Të paktën 26 persona, shumica prej tyre fëmijë, janë vrarë në një masakër në Papua Guinenë e Re që pa tre fshatra të djegura deri në themel, koka të prera dhe disa trupa të marrë nga krokodilët.
Dyshohet se numri i të vdekurve mund të rritet pasi kërkimi për të zhdukurit vazhdon pas masakrës që besohet të jetë rezultat i një mosmarrëveshjeje territoriale.
Sipas OKB-së, nga 26 të vrarët e konfirmuar, 16 ishin fëmijë.
Ushtruesi i detyrës së komandantit të policisë provinciale, James Baugen, tha: “Ishte një gjë shumë e tmerrshme, kur iu afrova zonës pashë se kishte fëmijë, burra gra”.
“Ata u vranë nga një grup prej 30 të rinjsh”, shtoi ai duke treguar se të mbijetuarit janë strehuar në një stacion policie, shkruan skynews.
Ai shtoi: “Disa nga trupat e mbetur gjatë natës u morën nga krokodilët në moçal. Ne pamë vetëm vendin ku u vranë. Kishte koka të prera”.
Siç raportohet, sulmuesit janë fshehur dhe ende nuk është bërë asnjë arrestim.
Volker Turk, komisioneri i OKB-së për të drejtat e njeriut, tha: “Jam i tmerruar nga shpërthimi tronditës i dhunës vdekjeprurëse në Papua Guinenë e Re, me sa duket si rezultat i një mosmarrëveshjeje mbi pronësinë e tokës dhe liqeneve dhe të drejtat e përdoruesve”.
Ai shtoi: “Ky numër mund të rritet në mbi 50 pasi autoritetet lokale kërkojnë për personat e zhdukur”.
“Përveç kësaj, më shumë se 200 fshatarë u larguan pasi shtëpitë e tyre u dogjën”.
Ndryshe, Papua Guinea e Re ka më shumë se 800 gjuhë indigjene dhe shumica e tokës i përket fiseve dhe jo individëve.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co