Analiza/ Genc Burimi: Blinken në Tiranë për Ramën apo për tensionet ndërkombëtare?

analiza genc burimi blinken ne tirane per ramen apo per tensionet nderkombetare
analiza genc burimi blinken ne tirane per ramen apo per tensionet nderkombetare

Triumfi i Realpolitikës

Është bërë traditë kur një personalitet i lartë perëndimor zbarkon për vizitë në Tiranë, Kryeministri i Shqipërisë përfiton për ta rikuperuar atë si një medalje nderi ndaj politikave të tij. Kështu ka bërë me Scholz, Von der Layen, Makron, Bill Klinton…Të njëjtën narrative vetëlavdëruese për punën e tij në shërbim të shqiptarëve po kompozon tani Edi Rama edhe me vizitën e Antony Blinken. Një numër i madh personalitetesh europiane ka shkuar edhe në Beograd në kuadrin e proceseve të zgjerimit të BE-së. Sa I besueshëm do të kish qenë një Vuçiç kur ashtu si Edi Rama do t’i komentonte këto vizita të «kokave» të Perëndimit si një njohje pa mëdyshje e demokracisë dhe sundimit të Shtetit të së drejtës në Serbi? Megjithatë si në Tiranë, ashtu dhe në Serbi, këta liderë botërorë nuk kanë denjuar të takohen me opozitën për të mos fyer pritësin me të cilin kanë interesa të tjera. Me Vuçiç ka dominuar interesi që ta shkëpusnin nga Moska dhe me Ramën nevoja midis të tjerash që ky mos ta kritikojë Vuçiçin.

A nuk ja vlen për perendimorët që në emër të këtyre interesave që përmbajnë një sfond ushtarak, ta bëjnë veshin e shurdhër ndaj kritikave të popullatave lokale? Antony Blinken është rasti më shembullor në këto momente i cinizmit në diplomaci, atë që ish-paraardhësi i tij i ndritur Henry Kissinger e quante me elegancë «Realpolitik»,  një term i huazuar nga një tjetër «perëndimor» i famshëm, Oto Bismark. Blinken vjen në Tiranë pas një baleti të pandalshëm diplomatik këto javët e fundit në kryqetetet e vendeve nga më diktatoriale të Lindjes së Mesme, si Jordania, Arabia Saudite, Katari, Emiratet, apo Egjipti…Kush do të pretendonte se në këto vende ekziston një opozitë, apo edhe nëse do të ekzistonte, Blinken do e kish mendjen, aty, tek të drejtat e njeriut, kur SHBA-ve i nevojiten si në një luftë për jetë a vdekje baza dhe aleatë gjeostrategjikë përballë “aksit të së keqes”, Rusi-Kinë-Iran?

Antony Blinken vjen vërtetë t’i shtrëngojë dorën Edi Ramës në Tiranë, por kurrsesi për t’i dhënë medalje nderi për pseudo demokracinë dhe sistemin kleptokratik që ky ka ndërtuar në dhjetë vjet. E njëjta dorë e Blinkenit sapo shtrëngoji po aq miqësisht dhe atë të diktatorit egjiptian Al Sissi që ndonëse vret dhe burgos opozitarë është mik i madh i perëndimorëve sidomos në këto momente kur një milion palestinezë janë mbledhur si turma bagëtish në kufi me Egjiptin në pritje të një gjesti bamirës të Kajros. Pa shkuar deri në vrasje të opozitarëve, Edi Rama ka arritur të vrasë fjalën e tyre në Kuvend, ka arritur të mbajë media nën kontroll me kërbaçin e dhunës fiskale ose me kulaçin e parasë së pisët të incineratorëve, e mbi të gjitha ka arritur të mbajë nën kontroll një sistem të korruptuar zgjedhor që i garanton vdekjen e rotacionit.

Dallimi i vetëm me Al Sissin dhe diktatorët e tjerë të Lindjes së Mesme që nuk e mohojnë se janë diktatura, qëndron te aftësia e Kryeministrit të Shqipërisë për ta maskuar performancën e njëjtë autokratike nën petkun e institucioneve demokratike. Alibia e tij është drejtësia alla perëndimore, ajo që lufton të gjitha krimet e politikanëve përveç ato që mbajnë firmën e VKM-ve të Kryeministrit. Rama ka po ashtu edhe alibinë prej betoni të kontrollit të zgjedhjeve nga OSBE-OHDIR që mesa duket raportet alarmante rrëqethëse mbi zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë gjetur deri tani lexues ne Bruksel apo në Uashington e aq më pak në Tiranën zyrtare. Rasti i tanishëm i Serbisë tregon megjithatë se Perëndimi, kur do, di t’i lexojë raportet e OSBE-së. Provë dhe një herë se Realpolitika nuk është shkencë ekzakte…

“Miqësia juaj na nderon” apo vizita juaj më shpëton..

Tek fjala Realpolitik, Rama sheh politikë, natyrisht të brendshme , sidomos në këto momente kur pas opozitës, edhe opinioni mund t’i ngrihet masivisht kundra në vazhdën e skandaleve korruptive. Ndaj për Kryeministrin rasti i kësaj vizite te Blinkenit nuk duhet humbur për të rrahur gjoksin sa demokrat është dhe sa shumë perëndimorët ja njohin këtë virtyt. “Miqësia juaj na nderon” u ngut ta titullojë Edi Rama në rrjetet sociale këtë fund jave kompozimin e tij të posaçëm në adresë të mikut nga Amerika. Më mirë ta kish titulluar prozën e tij “Vizita juaj më shpëton”.

Në momentin kur parlamenti po i boshatiset nga opozita reale pas dëbimit një nga një të të gjithe deputetëve e saj, në momentin kur ish- bashkëpunëtori i tij më i afërt detyrohet të arratiset për të dëshmuar me frikën se mund të ekzekutohet, se çfarë ka parë si korrupsion në zemër ose në maj të pushtetit të mishëruar nga Rama, në momentin kur njerëzit, edhe ata që nuk dëshirojnë një rikthim të Berishës, po fillojnë të shqetësohen për kursin kleptokratik dhe antidemokratik në të cilin e ka futur vendin Kryeministri, vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit shfaqet si një kamerdare shpëtimi për të mbyturin në det. Dhe Rama s’mund ta lëshojë këtë rast t’i shpëtojë nga duart pa e gërryer si një kockë deri në palcë. Përpara, përgjatë, dhe pas vizitës së Sekretarit të Shtetit, Rama ka një synim dhe vetëm një, ta promovojë Blinkenin si mburojë të Qeverisë së Rilindjes.

Në këtë mënyrë, mesazhi i mirëseardhjes së Ramës për Blinkenin merr trajtën e një skeçi si tek ai «a doni më për Belulin» për t’i thënë “bravo” vetes dhe qeverisjes së suksesshme të Rilindjes. Kush më mirë se Edi Rama mund t’i thoshte gjërat n mënyre kaq narciste për sukseset e tija në drejtësi, demokraci apo ekonomi :  “…Qeveria që unë kam privilegjin të udhëheq mbetet vendosmërisht garante e pavarësisë së drejtësisë së re..Rilindja e besimit të publikut është një arritje e parë kuptimplotë në rrugën e re të shtetbërjes demokratike. Sekretari i Shtetit do të gjejë një Shqipëri në punë, me rritje të vazhdueshme ekonomike e me vullnet të prekshëm transformues në sektorin publik dhe atë privat”.  Kur lexon një frymëzim të tillë nga pena e Kryeministrit s’mund të mos revoltohesh ndaj atij një milion shqiptaresh mosmirënjohës që kanë braktisur një parajsë të tillë mbi Tokë. Por Kryeministrit i mjafton një mirenjohës , vetëm një, Antony Blinken, himself, që vjen ta bekojë këtë parajsë, sipas mesazhit që tejcon Rama për të gjithë ata që s’dinë të kuptojnë..

Formimi i trupave ukrainase dhe strategjia e re me Serbinë, dy temat e Blinkenit në Tiranë

Në vitin 2007, ish-presidenti Xhorxh Bush junior erdhi personalisht në Tiranë për t’i shtrënguar dorën Kryeministrit të asajkohe Sali Berisha. Pak vite më pare, ky konsiderohej nga perëndimorët si pergjegjësi i vetëm i piramidave financiare rënia e të cilave provokoi një qarkullim të paparë armësh në Shqipëri dhe deri në Kosovë. Kjo nuk e pengoi aspak udhëheqësin e fuqisë më të madhe në botë t’i thurrte lavde lidershipit të Sali Berishës. Por ai nuk vinte në Shqipëri për simpati personale për Sali Berishën, siç mundohet të na e shesë sot Rama vizitën e Blinkenit. Bush vinte në Tiranë për gjeopolitike.

Nga shteti amë i shqiptarëve dhe “për inat” të Rusise, Bush shpalli mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës dhe kërkoi që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mblidhej sa më parë për të votuar në favor të planit Ahtisaari që planifikonte pavarësinë e Kosovës. Mesazhi i  dytë që falënderimi për pranimin nga Berisha të njeë numri të ish-të burgosurish të Guantanamos që nuk mund të ktheheshin në vendin e tyre si dhe pjesmarrja e Shqipërisë në koalicionin ndërkombëtar në Afganistan dhe Irak. Edhe sikur Nano apo Edi Rama të kishte qënë Kryeministër në atë moment, presidenti Bush do të kishte bërë të njëjtën vizitë dhe do të kishte thënë të njëjtat gjëra sepse këtë e diktonte situata ndërkombëtare në atë moment. Për më tepër vendet ballkanike të fasadës adriatike përtej Jugosllavisë duhej të futeshin patjetër në Nato (Kroaci dhe Shqipëri 2009).

Çfarë i dikton Antony Blinkenit sot situata ndërkombëtare në Europë në vigjilje të vizitës së tij në Tiranë? Janë dy preokupime të mëdha. Ashtu si më 2007 në momentin e vizitës së Xhorxh Bush, Kosova rivjen në krye të axhendas së Perëndimorëve. Asaj kohe sfida ishte t’i jepej pavarësia Kosovës. Tani përpjekja është për t’ia ruajtur pavarësinë Kosovës nga makinacionet e Serbisë e stimuluar nga Rusia të cilës i intereson të hapë një vatër të re konflikti në rajon për t’i larguar perëndimorët nga Ukraina. Deri tani vonë Tirana e Edi Ramës kishte si rekomandim të ruante nj marrëdhënie të privilegjuar me Vuçiç qoftë dhe duke kritikuar Kosovën për të kursyer liderin e Beogradit. Administrata Biden ka shpresuar vazhdimisht ta shkëpuste Serbinë nga orbita ruse. Ky plan do të dështonte dhe ka dështuar, aq shumë janë të lidhura fijet midis Putinit dhe pasardhësit të Millosheviçit. Jo vetëm që Serbia nuk iu shkëput Rusisë megjithë sjelljen e përkulur të SHBA-ve dhe BE-së ndaj Beogradit, por është Serbia që po tregon shenja se kërkon të ripushtojë Kosovën duke u armatosur deri në dhëmbë, e ndihmuar edhe nga Rusi. Një strategji e re e perëndimorëve duhet përpiluar tani karshi Serbisë. Blinken vjen për këtë në Shqipëri, për t’i folur edhe Tiranës edhe Prishtinës. Në ditët dhe javët në vazhdim do të shohim efektin e këtyre mesazheve në sjelljen e re të Ramës ndaj Serbisë dhe Kosovës.

Tema tjetër e rëndësishme e vizitës së Blinkenit në Shqipëri , sic e thotë dhe Departamenti i Shtetit , është Ukraina. Shqipërisë i është kërkuar të presë ushtarake ukrainas që të formohen nga instruktorë amerikanë dhe europianë. Greqia fqinjë ka filluar ta bëjë një gjë të tillë me pilotë ukrainas. Rama dhe Zelenski e përgatitën mediatikisht terrenin në Davos muajin e kaluar kur folën për ardhjen e efektivave ukrainas që do të formohen në Shqipëri. Nëse baza e re ajrore amerikane e Kuçovës ku janë hedhur mbi 50 milionë dollarë investime është gati, nuk është e habitshme të shohim aty pilotë ukrainas që duhet të përgatiten të komandojnë avjonë F16. Koha nuk pret. Administrata aktuale amerikane kërkon t’i përshpejtojë gjërat për një ofensive të re ukrainase këtë vit, përpara rrezikut të riardhjes në pushtet të Donald Trump që nuk dëshiron ta ndihmojë Ukrainën për ta detyruar Zelenskin të pranoje kushtet e Putinit. Do të ishte me këtë rast një surprizë jo shumë surprizë nëse bashkë me Blinkenin të shihnim edhe Zelenskin në Tiranë.

Jemi pra larg asaj që dëshiron Rama dhe larg mesazhit të rremë që ai përpiqet t’u japë shqiptarëve. Blinken vjen në Tiranë për gjëra shumë më serioze sesa për t’i dhënë mbështetje Kryeministrit në politikën e brendshme shqiptare. Jemi po ashtu në stilin tradicional të Edi Ramës që përpiqet të rikuperojë për veten e tij çdo vizitë të një lideri perëndimor në Shqipëri. Edhe vizitën e paraardhësit e Antony Blinken, Mike Pompeo që erdhi si biznesmen energjie në Tiranë para dy vjetësh, Rama u përpoq ta shiste si një mesazh në favor të tij nga Departamenti Amerikan i Shtetit…

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →