Bota

Për sociologun dhe një shikim më gjerë në Europë

per sociologun dhe nje shikim me gjere ne europe



































NGA LEKË TASI leke tasi

Ky shkrim i 15 korrikut titullohet “Koha dhe nevoja për optikë jetësore adekuate” dhe trajton shqetësimin se si shoqëria jonë përballon ndryshimet e vrullshme që sjell koha në epokën postmoderne. Ndihej menjëherë që autori është pro këtyre ndryshimeve, dmth., pro pranimit të risive që na vijnë nga jashtë, sepse i quan të tejkaluara traditat që vendi i mban si të vlefshme dhe që sipas tij e pengojnë t’i hapet botës. Ato tradita nuk specifikohen me emër, por vetëm me epitete: të pamundura, iluzore, autoritariste etj.. Për një çast, lexuesi vihet në mëdyshje mos fjala është vetëm për konservatorizmin kanunor, sepse përdoret fjala “ndryshk”, ose “iluzione paralizuese që vijnë nga e kaluara”. Por, gjuha e përgjithshme nuk vonon t’i identifikojë megjithëse me shumë mundim, si të ardhura nga një “e kaluar idealiste”, së cilës nuk duhet t’i referohemi sot e tutje për ndihmë.

Dukshëm s’bëhet fjalë për probleme lokale, por për idera me ndikim mbarënjerëzor, e konkretisht për fenë, që siç dihet, ndodhet në vështirësi e rrethuar nga moda postmoderniste. Ajo nuk jepet me emër, por me epitete, si “iluzore”, “e bazuar në hamendje dhe penguese për njerëzit, që të realizojnë se jetojnë në modernitet”, dmth., që njerëzit – vazhdon autori – të mbërritur tashmë në normalitet duhet ta përballojnë fenë me guxim, kurajë dhe optimizëm si të tejkaluar. Toni tingëllon i një sigurie të njëjtë me atë të propagandës së regjimit të kaluar, por më i butë dhe në emër jo të thirrjes së partisë, por e kundërta, të liberalizimit të zakoneve kudo në botë. Po pse kjo ndrojtje për të mos i thënë gjërat me emër? Ndoshta autori do të zhbëjë edhe atë mbeturinë tolerance dhe vlerësimi të disa autorëve të majtë që pranojnë rolin qytetërues e humanizues të fesë (“Edhe pse s’ekziston Zoti, duhet ta shpikim”, – thoshte Volteri dhe urrente vetëm Kishën).

Ndoshta porosia sot, e ardhur nga jashtë, është ‘Sulm!’, nuk duhet pritur më! Gjallërimi i së Djathtës ngjan të ketë prurë bindjen se ka mbërritur çasti vendimtar, nuk duhet marrë me hollësira, por i duhet dhënë goditja përfundimtare familjes! Në fakt, kjo fjalë, ‘Familje’, është njëherazi edhe modeli që ka ngjizur ajo traditë mijëvjeçare që autori e dikton me një mori argumentesh të nxjerra nga liberalizmi postmodern si hallka kryesore për t’u hedhur mënjanë. Por familja është edhe objekti më i trembshëm për t’u shqiptuar në fazën aktuale e në mjedis shqiptar. Provë është kujdesi i tij për të mos e sjellë veçse një herë të vetme në tekst këtë fjalë. Nuk kemi asgjë kundra pozicionimit të tij. Le të ketë sinqerisht liri të plotë për të zgjedhur secili sipas mendjes dhe zemrës së tij.

Por fakti që ai nuk e diskuton këtë temë drejtpërdrejt, por e mbulon duke i ardhur rrotull e duke ftuar qytetarët të lirohen nga fryma fetare si nga “aliazhe të vjetra zakonore” dhe të “mos mbeten robër të ‘virtyteve’ demode e të dëmshme të së kaluarës”, tregon se familja, megjithëse e goditur rendë aktualisht, mbahet akoma dhe ndihet mall për të, edhe pse tradita që ai e quan të imponuar është e vdekur ose në vdekje e sipër. Kjo mbetet një kontradiktë bërtitëse në qendër të argumentim it të tij. Sepse ajo dhe ato, familja dhe traditat fetare, me nostalgjinë që shkaktojnë, mbushin filmat dhe librat kudo në botë dhe kështu përbëjnë ndjeshmërinë më nevralgjike të njeriut, që arti ia godet vazhdimisht dhe ai duhet të vendosë për të. Jemi pra shumë larg natyrshmërisë së afishuar prej tij si një “gjendje e botës ku asgjë s’do të jetë si më parë”.

Ka dhe një mungesë tjetër domethënëse ekspozeja e tij. Përtej argumentit që shoqëria duhet jetë në koherencë me kohën dhe kundra ‘utopive’ dhe modeleve ‘të pamundura’, në artikull nuk zbulohet asgjë konkrete mbi përplasjen që ndodh në botë mes këtyre pozicioneve, kush ose cilët përfaqësojnë këtë rezervë tradicionale “retrograde”, çfarë bazë, ç’vlera njerëzore afishojnë ata që e mbrojnë dhe kush qëndron në krahun e kundërt, ç’filozofi është ajo që ngutet t’u japë fund traditave të plakura dhe të shpallë vdekjen e tyre? Dhe më e rëndësishmja, në çfarë do të konsistojë fitorja e mënyrës së re të jetesës? Cilat zakone të reja do të zëvendësojnë zakonet e deritashme? Mos propozohet bashkëjetesa në vend të martesës, apo “familja” e ripagëzuar me prind nr. 1, prind nr. 2 dhe fëmijë të marrë hua nga struktura pjellore, që edhe pse kondicionon me furnizim fëmijësh Rendin e Ri, qenka nisur drejt zhdukjes? Asgjë konkrete në artikullin për këtë “optikë adekuate që u dashka fituar”…

Por, kjo është si të fshihesh prapa gishtit. Të mbushësh një faqe gazete me fjalë të përgjithshme mjaft të sigurta për drejtimin, por pa dalë te konkretja, që gjithkush e di, mjaft të ketë pare në TV parada e përfytje mes atyre që mbajnë pankarta “në mbrojtje të jetës” dhe atyre që mbrojnë lirinë për abort! Mos rreshtimi i parë shkon drejt vdekjes me paturpësinë të mbrojë jetën?! (Ndjesë që po përdor të tilla stërhollime, por toni kategorik i disa pasazheve në artikull më shtyn). Bota zien, prandaj lexuesi pret argumente dhe fakte mbi këto çështje, të informohet se ç’gjëra të reja sjell sociologjia për t’u mbushur mendjen njerëzve se fundja paska pasur të drejtë Maltusi fjala vjen, ose të dëgjojë një fjalë optimiste se, prej kohësh në veprim, ka gjetur së fundi një mënyrë për çiftet e të njëjtit seks, që të jenë të kënaqura të tria palët saqë me plot gojën të quhet familje, me dashuri thuajse natyrale mes tyre, në mënyrë që atyre foshnjave që u bie shorti të jetojnë në to, të mos përjetojnë trauma në shpirt meqë tradita e vjetër që i donte vetëm pjesëtare të familjeve me baba e mama paska vendosur të zhduket…

Këto gjëra don prej gazetave lexuesi i zakonshëm, kurse atij me interesa më të posaçme, i intereson të masë pulsin e pjacës intelektuale në vendin tonë dhe në botë, sa avancon krahu i të “drejtave të njeriut”, në mënyrë që ateisti revolucionar, mbasi ia imponoi Francës Kultin e Arsyes me anë masakrash, t’i imponojë edhe Evropës fshirjen e rrënjëve të saj të krishtera në preambulën e Kushtetutës së saj, që ashtu edhe i ardhuri nevojtar nga përtej deteve të mëtojë edhe ai zhdukjen e këtyre simboleve të traditës së saj në institucionet ku ai trokiti dje, madje të masakrojë këdo që e kupton ndryshe nga ai humorin dhe respektin e të shenjtës. Kureshtja shkon edhe përtej, për të gjetur arsyen serioze, pra thellë, pse këto ndodhin, pa pranuar që ekziston kund e drejta për parashkrim të fajeve, që ashtu, i larë, evropiani autokton, në paste të tillë, të bëhet zot absolut (posi Mme Le Pen po themi) që fare rehat t’i kthejë nga erdhën ‘të tretët’ e atyre që trokitën dje. Debati në fakt valon dhe ka asish që mendojnë se rrënjët e krishtera të Evropës realizohen duke i duruar të gjitha këto, pra të kuptojë evropiani se kur ti pëson dhunën e një afrikani, ti po paguan atë që stërgjyshi yt padrejtësisht i shkaktonte një të pafajshmi gjatë pasurimit të Evropës me lëndë të para të shkëputura me kosto qesharake atë kohë.

Aq më tepër kur dihet se ardhja e afrikanëve në pesë dekadat e mbrame në Evropë ka nisur si vazhdim i atij pasurimi, këtë radhë me krahë pune të prura për nevojë të saj, jo të tyre! Bie poshtë çdo e drejtë prej zot shtëpie që të bësh ç’të duash brenda saj si me mallin tënd. Ajo shtëpi është fryt i punës së përbashkët në një fare mase, por Evropa e rraskapitur prej qejfeve dhe me vetëm një dritëz të zbehtë në ndërgjegje rreth krimeve që përmendëm, e ndien atë si borxh për të larë. Jo pra kush afishon të Djathtën me zulm, por ca të tjerë që e ndiejnë traditën jo në simbole as në preambul, por tek ajo dritëz që i bën të durojnë edhe goditjet e ish-skllevërve drejt në fytyrë. Ky durim e vetëpërmbajtje mund të jetë mënyra më e mire që t’ua kalojë fenë e saj, ashtu të vakët siç ngjan nga larg, sa të gabojë shumë prej nesh se po davaritet e vdes. Gjërat lëvizin në thellësi; zotimi për të vepruar koincidon me vektorë të panjohur, ashtu si i panjohur është ai që zotohet të veprojë në unitet me ta.

Tema e avancimit o tkurrjes së një fuqie ose ideje ngjall interes, rëndom që të bëjë llogaritë e veta secili i interesuar me perspektivat e veta historike e të së ardhmes. Kurse më thellë lëvizjet se cila palë fiton e cila humbet, duhen parë me gjerësi shikimi meqë më fajtor duhet të ndihet fajtori më i moshuari e më i fuqishmi, si më i rënduar me krime meqë ka jetuar më gjatë. Dhe koincidon kjo me një ndërgjegjësim të tij për ato faje, sado mes një deti kënaqësish të brezave të rinj të atdheut të tij të fuqishëm që s’pyesin për të kaluarat. Sa do të arrijë të ndërgjegjësohet plotësisht ky evropian, ky është problemi themelor, mbasi ‘Bota e Parë’ ndodhet në udhëheqje të botës, kështu që ndërgjegjësimin e bërë, nëse e bën me reflektim dhe vetëpërmbajtje, do të realizojë njëkohësisht edhe kolonat-vlera të traditës së saj. Kurse nga artikulli i z. Tushi marrim vesh si objektiv të pritshmëris së tij dhe pikarritje të njeriut: relativizimin e vlerave, gjë diametralisht e kundërt me sa thamë më lart.

E argumenton në këtë mënyrë: “Sidomos tani kur për shkak të natyrës liberale, tejet individualiste të jetës, po përballemi me një prirje që po bëhet sunduese, që po shfaqet dukshëm në tendencën që në këtë tipologji jete në mënyrë të pashmangshme çdo njeri synon të ketë ‘kodin’ e vet të orientimit social, formulën e ndërtimit të jetës personale, mënyrën vetjake të ndërtimit të marrëdhënieve me shoqërinë dhe institucionet e saj”. Ky pozicionim bashkon konformimin pasiv të gjendjes së grimcuar me rënien edhe më poshtë të normave morale dhe e tërë kjo me vullnet të paravendosur për ta pranuar si zgjidhje të vetme dhe pa e diskutuar. Dhe, në shërbim të kësaj dorëheqjeje që orienton shoqërinë tek një liri sjelljeje totale ku secili vepron për vete, ai angazhohet të minimizojë dhe ta bëjë të papranueshme çdo vlerë o virtyt, o institucion të së kaluarës, siç e thotë shprehimisht gjatë tërë shkrimit.

Ajo i jep karakter artikullit më në fund, por duke dalë nga disiplina e kërkimit shkencor. Ai jep rekomandime siç e kërkon propaganda, sepse jep gjykime për disa faktorë historikë, të cilat i defaktorizon ngutshëm pa debat. Kjo nuk është sociologji. Shkenca loz rolin e saj kur nuk mban qëndrim të paravendosur, aq më pak për “shtylla” të realitetit historik, që gëzojnë mbështetje të vetë sociologëve me adresim tjetër. Shikimet sociologjike që nuk mbajnë qëndrime, ato vlejnë më fort, madje ekskluzivisht kur bëjnë pasqyrime besnike të realitetit dhe në respekt të argumentuar të pararendësve sociologë seriozë. Të angazhohesh me anën e njërës palë, kur ajo posa ka dalë në shesh dhe të nxjerrësh jashtë loje palë të tjera historikisht me rendësi kapitale duke i trajtuar si të pavlefshme, dogmatike ose arkaike, të ngurtësuara dhe jo koherente, ke shkelur gabim në terrenin shkencor, ku nuk lihet asgjë jashtë vëmendjes.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts