbur të cenueshëm ndaj shfrytëzimit”, tha Philippe Lazzarini në një postim. “Fëmijëve po u grabitet fëmijëria.”
Komisioneri i Përgjithshëm tha se kjo situatë “duhet të ndryshojë duke filluar me një armëpushim humanitar”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co