Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u zotua të dielën të “rifillojë” bashkëpunimin me Kinën, duke nënshkruar një plan veprimi tre-vjeçar gjatë vizitës së saj të parë zyrtare në Pekin që nga marrja e detyrës.
Zonja Meloni, e cila udhëheq një qeveri të krahut të djathtë që nga viti 2022, e bëri njoftimin gjatë një takimi me kryeministrin kinez Li Qiang, teksa Roma kërkon të përmirësojë lidhjet tregtare me Pekinin pasi u largua nga nisma e Presidentit Xi Jinping, “Një Brez një Rrugë”, vitin e kaluar.
Kryeministrja italiane tha se udhëtimi i saj pesë-ditor ishte një “tregues i vullnetit për të filluar një fazë të re, për të rifilluar bashkëpunimin dypalësh. Plani i veprimit synon të eksperimentojë me forma të reja bashkëpunimi”, shtoi ajo.
Më vonë gjatë ditës zonja Meloni tha se një memorandum bashkëpunimi i firmosur mes dy vendeve përfshin sektorë strategjikë industrialë, si automjetet elektrike dhe energjia e rinovueshme.
Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij, Kryeministri kinez Li Quiang vuri në dukje “dobinë e ndërsjellë në bashkëpunimin mes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në fushën e ndërtimit të anijeve, hapësirës ajrore, energjisë së re, inteligjencës artificiale”.
‘Sqarimi i Keqkuptimeve’
Në vitin 2019, Italia u bë i vetmi shteti nga Grupi i Shtatë Vendeve më të Industrializuara të botës që iu bashkua nismës “Një Brez një Rrugë”, por u tërhoq vitin e kaluar nën trysninë e Shteteve të Bashkuara mbi shqetësimet për shtrirjen ekonomike të Pekinit.
Qeveria e zonjës Melonit tha se marrëveshja nuk i kishte sjellë përfitime Italisë, tregtia e së cilës me Kinën në vitin 2023, me vlerë 80 miliardë dollarë (66.8 miliardë euro) ka anuar shumë në favor të Pekinit. Kina është partneri më i madh tregtar i Italisë jashtë BE-së, pas Shteteve të Bashkuara.
Media shtetërore kineze tha se udhëtimi kishte për qëllim “sqarimin e disa keqkuptimeve” lidhur me tërheqjen e Italisë nga nisma “Një Brez një Rrugë” dhe theksimin e rëndësisë së lidhjeve ekonomike.
Investimet e huaja të drejtpërdrejta italiane në Kinë arrijnë në 16 miliardë dollarë (15 miliardë euro) dhe më shumë se 1600 kompani italiane janë aktive, veçanërisht në industrinë tekstile, inxhinierinë mekanike, farmaceutikë, sektorin energjetik dhe industritë e rënda.
Megjithatë, Italia mbështeti vendimin e Komisionit Evropian për të vendosur tarifa të përkohshme deri në 37.6 për qind për automjetet elektrike të importuara nga Kina. Pekini reagoi me zemërim dhe tha se ka nisur hetime për pijet alkoolike dhe mishin e derrit që importohet nga Evropa.
Vendet anëtare të G7-ës, përfshirë Italinë, u zotuan muajin e kaluar të vazhdojnë të mbrojnë bizneset e tyre nga ato që ata i konsiderojnë praktikat të padrejta tregtare të Kinës./VOA
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co