Bota Sport

“Lojërat Olimpike janë ëndrra e çdo sportisti”, Calja: Dëmtimet e lanë shtangën jashtë “Parisit”

lojerat olimpike jane endrra e cdo sportisti calja demtimet e lane shtangen jashte parisit



































Numërimi mbrapsht për Lojërat Olimpike “Paris 2024” tashmë është drejt fundit, teksa na ndajnë vetëm 2 ditë nga ceremonia e hapjes së evenimentit më madhor sportiv që do të mbahet nga 26 korriku deri më 11 gusht në kryeqytetin francez.

calja

Shqipëria shkon në Paris me tetë sportistë, ndërsa për herë të parë nuk do të jetë askush nga peshëngritja. Pikërisht nga ky sport është edhe rezultati më i lartë në historinë e vendit tonë në Olimpiadë, një arritje që mban firmën dhe vulën e Briken Caljes, i renditur i katërti në “Tokio 2020”, vetëm 1 kg larg zonës së medaljeve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Calja ka komentuar mungesën e shtangës në “Paris 2024”, ndërsa ka rrëfyer edhe emocionet që të japin Lojërat Olimpike, duke rikujtuar edhe një herë atë garë të jashtëzakonshme të 3 viteve më parë në Tokio.

Briken, tashmë jemi në atmosferën e Lojërave Olimpike, ku për herë të parë Shqipëria shkon në Olimpiadë pa asnjë peshëngritës. Si do ta komentoni këtë situatë?

Normalisht që kjo është një pyetje shumë e vështirë, pasi mospjesëmarrja e peshëngritjes për herë të parë në Lojërat Olimpike është një moment shumë i vështirë për t’u komentuar, të paktën për mua si pjesëmarrës në tri edicione të Olimpiadave dhe e di çfarë do të thotë. Normalisht çdo sport ka fazat e tij dhe mungesa e peshëngritjes në “Paris 2024” ka ardhur edhe për shkak të dëmtimit që kam pasur unë dhe kolegë të tjerë. Por dua të theksoj se këtë vit, pavarësisht mospjesëmarrjes, unë kam pasur ndër format më të mira para Kampionatit Europian. Por sporti ky është dhe në momentet vendimtare mund të shkojnë gjërat mbrapsht, siç më ndodhi mua dy ditë para garës në Europian. Isha pretendent për titullin kampion në Europë, por dëmtimi më penalizoi, duke më lënë edhe jashtë Lojërave Olimpike.

Ndonëse pas dy sezonesh të vështira, të kushtëzuara nga dëmtimet, ju dhatë gjithçka për të marrë kualifikimin në “Paris 2024”, madje duke hequr dorë edhe nga shumë lekë, pasi garuat në pesha me konkurrencë të lartë si ato olimpike. Nëse do ktheheshit në kohë do ta bënit sërish të njëjtën zgjedhje?

Pa diskutim që kjo është një e vërtetë, por mos të harrojmë që ne jemi sportistë dhe kemi dhënë jetën për këtë sport, duke iu përkushtuar totalisht. Nuk janë gjithçka vetëm lekët, pavarësisht se janë pjesë e rëndësishme e jetës për çdokënd, pasi çdokush dëshiron të përfitojë një vlerë monetare pas karrierës sportive. Por ëndrra ime ishte që të kapja për herë të katërt Lojërat Olimpike dhe ka qenë një nga zhgënjimet e mia më të mëdha kur u dëmtova dy ditë para garës. Por e them me bindje që nëse do të isha sërish në të njëjtën situatë do të ndiqja përsëri të njëjtën rrugë, pra do të garoja në peshë olimpike dhe nuk do të futesha në pesha të tjera vetëm për të marrë lekët.

Tri vite më parë shënuat rezultatin më të lartë në historinë e Shqipërisë në Olimpiadë me atë vend të katërt në Tokio, vetëm 1 kg larg medaljes…

Kanë qenë momente jashtëzakonisht shumë të veçanta, bëhet fjalë për emocione të forta. Ishte një garë ku unë fillimisht dështova në pikën time të fortë, ku prisja të kapja rezultat shumë të lartë në shkëputje, pasi kisha një formë mjaft të mirë. Por në atë garë kishte një sërë faktorësh, siç ishte edhe dështimi i shumë provave nga konkurrentët e mi, gjë që më shtyu kohën për provën e parë dhe e humba ekuilibrin. Por “qershia mbi tortë” erdhi në stilin e shtytjes. Është përmendur pak, por arrita të barazoja rekordin olimpik me 190 kg në shtytje, rezultati më i lartë i Shqipërisë. Për pak nuk arrita të merrja medalje, por ky është sporti dhe gjithçka vendoset në të qindtën e sekondës. Sigurisht që u mërzita që nuk mora medalje, por mendoj që mund të ketë edhe ndonjë surprizë pozitive, pasi po ri-testohen sërish analizat e peshëngritësve në atë garë.

Si ndiheni kur i kujtoni ato emocione dhe çfarë ndjesish jep Olimpiada për një sportist?

Është një emocion që e kam përjetuar disa herë dhe mund të them që Olimpiada është ëndrra e çdo sportisti. Janë emocione që nuk përshkruhen dhe që të mbesin gjatë të gjithë jetës në mendje. Përfaqëson vendin tënd në një kompeticion ku garojnë të gjithë yjet e botës, ndërsa edhe qëndrimi në fshatin olimpik është një emocion gjithashtu jashtëzakonisht shumë i madh.

Ndryshe nga pjesëmarrjet e mëparshme ku pritshmëritë më të mëdha vinin nga peshëngritja, tashmë kemi mundjen më afër zonës së medaljeve. Një sport që ka natyralizuar kampionë të mëdhenj nga Rusia…

Nuk dëshiroj që ta komentoj shumë këtë pjesë, por kjo është një zgjedhje e federatave. Secila federatë ka politikat e saj, por uroj që çdo sportist që përfaqëson Shqipërinë, pse jo të sjellë medaljen e parë olimpike në vendin tonë.

Çfarë prisni nga Shqipëria në këto Lojëra Olimpike?

Realisht pjesëmarrja do të thotë shumë, pastaj për rezultatet të shikojmë kur të mbyllen garat. Ekipit i uroj shumë suksese dhe e rëndësishme është që janë aty, pjesëmarrës të Shqipërisë në “Paris 2024”.

reggg

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts