Kryetari i Komisionit Hetimor për sistemin TIMS, Ervin Salianji, ka parashtruar sot në mbledhjen e fundit të këtij grupi pune, katër rekomandime të nxjerra pas raportit të opozitës për punën e zhvilluar nga ky komision gjatë kësaj kohe.
Opozita rekomandon se për sistemin TIMS duhet të miratohet një ligj i posaçëm, i cili të ketë për qëllim të rregullojë në mënyrë tërësore administrimin, ruajtjen, mbrojtjen, aksesimin dhe përdorimin e të dhënave të sistemit TIMS.
Sipas tyre, një ligj i posaçëm do të shmang çdo lloj abuzimi apo paligjshmërie që personat e ngarkuar me detyra konkrete lidhur me këtë sistem mund të shkaktojnë në të ardhmen.
Së dyti, sa i përket kritereve të emërimit të drejtuesve të Departamentit të IT-së dhe Hetimit të Krimit Kibernetik, opozita rekomandon rishikimin e kuadrit ligjor të aplikueshëm, në mënyrë që të qartësohen dhe përforcohen kriteret ligjore për emërimin në këto pozicione.
Po ashtu, opozita këkron të qartësohet procedura e verifikimit të kandidaturave dhe të garantohet procedura në respekt të parimeve të konkurrencës dhe meritokracisë
Së treti, nisur nga problematikat që kanë rezultuar në cënimin e sigurisë së të dhënave të sistemit TIMS që ruhen në godinën e Departamentit të IT-së të Policisë së Shtetit, hyrjes së personave të paautorizuar dhe përpjekjes për të transferuar të dhënat në pajisje të jashtme, Salianji u shpreh se opozita rekomandon që të rishikohet kuadri ligjor, me qëllim që të përforcohen masat e sigurisë për këto ambiente, që në çdo zonë të jetë rreptësisht e përcaktuar lista e personave që mund të hyjnë dhe detyrat konkrete që ata kryejnë, dhe të merren masa që asnjë person i paautorizuar me shkrim nga titullari i institucionit të mos mundet të hyjë në këto mjedise.
Së katërti, kryetari i komisionit deklaroi se opozita rekomandon që në Kuvendin e Shqipërisë të ngrihet një grup i përbashkët pune, me përfaqësues nga ky Komision dhe Komisioni i Sigurisë Kombëtare, si dhe përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe partnerët ndërkombëtarë, i cili të konkludojë me ndryshimet ligjore që janë të nevojshme dhe të miratohen me konsensus të të gjitha palëve.
Rekomandimet e opozitës
Rekomandimi i parë: Nga dokumentacioni shkresor i administruar, por edhe dëshmitë e marra, rezultoi se ka një kuadër ligjor të plotë që rregullon në tërësi bazën e të dhënave të sistemit TIMS. Në shpjegimet me shkrim apo me gojë institucionet shtetërore dhe personat e thirrur si dëshmitarë iu referuan akteve të ndryshme ligjore dhe nënligjore, si kuadri mbi të cilën operohet për administrimin, mbrojtjen dhe sigurinë e të dhënave të sistemit TIMS. Në të shumtën e rasteve, dëshmitarët iu referuan akteve nënligjore në formën e procedurave standarde të punës apo manualeve të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ndërkohë, që të gjithë dëshmitarët pranuan nevojën për ndërhyrje legjislative me qëllim që të adresohen problematikat e evidentuara. Në këtë kuptim, rekomandimi ynë është që për sistemin TIMS duhet të miratohet një ligj i posaçëm, i cili të ketë për qëllim të rregullojë në mënyrë tërësore administrimin, ruajtjen, mbrojtjen, aksesimin dhe përdorimin e të dhënave të sistemit TIMS, në mënyrë që të shmanget çdo lloj abuzimi apo paligjshmërie që personat e ngarkuar me detyra konkrete lidhur me këtë sistem mund të shkaktojnë në të ardhmen.
Rekomandimi i dytë: Nisur nga problematikat që kanë rezultuar në procedurat dhe kriteret e emërimit të drejtuesve të Departamentit të IT-së dhe Hetimit të Krimit Kibernetik, rekomandojmë rishikimin e kuadrit ligjor të aplikueshëm, në mënyrë që të qartësohen dhe përforcohen kriteret ligjore për emërimin në këto pozicione. Po ashtu, të qartësohet procedura e verifikimit të kandidaturave dhe të garantohet procedura në respekt të parimeve të konkurrencës dhe meritokracisë. Këto ndërhyrje legjislative kanë për qëllim që të eleminojnë në të ardhmen përsëritjen e situatave, ku persona me të kaluar kriminale, pa kualifikimet dhe trajnimet e nevojshme, pa dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm, të pa pajisur me certifikimet e sigurisë, me procedura fiktive dhe kandidatura unike, të mund të emërohet në pozicione të rëndësishme në Policinë e Shtetit. Kjo e fundit duhet të garantojë se çdo person që pranohet në Policinë e Shtetit, por veçanërisht ata që emërohen në nivele të larta drejtuese të përmbushin standardet më të larta të integritetit dhe profesionalizmit.
Rekomandimi i tretë: Nisur nga problematikat që kanë rezultuar në cënimin e sigurisë së të dhënave të sistemit TIMS që ruhen në godinën e Departamentit të IT-së të Policisë së Shtetit, hyrjes së personave të paautorizuar dhe përpjekjes për të transferuar të dhënat në pajisje të jashtme, rekomandojmë që të rishikohet kuadri ligjor, me qëllim që të përforcohen masat e sigurisë për këto ambiente, që në çdo zonë të jetë rreptësisht e përcaktuar lista e personave që mund të hyjnë dhe detyrat konkrete që ata kryejnë, dhe të merren masa që asnjë person i paautorizuar me shkrim nga titullari i institucionit të mos mundet të hyjë në këto mjedise. Çdo lloj veprimtarie e kryer në këto godina duhet t’i nënshtrohet parimit të dokumentimit, në formë shkresore ose elektronike, dhe t’i nënshtrohet kontrolleve të vazhdueshme nga një strukturë e pavarur auditi. Në këtë kuptim, rekomandojmë që Policia e Shtetit të marrë masa për të kryer një auditim ndërkombëtar të Departamentit të IT-së në Policinë e Shtetit, dhe raporti përkatës t’i vihet në dispozicion Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare.
Rekomandimi i katërt: Me qëllim adresimin e këtyre rekomandimeve, veçanërisht ato që lidhen me plotësimin, ndryshimin apo rishikimin e kuadrit ligjor, rekomandojmë që në Kuvendin e Shqipërisë të ngrihet një grup i përbashkët pune, me përfaqësues nga ky Komision dhe Komisioni i Sigurisë Kombëtare, si dhe përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe partnerët ndërkombëtarë, i cili të konkludojë me ndryshimet ligjore që janë të nevojshme dhe të miratohen me konsensus të të gjitha palëve. Kjo pasi, për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion, volumit të madh të punës, zvarritjeve të qëllimshme, por veçanërisht për shkak se nisma të tilla ligjore kërkojnë kohë dhe një ekspertizë të lartë teknike, Komisioni Hetimor e ka pasur të pamundur për të konkluduar vetë me një projektligj. Por, ky qëllim mund të realizohet nëpërmjet grupi të përbashkët dhe gjithëpërfshirës pune, nisur edhe nga deklarimi i bërë nga Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe Shërbimi Informativ Shtetëror se janë duke punuar për të propozuar disa ndryshime ligjore relevante.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co