Gjykata e Lartë vendosi të mërkurën që të lërë në fuqi një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit, që e detyron Komisionin e Pavarur të Kualifikimit që të publikojë emrin e sponsorit privat që financoi një aktivitet të komisionerëve të vetingut në resortin luksoz “Marina Bay” në Vlorë.
Vendimi u mor nga trupa e Kolegjit Administrativ, e drejtuar nga relatori Sokol Sadushi dhe me anëtarë Sokol Ngresi dhe Gentian Medja.
Ai i jep fund betejës 3-vjeçare të BIRN Albania me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili refuzonte në kundërshtim me ligjin “Për të drejtën e informimit” që të vinte në dispozicion emrin e kompanisë private që pagoi faturat e akomodimit dhe ushqimit për 12 komisionerët e KPK-së dhe tre anëtarët e stafit gjatë aktivitetit në Vlorë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zgjodhi resortin luksoz “Marina Bay” në bregdetin e Vlorës si destinacion për të zhvilluar një analizë 4-vjeçare të punës në shtator të vitit 2021.
Aktiviteti u zhvillua me 30 shtator, por 12 komisionerët e KPK-së dhe tre pjestarë të stafit u akomoduan në hotel për dy netë fjetje falë ‘bujarisë’ së një kompanie private që mbuloi shpenzimet për akomodimin, ushqimin, qiranë e sallës së konferencave dhe kostot e tjera të aktivitetit.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është institucion kushtetues, i krijuar në kuadër të Reformës në Drejtësi për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim final rikthimin e besimit të publikut te drejtësia.
Përgjatë mandatit të tij, qindra magjistratë kanë dhënë llogari përballë KPK-së dhe janë penalizuar me shkarkim për dhuratat apo sponsorizimet e përfituara nga personat e tretë, të cilat janë vlerësuar në dritën e konfliktit të mundshëm apo në dukje të interesit. Vetë anëtarët e KPK-së refuzuan t’i nënshtrohen të njëjtit standard.
Saga gjyqësore për transparencë nisi me një kërkesë për të drejtë informimi të BIRN dhe një vendim të Komisionerit për të Drejtën e Informimit të 7 dhjetorit 2021, që e urdhëronte KPK-në të vendoste në dispozicion të BIRN një kopje të plotë të marrëveshjes së sponsorizimit.
KPK refuzoi ta zbatonte vendimin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe e sfidoi atë në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku mori një vendim në favor. Në padinë e vet, Komisioni pretendoi se bërja publike e sponsorit do të cënonte sigurinë kombëtare, procesin e vetingut si dhe imazhin e KPK- së dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Vendimi i Shkallës së Parë u rrëzua si i pabazuar nga Apeli Administrativ që theksoi se respektimi i klauzolave konfidenciale kontraktore nuk duket se përbën kufizim të parashikuar në marrëveshjen e sponsorizimit, por është interpretuar më pas si i tillë nga Komisioni.
Megjithëse vendimi i Apelit Administrativ është i formës së prerë, KPK refuzoi ta ekzekutonte dhe iu drejtua Gjykatës së Lartë me rekurs, por që u rrëzua të mërkurën si i pabazuar duke lënë në fuqi vendimarrjen për transparencë.
Më parë, Komisioni kërkoi në Gjykatën e Lartë pezullimin e ekzekutimit të vendimarrjes së Apelit Administrativ. Më 27 maj, Gjykata e Lartë i rrëzoi pretendimet për ekzistencën e një dëmi të menjëhershëm dhe të pariparueshëm që mund të passillte ezkekutimi vendimit të formës së prerë të Apelit, duke çmuar se ishin hipotetike dhe pa ndonjë argument ligjor./BIRN/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co