Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka qenë mjaft optimist në javët e fundit për përmirësimin e situatës ekonomike dhe këtë e ka përsëritur edhe të enjten, në prezantimin e trajnerit Hansi Flik. Numri një i klubit katalanas e bëri shumë të qartë se Barcelona mund të përballojë operacionet e rëndësishme të merkatos të kësaj vere. Pa përmendur emra, avokati deklaroi se klubi është në gjendje të nënshkruajë me lojtarët me të cilët po negociojnë, duke iu referuar qartë dyshes së kombëtares spanjolle Niko Uilliams dhe Dani Olmo.
“Situata jonë ekonomike është shumë më e mirë sesa ishte në sezonin e kaluar. Parësore për ne ka qenë për të shpëtuar klubin financiarisht dhe tani jemi kthyer në rrugën e normalitetit. Sot mund të përballemi me nënshkrimet e lojtarëve për të cilët po flisni. Mund të përballemi me çdo operacion që duam. Nëse është e nevojshme, ne do të përmirësojmë skuadrën, por nuk do të marrim vendime që destabilizojnë strukturën sportive që kemi”, deklaroi numri një i klubit blaugrana.
Gjithashtu, kreu i klubit katalanas këmbënguli se në ditët në vijim do të bëjnë të ditur disa lajme të rëndësishme ekonomike për të vërtetuar pikërisht fjalët e tij se situata financiare e klubit është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me 2-3 sezonet e fundit. “Shumë shpejt do të futemi në normën 1:1, jemi në negociata me ‘Nike’ që përmirësojnë pozicionin e Barçës dhe do të kemi gjithashtu lajme sportive afatmesme”, tha ai.
Në ditën e prezantimit të trajnerit Hansi Flik, natyrisht që Laporta nuk mund të shgmangte diskutimin për trajnerin e ri. Ai e nisi prezantimin e trajnerit të ri duke kujtuar Ksavin dhe ritheksoi, për të disatën herë, se vendimi për të mos vazhduar bashkëpunimin me ishtrajnerin nuk ishte i lehtë. Presidenti i Barçës shpjegoi arsyet që e shtynë institucionin të nënshkruante me ish-trajnerin e kombëtares gjermane dhe i dërgoi një mesazh thumbues trajnerit katalanas. Ai siguroi se bordi ndjeu dhe kishte nevojë që lojtarët të kishin në krye një person që besonte plotësisht tek ata dhe që i jepte një shtysë dhomës së zhveshjes.
“Flik ka freski, diçka që i duhet profesionistit që duhet të drejtojë këtë impuls të ri. Ne kemi marrë parasysh rezymenë e tij, përvojën, mënyrën e tij të stërvitjes, besimin që ka transmetuar… dhe dëshirën dhe entuziazmin që pamë tek ai. Jam i bindur se ai do t’i japë një impuls të ri lojtarëve, të cilët kishin nevojë për një person që besonte fort tek ata”, shpjegoi avokati të enjten.
“Ne e zgjodhëm Flikun për përvojën e tij, kulturën e punës, disiplinën, besimin në strukturën e klubit, për punën e tij në La Masia… ai është personi më i kualifikuar për t’i dhënë këtë shtysë të re që duam t’i japim ekipit. Ai do ta bëjë këtë me bindje, vendosmëri dhe energji të reja”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co