Bota

Nga plotësimi i formularit, te video dhe 2 letrat mbështetëse, hapat për aplikim dhe kriteret e PS-së për t’u bërë deputet

nga plotesimi i formularit te video dhe 2 letrat mbeshtetese hapat per aplikim dhe kriteret e ps se per tu bere deputet





































VALENTINA MADANI/ Me synimin për të sjellë figura të reja, PS prezantoi platformën “Deputeti që Duam”, përmes së cilës do të përzgjidhen edhe kandidatë për deputetë në garën për zgjedhjet 2025.

kongresi

Risia e kësaj platforme për këto zgjedhje është mundësia që u jepet kandidatëve të vendosin theksin te një temë që e kanë për zemër, e cila mund të jetë një çështje që kandidati mendon se PS nuk e ka trajtuar sa dhe si duhet. Kandidatët gjithashtu do të kenë kohë për t’u angazhuar edhe në terren dhe në rrjetet sociale për të treguar aftësitë e tyre komunikuese, organizative, bashkëvepruese me ndjekësit që do të bëjnë për vete gjatë këtij procesi.

Të gjithë ata që duan të bëhen deputetë të Partisë Socialiste, tashmë nuk duhet të bëjnë një jetë partiake apo të lobojnë brenda strukturave të partisë. Mjafton të jesh shtetas shqiptar dhe të plotësosh kriteret bazë që përcakton dhe kushdo mund të aplikojë ‘online’ nga shtëpia. Për këtë mjaftojnë vetëm 4 hapa që duhet të ndiqen, ku përfshihen plotësimi i formularit me të dhënat personale, arritjet profesionale, jetëshkrimi, 2 letra mbështetëse dhe një video prej maksimumi 3 minutash ku shpjegohet motivimi, përvoja, idetë dhe vizioni për të ardhmen e vendit.

Në këtë platformë mund të aplikojnë edhe shqiptarët në diasporë. Njoftimin për hapjen e aplikimeve e bëri vetë Kryeministri Edi Rama përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale. Sipas tij, kjo është një derë e re e PS-së për këdo që do të angazhohet në vijën e parë për Shqipërinë 2030. Sipas asaj që përcaktohet në këtë platformë, aplikimet do të jenë të hapura për 62 ditë. Një tjetër risi e kësaj platforme është edhe opsioni konfidencial, i cili i lejon mundësinë e aplikimit të gjithë atyre që janë të angazhuar në organizata ndërkombëtare apo kanë angazhime të larta në sektorin privat në Shqipëri apo jashtë vendit.

Ky opsion u jep atyre kohë për të pjekur mendimin e angazhimit publik duke testuar seriozitetin e kësaj platforme. Aplikimi është fare i thjeshtë përmes faqes “deputetiqeduam.al” dhe përmban një formular të thjeshtë, jetëshkrimin e kandidatit, dy letra reference nga dy mbështetës të kandidatit dhe një video e shkurtër e regjistruar nga vetë kandidati.

FTESA

Kryeministri Edi Rama ftoi dje të gjithë ata që duan t’i bashkohen Partisë Socialiste që të aplikojnë në platformën “Deputeti që Duam”. Rama shprehet se kjo platformë është “dera e re e Partisë Socialiste, për të gjithë ata që duan të na bashkohen për Shqipërinë 2030”. “Idetë e reja, njerëzit dinamikë me guxim dhe vendosmëri do ta çojnë Shqipërinë vetëm përpara. PS ju fton në platformën inovative ‘Deputeti që Duam’. Apliko tani për t’u bërë pjesë e ndryshimit, pjesë e përfaqësimit, për profesionistët, për gratë, për diasporën, për rininë”, – thuhet në një video të ndarë nga Rama. Edhe dy ditë më parë në Kongresin e PS, Rama bëri me dije se platforma “Deputeti që Duam” është një derë e re e PS, ku kushdo mund të trokasë pa ndërmjetës. Kryeministri theksoi se “sistemi i korrigjuar, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, krijon dhe më shumë konkurrencë dhe u jep grave e vajzave po ashtu një hapësirë të plotë konkurrimi mes tyre, pavarësisht pozicionit të tyre fillestar në listë”.

“Inkurajoj gratë dhe vajzat të konkurrojnë. Absolutisht asgjë nuk është njësoj si dje dhe nuk janë të gjithë njësoj. Sepse po të ishin të gjithë njësoj, edhe Shqipëria do të ishte po njësoj. Por sepse ne jemi ndryshe, edhe Shqipëria është ndryshe”, – tha ai. Rama tha se nuk i siguron dot të gjithë ata që do t’i drejtohen kësaj platforme se do bëhen deputetë, por siguroi që nëse dikush ka dëshirë të angazhohet, të merret me politikë, nuk ka asnjë derë tjetër që bën punë. “Pazari i politikës ka plot dyqane, por PS është e vetmja derë ku, kush do të hedhë një hap për t’u angazhuar, e ka një mundësi reale. Jo sepse Partia Socialiste është një shtëpi pa probleme, nuk e them dot, kemi plot probleme edhe ne; jo se në Partinë Socialiste nuk ka njerëz që tjetër thonë në sy dhe tjetër të bëjnë pas kurrizit, as këtë nuk e them dot.

I kam njohur edhe vetë të tillë të paudhë, madje aq të paudhë sa cilido do të habitej po të tregoja se çfarë më thoshin në sy dhe se çfarë më bënin pas shpine dhe kur kanë arritur të ngjiten, po jo vetëm të ngjiten, por edhe të më ngjiten edhe mua këtu ku sidoqoftë është lart, merreni me mend sesa nga këta ka më poshtë, deri aty ku këta njerëz të cilëve po u drejtohem duhet të nisin rrugëve”, – tha ai. Edi Rama parapriu se “në listën e kandidatëve të Asamblesë së re Kombëtare që do të votohet nuk ka asnjë drejtor”. Gjatë punimeve të Kongresit Zgjedhor të PS-së, Rama theksoi se kjo masë duhet të kuptohet vetëm si pjesë e një fillimi të ri në rrugën e ndërtimit të PS-së të 2030-ës.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts