Koordinatori rajonal për Tiranën i PD, Klevis Balliu në një deklaratë për mediat, ka kërkuar hetim të menjëhershëm për Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile.
Sipas Balliut hetimi duhet të ndodhë për “dështim të situatës” me zjarret në vend.
Deklarata e plotë:
Prej tri ditësh zjarret kanë pushtuar Shqipërinë dhe Emergjencat Civile, Ushtria dhe të gjithë hallkat e sigurisë, janë kapur në befasi. Kur sheh skenat me zjarrfikëse që nuk kanë ujë, dhe ushtarë që përdorin degë pishe për të luftuar flakët, të kujtohet tuneli i Llogarasë, luksi i të cilit u kushtoi shqiptarëve 180 milion euro, e kupton talljen e madhe publike të propagandës së Rilindjes.
Zjarret janë një ngjarje e rëndë, fatkeqësisht e përsëritur. Qeveria si gjithmonë, fatkeqësisht e papërgatitur. Jo vetëm pyjet, shtëpitë, banorët dhe pasuritë e tyre janë në rrezik, por edhe jeta e ushtarëve, zjarrfikësve dhe policëve, të pamundur për tu përballur me situata të tilla, si pasojë e mungesës së theksuar të pajisjeve. Prej kohësh është denoncuar mungesa e mjeteve, makinerive dhe specialistëve të fushës, por nuk është marrë asnjë masë.
Zjarret nuk kërcënojnë vetëm territorin dhe jetën, por nxjerrin në pah se sa të papërgatitura janë Forcat e Armatosura. E gjitha si rrjedhojë e abuzimeve dhe korrupsionit, emërimeve nepotike që kanë degraduar standardin e Forcave të Armatosura. Pasojat e drejtpërdrejta i vuajnë qytetarët, të cilët i paguajnë taksat një më një, por pa marrë shërbimet mbrapsht. Prej tri ditësh u digjen kullota, pyje dhe prona dhe po shohin forcat e emergjencës, pa forcën e duhur për të luftuar me zjarret.
Qeveria është e avashtë kur bëhet fjalë për t’u ardhur në ndihmë të qytetarëve, por tenderat korruptivë dhe koncesionet milionëshe i mbyllin me firma fap e fap.
Nuk është hera e parë që përballemi me situata të tilla. Tërmeti nxori në pah paaftësinë e qeverisë për të menaxhuar emergjencat; përmbytjet në Shkodër, po ashtu.
Institucionet e drejtësisë duhet të hetojnë çfare është bërë me fondet per Forcat e Armatosura, si është gjendja e tyre; a kemi specialistë; a i plotësojmë ne standardet dhe kriteret e NATO-s? Ku janë institucionet e drejtësisë së re kur Shqipëria digjet si rrjedhojë e abuzimeve te pushtetit?
Fshehja e kësaj situate përben cenim te sigurisë kombëtare.
Partia Demokratike kërkon hetim të menjëhershëm të gjendjes së Forcave të Armatosura, mbledhjen e Këshillit te Sigurisë dhe vënien ne funksion, në bashkëpunim me aleatët tanë, të strategjisë për një plan mbrojtjeje, me qëllim rikthimin e normalitetit në Shqipëri.
U bëjmë thirrje qytetarëve të kenë kujdes. Ndërkohë që u ruhemi zjarreve në Shëngjin, Mirditë e Vlorë, mos harroni zjarrin e vjedhjeve me 5D në Tiranë. Bëhuni bashkë nesër, të mos e lëmë Rilindjen t’i vërë zjarrin Shqipërisë.
Nesër ora 11.00 para Bashkisë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co