Partizani nuk e ka mbyllur ende merkaton dhe po punon edhe në këtë aspekt, pavarësisht se pjesa më e madhe e energjive është përqendruar në ndeshjet në Ligën e Konferencës, ku kalimi i dy tureve është objektiv i vendosur nga drejtuesit.Lojtarët me tipare sulmuese, veçanërisht ata të krahut, mbeten mes objektivave të klubit të kuq. Tregu nuk ofron shumë mundësi dhe që klubi të përforconte repartin përgjegjës për golat ndoshta do të duhej edhe një sakrificë financiare. Në ditët e fundit dy lojtarë të nivelit të lartë janë shndërruar në opsione për Partizanin. Bëhet fjalë për Odise Roshin dhe Eduart Rrocën. Të dyja rastet konsiderohen operacione të vështira për të ndodhur, por merkatos s’i dihet.
ODISE ROSHI – Raketa fierake para pak ditësh vendosi të ndërpriste kontratën me Sakariaspor në Ligën e Parë të Turqisë dhe është lojtar i lirë. Në 30 ndeshje të luajtura, ish-sulmuesi i Kombëtares arriti të shënojë 5 gola dhe të dhurojë 3 asiste. Tashmë 33 vjeç, për Roshin mund të ketë ardhur momenti të kthehet aty ku e nisi, në Superiore, duke ndjekur të njëjtën rrugë si Bekim Balaj, shoku i tij prej shumë vitesh. Shehi është “i fiksuar” pas lojtarëve të krahut dhe prania e Roshit në ekip mund të jetë një luks për trajnerin durrsak. Gjithsesi, për momentin gjithçka mbetet në kuadrin e fjalëve dhe palët nuk kanë bërë hapa konkrete. Duhet thënë se Roshi ka vuajtur shumë dëmtime gjatë karrierës së tij, por në sezonin e fundit ka luajtur rregullisht dhe ka treguar formë të mirë.
EDUART RROCA – 30-vjeçari nga Librazhdi prej vitit 2020 luan në Turqi me skuadrën e Istanbulspor, teksa në muajt e fundit iu bashkua në huazim ekipit të Manisës në Ligën e Parë. Në javët e fundit Rroca ka dalë lojtar i lirë dhe është në kërkim të një aventure të re. Dëshira e tij është për të vijuar jashtë Shqipërisë, por në rast se ofertat nuk e bindin, Partizani dhe Superiorja e pret. Rroca ka punuar me trajnerin Shehi në vitin 2020 te Kukësi, para se fantazisti të bënte kapërcimin e madh. Të dyja palët gëzojnë respekt për njëri-tjetrin.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co