Fitorja kundër Kukësit solli pak qetësi në radhët e Tiranës, por bardheblutë kërkojnë vazhdimësinë teksa të dielën përballen me Erzenin, një rival që i ka marrë 6 pikë ekipit kryeqytetas në 2 sfidat e këtij sezoni. Në konferencë për shtyp, Ahmataj theksoi se kjo do të jetë një ndeshje e vështirë, për më tepër që Erzeni vjen në këtë ndeshje me një trajner të ri si Bejzade:
“Jemi duke u përgatitur me ritëm të lartë. Është ndeshje e vështirë sepse ekipi kundërshtar ka ndërruar edhe trajnerin dhe ndërrimi jep impakt. Erzeni është skuadër me futbollistë cilësorë, por ne jemi të përgatitur. E di që do të rezistojnë shumë, por jemi përgatitur. Jemi të plotë në grup edhe pse Patrik nuk është në formë optimale. Të tjerët janë në formë dhe shpresoj të marrim më të mirën.
Derbi? Nuk e mendojmë fare. Jemi të fokusuar te Erzeni pasi është ndeshje që duhet ta fitojmë”, përfundoi Ahmataj.
Në të njëjtën linjë me trajnerin ishte edhe Kristal Abazaj: “Kemi punuar me intensitet dhe jemi shumë mirë. Kemi treguar se jemi mirë, pavarësisht golave që kemi pësuar. Kemi dëshirë të ecim para. Erzeni ka ekip të fortë edhe pse na kanë mundur dy herë. Duhet të bëjmë më të mirën për të dalë me 3 pikë. A ndikon ndërrimi i trajnerit te kundërshtari? Varet nga pozitat e ekipit, por zakonisht ndërrimi i trajnerit sjell një impakt pozitiv.
Derbi? Jemi të fokusuar për të fituar Erzenin dhe më pas për të menduar për Partizanin”, deklaroi Abazaj.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co