Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se po hetohen motivet e vrasësit të efektivit të policisë Nikolla Krsmanoviç, i cili dyshohet se u qëllua për vdekje nga 39-vjeçari nga Kosova Faton Hajrizi, i cili ishte në kërkim nga policia pasi ishte arratisur nga burgu.
Gjithashtu ka deklaruar se do të vendosen në pranga të gjithë personat që ndihmuan Faton Hajrizin, i cili u ekzekutua ditën e djeshme (19 korrik) nga policia serbe një ditë pasi 39-vjeçari vrau efektivin, si edhe do t’i kërkohet Gjermanisë që të arrestojë vëllain e tij, Artan Hajrizi.
“Kur dikush sulmon shtetin siç ka bërë Faton Hajrizi, atëherë është akt terrorist”, ka thënë Daçiç, duke shtuar se 39-vjeçari ishte kriminel i rrezikshëm.
“Ai është relativisht i ri për të marrë pjesë në aktivitete luftarake gjatë bombardimeve të NATO-s, por i përket një grupi që lavdëron Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne do të përcaktojmë se cilat ishin qëllimet dhe motivet e tij, presim përgjigje nga Gjermania për të zbuluar nëse ka qenë vërtet në Gjermani apo jo”, tha ai.
Daçiç theksoi se ka “shumë pyetje të hapura, siç është ajo për EULEX-in se pse nuk është lëshuar një fletarrest ndërkombëtar për Hajrizin, i cili ishte arratisur nga burgu”.
“E sigurt është se të gjithë ata qëndrojnë pas kësaj do të kapen dhe do të mbajnë përgjegjësi”, tha Daçiç.
Ai u shpreh se fillimisht nuk ishte e qartë se kush e vrau policin serb dhe plagosi kolegun e tij, për shkak të deklaratës së Artan Hajrazit se i vëllai i kishte vjedhur.
“Por padyshim që nuk ka pasur vjedhje, e as Hajrizi nuk ka shkuar në Hanover dhe më pas është kthyer në Preshevë”, theksoi ministri serb.
Sipas tij, ka më shumë gjasa që të ketë një skenar tjetër, që dikush të ketë sjellë pasaportën e vëllait në Republikën e Kosovës dhe ta kenë bërë me marrëveshje.
“Në parim e kemi rikonstruktuar se si ka ndodhur e gjitha, në kuptimin që ka nisur nga Presheva, se ka pasur logjistikë atje dhe ka koordinuar një person se kush do ta transportonte dhe kanë kërkuar shofer. Ky është personi për të cilin ne kërkojmë ndihmë juridike ndërkombëtare, pasi është shtetas i Sllovenisë. Nëpërmjet çiftit të martuar Radovanoviç, të cilët u arrestuan, një shofer nga Tutini mori përsipër për ta transportuar në Loznicë”, sqaroi Daçiç.
Ai përfundoi: “Do të hedhim dritë mbi çdo detaj dhe do të arrestojmë personat që kanë qenë të përfshirë dhe do të kërkojmë nga Gjermania që të arrestojë edhe vëllain e tij dhe të sqarojë historinë rreth dokumenteve të tij, dmth letërnjoftimin gjerman dhe pasaportën e lëshuar nga autoritetet e Kosovës”.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co