Shënjestër e sulmit me armë sot në Kurbin duket se ka qenë pronari i një firme inertesh, i cili mbeti i plagosur, ndërkohë që ekonomisti i tij u vra.
Kështu konfirmojnë për BalkanWeb burime pranë Policisë së Shtetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:00, në fshatin Gurez të Kurbinit.
Arian Gjeloshi, rreth 51 vjeç, ndodhet në spital, ndërsa nuk dihet gjendja e tij. Sakaq, nga ky atentat mbeti i vrarë Selman Mihana, 70 vjeç. RENEA, në bashkëpunim me strukturat policore është vënë në kërkim të autorit.
“Rreth orës 07:00, është marrë njoftim se në fshatin Gurez, Kurbin, në ambientet e një firme ku përpunohen inerte, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Selman Mihana, rreth 70 vjec, ekonomist i firmës, si dhe është plagosur pronari shtetasi A. GJ, rreth 51 vjec, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë Vendore kanë shkuar në vendngjarje, është rrethuar zona dhe vijon kontrolli i territorit. Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale Renea. Në një moment të dytë do të ketë njoftim më të plotë në lidhje me ngjarjen.”, thuhet në njoftimin e policisë.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co