Bota

Dëshmia tronditëse e ish të dënuarit: Në birucat e Repsit, më erdhi komandanti i kampit, babai i të cilit, kishte torturuar priftin e famullisë së tij dhe pasi e kishte copëtuar trupin…

deshmia tronditese e ish te denuarit ne birucat e repsit me erdhi komandanti i kampit babai i te cilit kishte torturuar priftin e famullise se tij dhe pasi e kishte copetuar trupin

burgjet e repsitKam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

  Autori

                                                                                                  SHKËLQIM ABAZI

                                                                       R E P S I

                                                     (Kampi i punës së detyruar)

                  Memuaristikë

Tri ditët e para i shtytëm si mundëm. Koha vazhdimisht qe e ftohtë, por shi nuk ra, këtë detantë të përkohshme të motit e shfrytëzova për të ndehur mbi bankën në hajat, teshat e lagura, kështu u bëra me dy palë rroba, që më shpëtuan prej acarit. Ditët në vijim, miqësia me priftin po shtohej, por gjithsesi, vija re te ai shenja mosbesimi, ndaj një herë e pyeta: – “Dom Mark, kam vënë re se kur duhen sakrifica, je gati të rrezikosh, por në diskutime, tregohesh tepër i rezervuar, iu bën bisht përgjigjeve”? Sigurisht për këtë pyetje pa takt, u pendova në çast dhe u bëra gati t’a tërhiqja, duke i kërkuar ndjesë, po çuditërisht prifti u ul në kënd dhe më pa me sytë që i shkëlqenin, nga një dritë e qashtër mirëbesimi. Kruajti zërin dhe me shungullimën e përhershme ja nisi:

– “Po, ndoshta ke të drejtë! Por njitu ku jena, s’din nga m’u rujt ma par, robi i mjerë! Jetojmë kohë t’vështina, or bir, ku e liga t’vjen nga s’e pret! E pra, tash e kam përsëdyti burgun, me t’than t’drejtën, kena kalu vujtje t’randa! Kët herë m’dnuen me dekje e, kam ndenj nji muej plotë, lidh kambsh e dursh, me kask n’kry. Pas mujit mu m’kan fal, po kan ekzekutue dy shoq t’mitë. A e kupton çdo me than, me ndenj tuj prit dekën? Po pasha Zotin, asht e rand boll! Mos e past fat, as hasmi!

Me kalimin e ditve, msohesh me iden se në kët bot je i tepërt e, lut me t’ardh xhelati nji sahat e ma par, e me t’marr. Dhe kur koha kalon, ndin se jeta t’asht ba barrë, e don me ja lshue n’dor tjetërkujt, po aj s’don me ardhë, at’her ekzistenca shndërrohet n’torturë mizore. E kët far torturë pafund, kam përjetue veta, ato ditë kur kam ken n’pritje. Por erdhi fermani e, mu m’falën, po shoqt e mi, i murrn! Kam ndi shum dhimbë! Mirpo, tan jeta mbas faljes, kenka dhimbë! A më kupton”?

– “Besoj, po”! – pohova, për forcë zakoni. – “E pra, tash tuj pa se njitu, jan shtue njerzit e poshtën e spiujt, duhet me i qëmtue miqt. Po ene vet, tash von kam mbërrit. Ene pse kam shum t’njoftun t’vjetën, s’i njof t’tan. Po ti djal, kënke përsmbarit! Në kët konkluzion kam mbrrit, tuj pa shoqnin që të qarkoka në dy muej, m’duhet me pranue, e meriton ene miqsin tëme. E pra shoqnin’ duhet me e nderue me sjellje t’denj, duhet m’e rujt fort e, ma fort se vetin. Por për kët duhet me gjet mjetin, e kjo asht veç me m’sue, me m’sue e me m’sue, parreshtun”.

Për tri ditë e net më munduan dhimbjet, mezi e mora veten nga tronditja. Supi më lëndohej herë pas here, sidomos natën, ndërsa kyçet e duarve m’u sterruan dhe vazhdonin të ishin të ënjtura. Të ftohtët i acaronte edhe më shumë, nga të çarat që kish lënë teli, rridhte llurbë e qelbëzuar. Po kujdesi i pandërprerë i priftit, sikur më lehtësonte, në mos fizikisht, të paktën shpirtërisht. Kohën e shtynim me biseda të përgjithshme, me pyetje përgjigje të zakonshme, pa u futur në çështje politike. Bëmë si me thënë, njohjen, ngaqë ishim të detyruar sepse, donin s’donim, do rrinim bashkë njëzet e katër orë, non stop.

Mund edhe të meditonim në heshtje, siç vepronte herë-herë prifti kur zhytej në një monolog të pakuptueshëm. Sidoqoftë jetesa në një hapësirën pesë metër katrorë, të impononte. Kështu që biseda përqendrohej përgjithësisht te arsimi dhe edukimi që kisha marrë, vendi ku kisha punuar, familja ku isha rritur; pra, gjëra pa zarar. Ditën e tretë paradite, birucat i vizitoi komandanti i kampit Gjeto Gjini, një ushtarak karriere, që nga trupat e mbrojtjes kufitare në zonën e Korçës, e kishin transferuar me detyrë në Reps. Si ushtarak i mësuar te komandonte trupa ushtarësh efektivë, atij i mungonte përvoja, në drejtimin e kampeve dhe burgjeve politikë.

Por si të tërë ushtarakët e kohës, kapadainj e fanatikë të doktrinës komuniste, mangësitë i mbulonte me dufin e urrejtjes klasore, që shprehte vend e pavend. Pra, eksperiencën e munguar përpiqej ta kompensonte me fudullëkun. Mburrej me gjasme kulturën e gjerë marksiste-leniniste, që me-demek na zotëronte dhe këtë e tregonte karshi të dënuarve, po sidomos ndaj klerikëve katolikë, për të cilët shprehte neveri patologjike. Sjelljen brutale ndaj tyre, e shfaqte ashiqare, tentonte t’i diskreditonte publikisht, blasfemonte në pafundësi, i kundërvihej pa asnjë argument doktrinës fetare, pra ish shndërruar si të thuash, në një depozitë vreri kundër klerit.

Fillimisht gjithë këtë mllef, e shpjegonim me pasojën e edukimit komunist, që kish marrë në shkollën e Sigurimit të Shtetit, ku përgatiteshin kuadrot më obskurantistë dhe miopët homofobë, të armatës së sigurimsave. Por më pas, u mor vesh nga bashkëfshatarët e tij të dënuar politikë, se kjo armiqësi ndaj klerit dhe klerikëve, e kish zanafillën që nga koha e vrasjes së Bardhok Bibës, kur i ati i tij, kishte marrë pjesë në reprezaljet mbi popullin e pambrojtur të Mirditës, ku u pushkatuan pa gjyq dhjetëra persona, nga familjet më fisnike e më në zë të krahinës, si dhe disa qindra të tjerë përfunduan në internim, kënetave dhe moçaleve të Myzeqesë ku, o vdiqën nga malaria dhe kushtet mizerable të ushqimit e të strehimit, o përfunduan në burgje, si të dënuar politikë. Thuhej se babai i Gjeto Gjinin, ishte personi që kishte torturuar priftin e famullisë së tij dhe mbasi e kish copëtuar thela thela me thikë, deri sa i ish sosur jeta, mishin e gjakosur ua kishte hedhur derrave. Pra, urrejtja qe përçuar në linjë gjenetike.

Atë paradite, nën shoqërimin e oficerit të rojes, lushnjarit xhahil Xhevdet Balla, si dhe dy oficerëve të tjerë, njëri ishte operativi i kampit dhe tjetri kartelist, gjë që e mësova mbasi u larguan ata, inspektuan birucat, gjasme rastësisht. Ai na u drejtua të gjithëve, një për një; nga ishim, përse ishim dënuar, pse gjendeshim në biruca, etj. Kur erdhi radha te unë, më bëri pothuajse pyetjet që u kish drejtuar edhe të tjerëve, por ndaloi dhe më pa me ngulm, sikur atë moment, të kujtohej përse kish ardhur dhe iu kthye Xhevdetit: – “O shoku Xhevdet, mos është ky djali ai që qëlloi Salën”? – “Po, dora vetë”! – pohoi oficeri i rojës.

– “Po ky qenka i ri, mor burr! Ç’e paskeni shtënë këtu, me këtë ujkun plak?! Apo ta prish dhe ta bëj si veten e tij”? – “Ç’t’i bëjmë shoku komandant, dy biruca kemi”! – sikur u shfajësua Xhevdeti. – “Nuk e thashë me këtë kuptim, po s’duhej ta linit me priftin. Ore, i njeh këta priftërinjtë ti!? Janë kaq të poshtër, sa edhe mua po të më lësh ca ditë bashkë, ma prishin mendjen me ato dokrrat e tyre, për demek ngjalljen e Jezu Krishtit e, ku di unë tjetër! Apo jo, o prift, ç’na thuaj”? – “Zotni! – ushtoi zëri i Dom Markut. – Unë asnjëherë s’i kam mohue bindjet e mia dhe s’kam m’u ra mohit, po sa për predikimet që thuej zotnia juej, i përdor sipas vendit dhe njerëzve”.

– “Këtu e quan vend të përshtatshëm dhe këta njerëzit e duhur”? – “Zotni, vendi asht ma se i përshtatshëm, madje mendoj s’mund të ketë vend ma ideal, ku me iu drejtue të Madhit Zot dhe m’i kërkue ndihmë Jesuit, me na mbrojt e me na pështue nga t’kqijat e gjynahet e kësaj bote, e n’emër të Atit, Birit e Shpirtit Shejt, me na drejtue mos m’i ra mohi fesë e, të tana t’mirave të botës amshueme. Sa për robt, s’e dij në janë të duhunit, po ç’randësi ka, sot janë nën mundime, me t’krishtenë e muhamedanë, para Zotit të Madhnueshëm, t’tanë janë barabarë, bile edhe ata që s’besojnë kërkundi, ateistët”. Toni i tij i fuqishëm pushtoi hapësirën e qelisë, por kubatura e pakët s’mundi ta mbante, ndaj i kapërceu koracat e betonta dhe si t’ish në amvonën e ndonjë kishe, u shpëmda në lugun e Repsit.

Predikimi s’i erdhi pas midesë komandant Gjetos, që e ndërpreu brutalisht: – “Pusho, i poshtër! Me broçkullat e tua, gënje budallenjtë, po jo ne! Partia na i ka hapur sytë e, na ka mësuar t’i dallojmë që tej rrenat tuaja. Këtu keni për t’i lenë kockat, gjithë ju priftërinjtë, e more vesh, apo jo”! – “Po, or zotni, nji’kët e kam msue qysh në katërdhetepesën, që kur s’keni lanë ma priftën pa vra e pa shti në burg”! – “Këtu e keni vendin”! – “Ani, ene Krishti n’qel ka rrnue, ama ka mbet Mbret i botës”! – “Pusho, për ideal të Partisë, ta po të mbys me duart e mia”! – e ndërpreu i nervozuar komandanti.

Ndërkaq dy oficerët me hekura në duar, u nisën drejt priftit. Pa menduar gjatë, zura hapësirën e ngushtë të derës. Ata shtangën në çast. Ngaqë po merreshin me priftin, më kishin harruar mua. Mbase dalja ime kundruall, iu kujtoi përse kishin ardhur dhe m’u kthyen: – “Po ti, mor qelbësirë, për kë na pandeh ne? Mos na kujtove shokët e Sali Nelës!? Do të ta marrim shpirtin, do të rrjepim si kecin, pa frytur, armik i poshtër”! – s’lanë fyerje pa shfryrë. Gjithsesi, qëndrova në vend, jo se shquhesha për ndonjë trimëri të rrallë, po s’kisha ku shkoja tjetër. Pastaj për të shpëtuar priftin skeletik, guxova ta prisja vet valën e parë të goditjeve, me sa të mundja.

Po s’qe nevoja për heroizma, sepse ndërhyri komandant Gjetua, tashmë më i qetë: – “Lëreni priftin në ndyrësinë e vet”! Mandej diç pëshpëriti vesh më vesh me operativin, që për shkak të distancës, s’e dëgjova. – “Po ti që ke bërë atë rrahjen, sa ditë t’u bënë këtu”? – m’u kthye mua. – “Tri”, – iu gjegja. “Sa të kanë dënuar, ore”? – bëri të paditurin. – “Një muaj”. – “Shumë! Fundja, një sherr kalamajsh ishte”! – e minimizoi ngjarjen e, një nënqeshje e djallëzore i shndriti sytë. Mbase nëpërmjet këtij gjesti, kërkoi t’i jepte aktit ngjyra ordinere, gjë që më bëri të mendoja, se pas këtyre fjalëve, mund të fshihej një kurth.

Bëra t’i kthehesha, po instinktivisht kryqëzova shikimin me priftin, i cili me një pulitje të shpejtë sysh, më dha shenjë të heshtja. “Hesht, shmang konfrontimin me djallin”! të paktën kështu e përktheva atë sinjal. – “Hajd he burrë, me një ‘më fal’ hidhet ky hall”! – vazhdoi Gjeto Gjini dhe u zgërdhi me kukurima të çjerra. – “Nxirre atë të shkretë; ‘më fal’ dhe ik, shiko punën me shokët”! – “S’kamë bërë ndonjë gjë, për të kërkuar falje, zoti komandant”! Ai e preu gazin, më pa me habi, mandej më serioz: – “Or, po ç’kërkon të bësh zotrote?! Mos deshe të bësh ndonjë hata?! Pse o, pak të duket kjo? Të na rrahësh edhe neve tani, kjo të ka ngelur pa bërë! E more vesh apo jo”?

– “S’di ç’të them, besoja se duhet të më kërkonin mua falje”! – shtova. – “Bre, bre, po dashka t’i kërkuakan dhe falje, pale! E paske marrë virusin, or tungjatjeta! Një muaj do bësh, kokërr më kokërr! Dhe pastaj do ta shohim prapë këtë punën tënde”! Me të mbaruar pretencën kërcënuese, ai u rrotullua mbi takat e çizmeve lustra-fine dhe bëri tej, duke na lenë neve, aty në biruca; Dom Markun, për të mbyllur edhe dhjetë ditshin e fundit, ndërsa mua, edhe njëzeteshtatë ditë. Shoqëruesit e ndoqën pas, po operativi m’u kthye edhe njëherë e më kërcënoi:

– “Dëgjo ti lëngaraq, të paska yshtur mirë ky prifti! Por do ta nxjerrim shkumën nga veshët ne, se nga goja u del të gjithëve! Kuptove?! Dhe ti tutkun plak, në vend të shohësh hallin që të ka zënë, merresh me predikime! Ta dish mirë, me eshtrat e tua do ngrenë fole sorrat, por po merr më qafë edhe këta të rinjtë”! – iu ngrefos dom Markut. – “Zotni operativ, pse s’na lenë n’hallin që na ka ra”! – ia ktheu prifti me tonin e përhershëm. – “Tëj, or prift, mendon se je n’kishë, që m’u drejtoke me atë dreq toni!? Apo kujton zotnija jote, se je tuj fol me shoqin tat”?!

– “E di ku jam, por jam n’punën tëme”! – ia priti Domi. – “Atëherë, ngordh aty ku je”! – dhe u largua me hapa të shpejtë, pas të tjerëve. Edhe pse komandanti u rrek të maskohej pas të paditurit dhe këmbënguli të më detyronte t’iu kërkoja falje, për një veprim qe minimalisht duhej të pezullonte dënimin një mujor, faktikisht e vërtete qëndronte ndryshe. Por këtë të vërtetë do ta mësoja, vetëm mbasi do mbyllja njëmuajshin. Mbi kolegët e punës, kishin ushtruar presion, që të depononin në dëmin tim.

Duke nisur me brigadierin e, me radhë, Gaqka dhe Maqua, po edhe Hafëzi, Patër Zefi, Qazim Vula e, ca të tjerë që punonin pranë vendi të ngjarjes, i kishin thirrur tek e tek, mbasi i kishin kërcënuar, dikë me transferim në kazëm, dikë me birucë, iu kishin kërkuar deklarata. Po Velkoja i pari, e kish hedhur poshtë me neveri kërcënimin e operativit, që në prezencë të një grupi të madh të dënuarish, ish mburrur se do të më jepte një dënim shembullor, që do mbahej mend gjatë.

Velko Stepanoviçi i ish përgjigjur serioz: “Zotni operativ, po patët ndërmend me e dnue djalin, s’asht nevoj me na pyet na, bani punën tuej; ba me na pyet na, djali asht i pafajshëm. Ai maskara e ka meritue hunin me kohë! I bani hakun, bre”! Me të njëjtën gjuhë, madje më ashpër, kish folur edhe Qazimi, kurse pjesa tjetër, mohuan të kishin parë gjë dhe shprehën dyshimin se spiuni, ishte thjeshtë një provokator. Ata aludonin se ish- vetë-plagosur, për të fituar pikë, duke dënuar një të pafajshëm.

Natyrisht këto insinuata s’i pëlqyen operativit sepse s’arrinte objektivin të më dënonte përsëdyti për rrahje, po edhe komandant Gjeto Gjini, s’ish ndjerë komod, me deponimet e kolegëve të mi. Përfundimisht, ma kishin prerë një muaj izolim; veprimet e mëpasshme do të ndër-vareshin nga përgjigja ime. Pra gjithë biseda me mua, kish qenë një bllof, për të më diskretituar. Pa ditur asgjë nga këto palavira, që lozshin pas krahëve të mi, vetëm në saj të kokëfortësisë, i kisha shpëtuar turpit, të të kërkuarit ndjesë.

Kështu, operativi do kish vënë në zbatim projektin e tij, që rast pas rasti, u përpoq t’a realizonte, siç do ndodhte kur pas dy javësh, do na lidhnin pas shtyllave për tërë natën, së bashku me Dom Markun. Por unë s’kisha nga t’i dija gjithë këto, në atë birucë djalli ku gjendesha. Kur më nxorën, m’i treguan miqtë e mi, atëherë falenderova Velkon dhe të tjerët, që morën përsipër riskun e më shpëtuan nga ri dënimi.

Mbasi u larguan policët, Dom Marku u ul në një kënd dhe diç pëshpëriste pa zë. Unë i nervozuar vazhdova ecejaket përgjatë qelisë, doja të qetësohesha, por edhe të nxehesha. Bënte shumë ftohtë, era e akullt frynte më me vrull dhe rrymat që futeshin nga poshtë dhe anash derës, përplaseshin në murin përballë; shtjellat e ajrit që fishkëllenin, krijonin një si ciklon, në miniaturë. E lashë priftin të lutej, i ngurosur në qoshkun e vet. Këtë veprim ai e përsëriste shpesh herë gjatë ditës, por edhe në orët e vona të natës.

Qysh në krye më kish rënë në sy ky zakon; ai zhytej në botën iluzive, humbiste mendjen, duke folur me eterin. Besoj, ato çaste s’jetonte me ne, vdekatarët e zakonshëm, po nuk di se në ç’univers, që ne të tjerët s’arrinin ta kaptonin dhe as ta imagjinonin. Ato momente ai dëshironte qetësi absolute, mbase lutja në qetësi i ngjiste më shpejt, ndaj s’pranonte ta ndërpriste kush. Po edhe unë s’i flisja. Edhe ato çaste, s’i fola. Kur mbaroi lutjen, bëri tre herë kryqin me gishtat drejtuar nga unë, lëvizi me mundim gjunjët e mbledhur poshtë vetes dhe nguli shikimin drejt derës, diku në një pikë të largët, në horizontin e padukshëm. Nxori një ofshamë të mbytur, mandej tha:

– “Kan me t’u qep keq, or bir! As vet ti, s’ke m’e dit me kë m’u përball ma parë! Shumë vështirsi kan me t’qit n’udhën tate! Tash e tutje, duhet me ndryshue taktikë! Se edhe hekri që asht hekr, ba m’e qëllue rreshtas në nji vend, kputet! Qyre nji kët tub nan derë, i ka ra pika gjithnji njitu dhe e ka ba birë! E pra, me kalimin e kohës, ka m’u kput, jo ma robi i Zotit, që asht prej mishit e ashtet! Ndaj duhet me iu ruejt, ndeshjeve ballazi”!

– “Të lutem Dom Mark, mësomë ti, si mund të veproja? S’më lanë shteg tjetër! Mos vallë duhej t’iu kërkoja falje, pse mbrojta dinjitetin? T’i lutesha një spiuni imoral, të më falte dhe në fund ta bëja shok”? – “Jo o bir, s’e thash kët! Ke veprue drejt! Ata soj mileti, kan marr më qaf shum t’rinj e, duhet m’u rrfye vendin! Por si duhet me veprue? S’e dij! Tash për tash, duhet me hesht! Ma vonë kur të dalish prej njitu, do shohim ç’mund bajsh”! Ai vari kokën eshtake mbi kraharrorin e drobitur, ndenji një çast i nemitur me sytë mbyllur, pastaj ndërroi temën:

– “A e sheh, sa i ftohtë asht moti! Dimën i tillë, ban veç në Siberi. Sado i fortë kjoft robi, ktu jena në kushte të rrepta, kena mungesa të m’dha. Minutë pas minute, hupim durimin, ditë pas dite, hupim peshë, muj pas muji, hupim jetën! A e din sa djelm t’ri, s’kan mujt me i dal n’kry k’saj rruge? A e din se sa s’kan mujt me i durue mundimet dhe u jan hedh telave me xhemba e, kan hup jetën nga plumbat e ushtarve? A e din sa kan hup menç e jan marrue, e jan zhduk krejt n’spitale psiqiatrike? A e din sa kan përfundue ti-bi-ci e, i kan qit mushknit copash, t’u i vjell gjak? E ma keq ende, a e din sa djelm jan ba spiuj birucash e, kan hup nderin e jan kthye n’imoralë? Pra, ke nji rrugë mundimesh para, duhet me e përball dhe me e fitue. Por lufta s’fitohet veç me pushk, se ene ma trimin, e ha plumi! A e kupton, ç’due me than”?

Unë heshta, ndërsa ai vazhdoi: – “Njishtu pra, duhet me gjet mënyrën ma t’mir, me e kalue me sa ma pak dhimbë. Nji kjo asht detyr e jotja, njitash e mbras. Po jo vetëm e jotja, na duhet t’tanve me të mbështet, me të drejtue, me t’orientue. Për kët, duhet me mendue! Zoti asht i Madh! ‘T’TANA RRUGËT TË ÇOJNË NË ROMË’, kanë thanë romakët e lashtë…! Pra, para”!

Kështu i ndamë javët e përbashkëta, deri dy ditë para se të delte nga izolimi Dom Marku. Tashmë e kishim forcuar miqësinë dhe besimi ndaj njëri-tjetrit u rrit. Bisedat rridhnin më të çlirëta dhe më të thella. Filozofia për përballjen e vështirësive dhe rruga e mundimshme drejt së mirës, që më predikoi ky kolos i rezistencës, po edhe teologët e tjerë që do njihja më pas, do më shërbenin si fanar udhërrëfyes, për gjithë vitet e burgut, por edhe më prapa. Fal këtyre dijeve, do kapërceja situata shumë të rënda, që dukeshin pa rrugëdalje. Koha e izolimit, më shërbeu si një cikël i plotë leksionesh.

Sidomos episodi dy ditë para lirimit të priftit, do ishte një nga ngjarjet më pikante në jetën time të burgut dhe do të më shtonte kredencialet për më pas. Po ç’ndodhi? Asgjë më shumë dhe asgjë më pak, se ç’ndodhte përherë në atë mjedis! Një mbas-dite më të ftohtë se çdo ditë, nën një shi pik imët si maja gjilpëre, që ende pa rënë në tokë, shndërrohej në thumba të akujt, prunë një qyqar të lidhur me tel bari.

Ai ishte një i burgosur i ri, kish aty rreth një vit, por njihej gjerësisht, ngaqë i përkiste një fisi nacionalistësh nga Mallakastra. Disa anëtarë të atij fisi, i kishin dënuar bashkë, madje njërin prej tyre e ekzekutuan me pushkatim. Kjo familje qe e njohur në burgje edhe për shkak se aty vuante dënimin prej vitesh edhe gjyshi i tij, një ndër më të respektuar për qëndrimin intransigjent e të palëkundur, për dy dekada. Për hatër të gjyshit, respektonin edhe nipin. Por vet ai, s’kish pasur rast të kalonte, ndonjë provë qëndrese.

Mbas-ditën kur e sollën të lidhur, s’e futën në birucë, po e kllaposën në shtyllën elektrike, pak metra larg qelisë sonë. Nga vrimat e derës, shihnim të lidhurin, por s’mund t’i gjendeshim, ndaj i dhamë kurajo me fjalë. Mbas-dite kur erdhën policët të na nxirrnin në banjo, për nevoja personale, i lidhuri qe mavijosur nga të ftohtit e hidhur, fytyra i ish irnosur dhe kish humbur gjallërinë, nga majat e gishtave i kullonte gjak. Poshtë rrëzë shtyllës, qe formuar një pllangë e kuqe. Që nga nevojtorja e hapur, e këqyra me dhimbje, po e kisha krejt të pamundur t’i vija në ndihmë; gjithsesi duke u kthyer nga banja, s’mu ndenj, i fola ultas për t’i dhënë zemër: – “Mbahu A…do ta kalosh! Bëhu trim, si gjyshi”!

Por polici veshë-ngrehur, që sido që fola lehtë dëgjoi ç’thashë, më dha një shqelm në të pasme dhe më ulëriti: – “Do t’a shohim trimërinë e këtij dhe tënden”! – e më dha të shtymën për nga dera e birucës. Unë, që s’e pandeha, sa s’u plasa ballazi me priftin, që atë po delte çast për në banjë. Ndërsa polici po merrej me mua, Dom Marku përfitoi dhe iu avit të lidhurit, diçka i foli që as unë, as polici që merrej me mua, s’e dëgjuam. Ndërkaq tjetri që ruante në cepin ndanë banjës e pikasi, e kapi priftin për fyti dhe e zhyti dhunshëm në qeli.

Pak më vonë ata u larguan, ndërsa i lidhuri, nisi ulërimat e forta: – “Aman, se vdiqa! Hajd, më zgjidhni”! – heshti një çast, pastaj psherëtiu: – “O Zot i Madh, s’po duroj dot më”! – e tjera si këto. Moti sa vinte e ftohej. Gjilpërat e akullta, të vërtitura me furi nga era që shfrynte si e tërbuar në grykën e Fanit, i përplaseshin dhunshëm mbi fytyrën e mavijosur. Ulërimat e dhimbshme, na pikuan mu në zemër, psherëtimat lutëse, na u ngulën si gozhdë në tru.

Nga të dyja birucat shpërthyen njëkohësisht britma solidare. Por vetëm mund t’i jepnim kurajë, s’mund të bënim më shumë, ngaqë ishim të ndryrë. Distanca që na ndante, s’ishte as dy metër, saqë edhe frymëmarrjen e tij, që herë shpejtohej dhe herë platitje, sa të thosh mendja se kish mbaruar, e dëgjonim si ta kishim pas shpine. Kjo gjendje zgjati pak, mandej ai ia nisi sërish ulërimave.

Ndërsa ne bërtisnim, prifti vazhdonte të lutej. Por gjatë shqiptimit të tekstit, harroi ku gjindej dhe e ngriti tonin. Zëri bariton ushtoi e doli jashtë kubesë së betontë, era e furishme e rrëmbeu me vete dhe e përhapi shpateve e luginës së Fanit, si të ish një përshpirtje që shtjellohej në natyrë. Kaluan disa orë, deri sa mbërriti momenti i ndërrimit të turnit. Memorie.alNga Shkëlqim Abazi

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts