Bota

Pavarësia e Bankës së Shqipërisë nuk do të thotë imunitet

pavaresia e bankes se shqiperise nuk do te thote imunitet





































NGA EVARIST STOJA EVARIST STOJA

Javët e fundit në media shpërtheu gjerësisht skandali i mikrokredive që disa batakçinj në bashkëpunim me disa kusarë e në ujdi me disa maskarenj e kishin kthyer në zhvatje sistemike kudo ku u jepej rasti. Ky “model biznesi” kulmoi me rastin tragjik të një qytetari që i munduar e i capëluar nga këta batakçinj dhe i padëgjuar nga institucionet shtetërore, pasi e kish denoncuar disa herë këtë skemë abuzive, vrau veten para dyerve të institucioneve të shtetit pa mundur të gjente drejtësinë që kërkonte.

Kush mund ta vrasë veten përveç atij që nuk i ka mbetur asgjë përveç dëshpërimit?! Edhe sikur ky të jetë rasti i vetëm i abuzimit – në media ndërkohë spekulohet se zhvatje të ngjashme variojnë nga disa qindra në dhjetëra e dhjetëra mijëra – fakti që një qytetar shqiptar u shty t’i jepte fund jetës është mjaftueshëm tragjik dhe alarmant sepse shumëkush mund të bjerë në kontakt me “biznesmenë” të tillë si ç’ndodhte tek Onkologjiku. Disa nga zhvatësit kryesorë që kishin ngritur atë “biznes” mizor fshiheshin pas emrave modernë, me konotacione institucionesh financiare anglosaksone që të ngjallnin respekt dhe besim si “Micro Credit Albania” po që s’ishin veç strumbullar kriminal, me të drejtë përfunduan prapa hekurave. Sipas raportimeve, dy firmat e përfshira kishin disa vite që ishin angazhuar në zhvatjen metodike e sistematike të një numri të konsiderueshëm shqiptarësh. Tani natyrisht vëmendja është zhvendosur tek institucioni që u jep të drejtën ligjore firmave të mikrokredive të veprojnë në Shqipëri dhe që me ligj ka për detyrë t’i mbikëqyrë ato – Bankës së Shqipërisë. Me të drejtë ngrihet pyetja: si e lejoi Banka e Shqipërisë këtë situatë tragjike me mijëra të abuzuar e të zhvatur e që shpuri në një jetë të humbur, të vazhdonte kaq gjatë? Kjo pyetje ka bazë. Banka e Shqipërisë, si çdo simotër e saj moderne, ka një departament të dedikuar, Departamentin e Mbikëqyrjes, fokusi i vetëm i të cilit – si ç’e thotë tekstualisht edhe emri që mban – është mbikëqyrja e firmave të licencuara nga Banka e Shqipërisë. Kjo mbikëqyrje ka disa elementë që lidhen me mosfinancimin e terrorizmit apo krime të tjera e me aspekte të tjera teknike po me pak fjalë e mbi të gjitha, lidhet me respektimin e rregullave të vendosura nga vetë Banka e Shqipërisë dhe ligjeve të vendit.

Dhe as ligjet e vendit e as rregulloret e licencimit të Bankës së Shqipërisë nuk e lejojnë gjëkundi zhvatjen. Mbikëqyrja nga banka qendrore merr disa forma, por në të gjitha rastet mbikëqyrja duhet të jetë pro-aktive. Kjo do të thotë se banka qendrore në mënyrë të rregullt duhet të kërkojë informacione e raportime nga firmat e licencuara, të dërgojë specialistët e vet në terren dhe të bëjë hetime financiare të thelluara ku ka anomali e aty ku anomalitë nuk janë keqkuptime apo gabime të parëndësishme, duhet të marrë një varg masash përfshirë heqjen e licencës e referimin e krimit të mundshëm te institucionet përkatëse.

Një pyetje tjetër që lind mëse natyrshëm është: cila ishte arsyeja madhore që Banka e Shqipërisë priti dy vite për të bërë atë që bëri menjëherë pasi prokuroria njoftoi se kish hapur hetim ndaj disa zyrtarëve të saj – heqjen e licencave të firmave kriminale në fjalë? Sa raste abuzimesh mund të ishin shmangur nëse BSH do të kish vepruar disa muaj a vite më shpejt? Meqë aktiviteti kriminal i atyre dy firmave mizore të mikrokreditit dihet se ka ekzistuar prej kohësh, atëherë dyshimi se ato janë toleruar për arsye të paqarta është vështirë të shmanget. Nga çfarë kam lexuar, këto janë disa nga pyetjet që prokuroria po heton. Unë sigurisht as dua, as mundem të komentoj punën e saj. Po dy fjalë në aspektin financiar mundem t’i them, i nxitur nga ç’kam parë në media. Në disa artikuj në media, që për arsye edhe profesionale i kam ndjekur me vëmendje, pavarësia e politikës ekonomike të BSH-së është përpjekur të shitet si imunitet. Me demek, prokuroria është ose e keqkuptuar, ose e paditur që heton dyshimet e arsyeshme për veprime e mosveprime të paligjshme të një apo disa zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë në lidhje me skandalin e mikrokredive, sepse kjo gjoja cenon pavarësinë e institucionit të mbrojtur me ligj. Në ndihmë të këtij argumenti që – duhet thënë troç – është bosh, bëhen lloj-lloj krahasimesh e paralelesh me këtë apo atë bankë qendrore, që vetëm shtojnë konfuzionin. Banka e Shqipërisë është e pavarur. Si çdo bankë qendrore e ngjashme. Kjo do të thotë që është e lirë të ndjekë politikat e veta ekonomike shtrënguese apo nxitëse në varësi të nevojës së ekonomisë së vendit pa u ndikuar nga preferencat e këtij apo atij grupimi politik a ekonomik. Si çdokush që ka studiuar sado pak financë, ashtu edhe unë që kam edhe pak eksperiencë në një bankë qendrore serioze, jam mbështetës entuziast dhe i palëkundur i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë. Është shkëlqyeshëm që është kështu dhe më shumë duhet bërë për ta forcuar pavarësinë e mirëfilltë të saj! Problemi fillon kur me apo pa dashje, pavarësia e politikës ekonomike përpiqet të shitet si diçka që nuk është e s’ka si të jetë – imunitet.

Janë shkruar e do të shkruhen mijëra libra e doktoratura mbi këtë temë, por thelbi është se asnjë bankë qendrore moderne nuk gëzon imunitet karshi detyrimeve që i cakton ligji. Kështu edhe në këtë rast. Një raport i brendshëm ngrinte alarmin dy vjet para se vetë BSH-ja të ndërmerrte ndonjë veprim. Dyshimi është mëse i arsyeshëm por nëse shkelja është serioze për t’u ndjekur ligjërisht, fjala u takon institucioneve të drejtësisë. Pretendimet ligjore – nëse ekzistojnë – do t’i ngrejë Prokuroria. Fjalën e fundit duhet ta thotë Gjykata. Si në çdo vend të qytetëruar. Pseudo-argumentet për ta influencuar këtë proces nuk ndihmojnë hiç për të mos thënë se shtojnë konfuzionin.

Personalisht nuk do të dëshiroja që në përfundim të hetimeve, Prokuroria të arrinte në konkluzionin se dyshimet për mosveprime të një apo disa zyrtarëve të BSH-së që u dhanë mundësi atyre dy firmave kriminale të zhvatnin njerëzit prej disa vitesh, janë të mbështetura e ta shpinte çështjen për gjykim. Nëse ndodh, ky do të ishte skandali i dytë i rëndë brenda dhjetë vitesh për këtë institucion themelor të shtetit, integriteti i të cilit duhet të jetë i pacenueshëm e përtej çdo dyshimi. Por edhe nëse, akuzat janë të pabazuara, si ç’shpresoj sinqerisht të ndodhë, e gjithë kjo skemë mashtrimi ka lënë tashmë një shije të keqe për një institucion që përgjatë viteve nuk e ka mbuluar veten me lavdi. Të shpresojmë që kjo ta nxisë Bankën e Shqipërisë që më në fund të ndërmarrë reforma e të rrisë transparencën aq shumë të nevojshme.

Autori: Profesor i Financës, Universiteti i Bristolit, Mbretëri e Bashkuar

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts