Kosova

6-vjetori i ndarjes nga jeta të Adem Demaçit, Kurti përkujton figurën e shkrimtarit: Busulla e lirisë për popullin dhe shoqërinë e Kosovës

6 vjetori i ndarjes nga jeta te adem demacit kurti perkujton figuren e shkrimtarit busulla e lirise per popullin dhe shoqerine e kosoves
6 vjetori i ndarjes nga jeta te adem demacit kurti perkujton figuren e shkrimtarit busulla e lirise per popullin dhe shoqerine e kosoves

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar figurën e Adem Demaçit në 6-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Kurti e cilësoi Demaçin si “busulla e lirisë për popullin dhe shoqërinë e Kosovës”, ndërsa shtoi se ai ishte mishëruar me çështjen kombëtare shqiptare qysh në rini.

“Vepra dhe jeta e Adem Demaçit ishin një, sepse Baci Adem e shkroi në vepër jetën e tij dhe e jetoi veprën e tij të shkruar, në burg a në liri, në libra a në organizime, kudo dhe kurdo, çdo ditë, deri në frymën e fundit”, shkroi Kurti në përkujtimin e tij.

Postimi i plotë:

Sot u bënë gjashtë vite nga vdekja e Adem Demaçit, busullës së lirisë për popullin dhe shoqërinë e Kosovës. Ndër vite, në të gjallë të tij dhe pas vdekjes, e kanë quajtur “simboli i rezistencës” dhe e kanë krahasuar me Nelson Mandelan, por përtej këtyre epiteteve profili i Adem Demaçit është shumë më kompleks se kaq, sepse jeta e tij ishte një jetë e jetuar në një mënyrë aq autentike.
Gazetar e shkrimtar, veprimtar e intelektual, i përndjekur dhe i burgosur politik, i lauruar për paqe, përfaqësues politik i luftëtarëve të lirisë, mendimtar dhe kritik, Adem Demaçi ishte mishëruar me çështjen kombëtare shqiptare qysh në rini, duke u kapur fort pas “nanës Shqipëri”, siç e kishte këshilluar nëna e tij. Studiues i letërsisë botërore dhe lexues i filozofisë së Hegelit, Adem Demaçi u bë mendja më e fuqishme dhe zëri më i guximshëm që i artikuloi interesat politike të shqiptarëve në Jugosllavi, gjatë gjysmës së dytë shekullit XX.
Te personaliteti njerëzor dhe figura historike e Adem Demaçit, përbashkohen të gjitha gjeneratat e aktivistëve politikë dhe patriotëve shqiptarë, që nga ata të demonstratave të ’68-ës dhe të ’81-shit, te luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe deri te brezi i shtetndërtimit demokratik të Republikës së pavarur të Kosovës. Vepra e shkruar dhe e jetuar e Adem Demaçit, nisur nga historia e aktivizmit të tij politik dhe e burgjeve, rezistenca e tij plot guxim, angazhimi i tij me këmbëngulje dhe vetëmohim, mendimi i tij politik i artikuluar publikisht në panumër tubime, shkrime dhe intervista, gjithçka që ai ka thënë dhe ka bërë dhe gjithçka që ai ka refuzuar të bëjë dhe mbështes, janë një kapitull më vete në historinë moderne të mendimit politik shqiptar dhe të politikbërjes përparimtare në Kosovë.
Vepra dhe jeta e Adem Demaçit ishin një, sepse Baci Adem e shkroi në vepër jetën e tij dhe e jetoi veprën e tij të shkruar, në burg a në liri, në libra a në organizime, kudo dhe kurdo, çdo ditë, deri në frymën e fundit.
Lavdi e përhershme Adem Demaçit, mes nderimesh dhe kujtimesh për të, duke e rikthyer vëmendjen kah vepra dhe jeta e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts