Kompania hekurudhore franceze SNCF ka paralajmëruar se ndërprerja nga sabotimi i së premtes kundër rrjetit të trenave në vend mund të zgjasë deri në fund të fundjavës dhe të prekë qindra mijëra pasagjerë të tjerë.
Sulmet e koordinuara të zjarrvënieve në tre linja të rrjetit TGV me shpejtësi të lartë të premten shkaktuan kaos për udhëtarët, disa orë përpara ceremonisë së hapjes për Lojërat Olimpike të Parisit. Një sulm i katërt u pengua nga punëtorët hekurudhor.
Kryeministri Gabriel Attal i përshkroi sulmet si “akte sabotimi”. Rreth një e katërta e trenave ndërkombëtarë të Eurostar u anuluan gjithashtu, ku kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer ishte në mesin e të prekurve.
Kompania deklaroi se klientët, trenat e të cilëve janë vonuar ose anuluar, do të kontaktohen me email ose mesazh.
Eurostar u shpreh se pritej që rreth një e pesta e shërbimeve gjatë fundjavës do të anulohej, ndërsa të gjithë trenat do të përballeshin me vonesa prej rreth 1.5 orë. Shërbimet e Eurostar përdorin linjën veriore të shpejtësisë së lartë.
SNCF tha se mbikëqyrja e rrjetit hekurudhor ishte forcuar “në tokë dhe në ajër”, duke përdorur 1000 punëtorë dhe 50 dronë.
Ministri i ri i Transportit Patrice Vergriete deklaroi se rreth 250,000 njerëz ishin prekur, ndërsa deri në 800,000 mund të përballen me vonesa dhe anulime deri të hënën.
Ai shtoi se ndërprerja e udhëtimit për pushime, në vend të ceremonisë së hapjes së Olimpiadës të së premtes, ishte qëllimi më i mundshëm i diversantëve.
“Nuk ka domosdoshmërisht lidhje me Olimpiadën”, tha ai në një intervistë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co