Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht për startin e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, me evenimentin më madhor të sportit që do të zhvillojë ceremoninë e hapjes të premten e ardhshme.
Në edicionin e 33-të të Olimpiadës do të garojnë 10 mijë e 714 sportistë nga 206 shtete në 32 disiplina sportive të ndryshme për një numër total prej 329 eventesh. Në “Paris 2024” do të konkurrojë edhe Shqipëria, e cila siç dihet përfaqësohet me tetë sportistë, nga të cilët katër janë kualifikuar me normë dhe katër me ftesë. Kështu falë rezultateve të larta sportive janë kualifikuar atletja Luiza Gega si dhe mundësit Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev dhe Chermen Valiev. Ndërsa me ftesa në Francë shkojnë atleti Franko Burraj, notarët Kaltra Meça e Grisi Koxhaku si dhe qitësja Manjola Konini.
Por le të shohim kalendarin e garave të ekipit kuqezi, teksa konkurrimi i parë do të vijë nga qitja me Manjola Koninin më 27 korrik në disiplinën pistoletë me ajër. Më tej më 28 korrik do të jetë radha për notaren Kaltra Meça në bateritë kualifikuese të disiplinës 200 metra stil i lirë. Më 30 korrik do të konkurrojë notari Grisi Koxhaku në bateritë kualifikuese në 100 metra stil i lirë. Më pas më 2 gusht qitësja Konini do të rikthehet për garën e saj në disiplinën 25 metra pistoletë. Atleti Franko Burraj do ta ketë garën e tij në paraeliminatoret e 100 metrave më datë 3 gusht. Më pas në konkurrim do të zbresin emrat e mëdhenj, sportistët që futen me pritshmëri të larta, teksa Luiza Gega do të ketë kualifikueset e 3000 metrave me pengesa paraditen e 4 gushtit.
Ndërsa garat e mundësve kuqezi të stilit të lirë do të hapen më 8 gusht me peshat 57 kg ku konkurron Zelimkhan Abakarov. Më 9 gusht do të nisin duelet e peshave 74 kg, ku bën pjesë Chermen Valiev, ndërsa më 10 gusht startojnë sfidat e peshave 65 kg, kategori ku bën pjesë Islam Dudaev. Në tabelë pasqyrohen datat dhe oraret e garave të sportistëve të Shqipërisë në “Paris 2024”.PANORAMASPORT.AL
Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co