Kryetari i Komisionit Hetimor për Sistemin TIMS, Ervin Salianji, paraqiti sot një raport të hartuar nga ekspertët, ku evidentohen një seri shkeljesh që kanë ndodhur.
Referuar raportit, ku përfshihen edhe dëshmitë e mbledhura nga Komisioni, përfshi edhe atë të Ervin Muçës, në të paktën 5 raste në sistem ka gjurmë, se nuk janë regjistruar pasaportat e personave që kanë kaluar në pikat e Kalimit Kufitar.
Salianji tha se ne dimë 5 raste, por mund të jenë edhe 25 mijë, çka sipas tij duhet të hetohet nga strukturat përkatëse të hetimit.
“Nga dokumentacioni i administruar dhe dëshmitë e marra nga Komisioni Hetimor ka rezultuar se në sistemin TIMS janë kryer ndërhyrje, të cilat mundësojnë që për persona të caktuar, të mos regjistrohen hyrje-daljet e tyre nga territori i Republikës së Shqipërisë, si dhe nëse regjistrohen, kërkimi në bazën e të dhënave të TIMS nuk bëhet i plotë duke shmangur databazat e të dhënave kriminale, çka mundëson që shtetas shqiptar apo të huaj që mund të jenë në kërkim kombëtar a ndërkombëtar, apo të dënuar për kryerjen e krimeve, të hyjnë dhe dalin lirisht nga territori pa pasur ndonjë alert nga sistemi.
Ky devijim, siç është shprehur edhe Drejtori i Departamentit të IT-së, Ervin Muça, iu shërben kryesisht individëve me rekorde kriminale dhe mund të shpjegojë edhe faktin se si persona në kërkim nga organet shqiptare të drejtësisë ia kanë dalë të dalin apo hyjnë në territorin e vendit tonë pa u zbuluar nga institucionet ligjzbatuese. Edhe kjo problematikë meriton vëmendje të veçantë dhe adresim të menjëhershëm pasi përbën një rrezik serioz për rendin dhe sigurinë, si dhe dëmton rëndë punën e organeve të drejtësisë, qofshin ato shqiptare apo të huaja”, theksohet në raport.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co