Portugezi 41-vjeçar, Fabio Verisimo, do të gjykojë ndeshjen e Egnatias kundër islandezëve të Vikingurit të enjten në mbrëmje, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Arbitri në fjalë ka një eksperiencë të konsiderueshme, ndërkohë që vetëm pak muaj më parë ai u bë protagonist i një precedenti që revolucionarizoi futbollin. Gjithçka ka lidhje me sistemin VAR, që dikush e pëlqen në futbollin e sotëm dhe dikush tjetër jo.
HISTORIA – Fabio Verisimo, gjatë ndeshjes mes Rio Aves dhe Bragës në kampionatin portugez, që përfundoi në barazim 0-0, iu desh t’u shpjegonte “live” tifozëve në stadium vendimin për anulimin e një goli të ekipit mik. Ndodhte për herë të parë në futbollin europian dhe me këtë veprim Verisimo ka hyrë në histori, sepse u krijua një precedent me shpjegimin publik me altoparlant. Videoja e këtij episodi në atë kohë pushtoi rrjetet sociale, sepse ishte diçka e pazakontë në futboll. Arbitri portugez u bëri të qartë tifozëve se goli u anulua nga VAR-i, për shkak të pozicionit jashtë loje të një lojtari. Ai u bë arbitri i parë i futbollit që njoftoi spektatorët për vendimin e tij në këtë mënyrë, siç ndodh prej vitesh në NFL (futboll amerikan).
KARTONËT – Duhet theksuar se Verisimo në ndeshje të caktuara të kampionatit portugez ka dhënë shumë kartonë. Duket një arbitër pak i ashpër dhe rrogozhinasit duhet të kenë shumë kujdes të enjten për të mos e komplikuar situatën në lidhje me kualifikimin për në turin e tretë të Ligës së Konferencës. Janë ata që mund të “luajnë” me nervat e kundërshtarit, sepse kanë favorin e fitores në ndeshjen e parë.ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL
Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co